Alitalia ul çmimet, 160 dollarë kushton Milano

Çmimet drejt Romës e Milanos zbresin sërish në nivelet e mëparshme (130-160 euro), ndërsa drejt qyteteve të tjera të Italisë janë mbi 250-300 euro…
Pasi i rriti ndjeshëm çmimet e avionëve me 60-70% pak javë më parë, Alitalia i ka ulur sërish ato, kryesisht për linjat direkte, e gjendur përballë rënies së ndjeshme të kërkesës. Agjencitë e udhëtimit pohojnë se çmimet kanë rënë drejt Romës dhe Milanos, ku Alitalia ka linja të shpeshta fluturimesh të përditshme, pasi e konkurruar nga Blue Panorama, Alitalia u gjend përballë avionëve të “boshatisur”.
Nëse prenoton sot në internet për një biletë vajtje ardhje në Romë, në datat 6-14 gusht, në orare të caktuara mund të gjesh dhe një biletë 130 euro. Pak javë më parë, kur çmimet u rritën, minimumi ishte 220 euro (Lexo: Rriten 60-70% çmimet e biletave të avioneve drejt Italisë).
Edhe për në Milano mund të gjesh bileta në gusht, vajtje-ardhje me 160 euro.
Por drejt destinacioneve të tjera, ku konkurrenca është më e ulët çmimet mbeten të shtrenjta. Për në Bolonja, në të njëjtat data në gusht, nuk gjen biletë më lirë se 260 euro. Për në Firence bileta minimale është 290 euro. Nëse do të shkosh në gusht në Venecia, minimum i biletës është 313 euro (vajtje –ardhje).
Në fillim të muajit prill Alitalia rivendosi kontrollin mbi sistemin e rezervimit. Teknikisht kjo nënkupton që agjencitë nuk kanë më mundësi të ndërhyjnë me klasin e udhëtimeve (më parë agjencitë ndërhynin në sistem, duke shitur një pjesë të madhe të biletave me klasin më të lirë). Kjo solli një rritje të menjëhershme të çmimeve, me 60-70%, dhe drejt Italisë nuk mund të gjeje biletë më pak se 200 euro për çfarëdolloj destinacioni.
Tashti çmimet e biletave drejt Romës e Milanos janë kthyer në nivelet e mëparshme, por në qytetet e tjera vështirë se gjen më lirë se 250 euro. Agjencitë e udhëtimit këshillojnë për të gjithë ata që duan të udhëtojnë prenotimin sa më në avancë të biletave.
Italia është destinacioni më i frekuentuar nga shqiptarët. Sipas të dhënave nga Tirana Intrnational Airport (TIA), fluturimet drejt Italisë zënë 60% të totalit.