Zhgënjen Rumania, barazon 1-1 me Kongon

Rumania kundërshtarja e fundit e Shqipërisë në ndeshjet në grup në “Euro 2016” barazoi 1-1 me Republikën Demokratike të Kongos në një sfidë miqësore që u zhvillua në Como të Italisë. Një rezultat zhgënjyes për skuadrën e Iordanescut, e cila ka patur një ecuri shumë të mirë gjatë eliminatoreve të Europianit. Edhe pse kaloi e para në avantazh me Stanciu, që përfitoi nga një gabim në fazën mbrojtëse të Kongo, Rumania u ndëshkua nga Bokila kur kishin mbetur vetëm pak minuta nga përfundimi i ndeshjes. Iordanesku hodhi në fushë që nga minuta e parë Pantilimon në portë, në mbrojtje Sapunaru, Gaman, Chiriches dhe Rat, në mesfushë Rapotan, Pintili, Popa, Stanciu dhe në sulm Chipciu, Alibec. Gjatë lojës në radhët e Rumanisë u aktivizuan Prepelita, Torje, Keseru, Maxim dhe Hora.
Edhe pse bëhej fjalë vetëm për një ndeshje parapërgatitore për Europianin, mediat në Rumani nuk janë kursyer aspak, duke e konsideruar një zhgënjim total paraqitjen e përfaqësueses ballkanase ndaj një kundërshtari, të cilin e konsiderojnë ndjeshëm inferior.