“Il Fatto Quotidiano”: Roli i Romës në aferën e përgjimeve në Shqipëri

Pajisja përgjuese “IMSI Catcher” ka hyrë në Shqipëri në datën 11 mars 2016 me anë të një makine me targa diplomatike italiane. Ajo është futur nëpërmjet Portit të Durrësit. Aktualisht pajisja përgjuese mësohet se ndodhet në ambasadën e Italisë në Tiranë, e cila nuk e ka vënë në dispozicion të Prokurorisë shqiptare, e cila e kërkon në kuadër të hetimit që është hapur.
Është e përditshmja italiane “Il Fatto Quotidiano”, e cila dje ka sjellë të dhëna të reja për çështjen e përgjimeve në Shqipëri, duke shkruar se ‘kjo është një çështje në të cilën Roma po luan një rol kyç”.
Gazeta i referohet ish-numrit 1 të policisë italiane, Pansa, i cili tha se instrumenti për përgjimet ishte një Vortex Aircube, një pajisje e prodhimit izraelit që në Europë është futur nga kompania franceze Ercom dhe në Itali është shpërndarë nga kompania Italalarms, një kompani që duket e privilegjuar nga Policia e Shtetit në Itali.
“Rreziqet për privatësinë e qytetarëve janë vënë re që në 2013, kur FBI pranoi se i ka përdorur “për të përgjuar kriminelët”. Por nga të dhënat e mbledhura që nga viti 1995, përveç kriminelëve, policia amerikane ka përgjuar edhe qytetarë të thjeshtë. Megjithëse përtej oqeanit FBI u dënua me publikimin e dokumenteve që lidhen me përgjimet e qytetarëve përmes IMSI Catcher, Italia që nga viti 2013 ka shpallur në mënyrë të vazhdueshme tender për të “transferuar” përgjimet e Policisë së Shtetit pikërisht përmes këtyre pajisjeve. Fituesja, në shumë raste, ka qenë “Italarms srl”, shoqëri në pronësi të Vittorio Maria dell’Orto dhe Giovanni Battista Adani. E njëjta protagoniste e shitjes së dyshimtë në Shqipëri”, shkruan “Il Fatto Quotidiano”.
Duke bërë një përmbledhje të asaj që ka ndodhur në dy brigjet dhe rolin e misionit ‘Interforze’ në Shqipëri, gazeta shkruan se po përflitet gjithnjë e më shumë përfshirja direkte e bashkëshortes së shefit të misionit, Michele Grillo, në shitjen e kësaj pajisjeje.
Gazeta hedh hije dyshimi edhe për rolin e drejtuesve të këtij misionin në Shqipëri.
“Në të kaluarën, një rol i tillë mbulohej nga Anna Poggi, ish-shefe zyre në Genova Bolzaneto, e dënuar për dhunën e ushtruar kundër protestuesve në Samitin e G8, dënim i konfirmuar edhe nga Gjykata e Kasacionit, por i paekzekutuar për arsye parashkrimi. Transferimi i saj në Slloveni ka koinciduar me një tjetër ‘histori spiunësh’: Një ish polic nga Vlora, Dritan Zagani, në 2015 ka kërkuar azil politik në Zvicër sepse insistonte se po përndiqej në Shqipëri për shkak se kishte zbuluar një linjë trafiku ajror të drogës nga Shqipëria drejt Italisë në të cilën ishin përfshirë të afërm të ministrit të Brendshëm, Tahiri”, shkruan “Il Fatto Quotidiano”.

Pse emri i Grillos të Interforcë del tek droga dhe përgjimet?

Në korrikun e vitit 2015, Michele Grillo, shefi i misionit të Interforcës italiane në Tiranë, udhëtoi bashkë me drejtorin e Policisë, Haki Çako e të tjerë me një avion mbi jugun e vendit. Avioni ishte i pajisur me disa radarë specialë që diktonin mbjelljet me kanabis. Ishte një udhëtim sa për shfaqje, për të dhënë mesazhin se situatën e kemi nën kontroll. Por nuk vonoi shumë dhe në shtator të 2015 në Itali autoritetet italiane kapën një avion të vogël me 400 kg kanabis në një pistë sportive. Ngjarja bëri bujë dhe të arrestuarit ishin një qytetar italian dhe një shqiptar. Reagimi ishte i menjëhershëm dhe droga u dyshua si e ardhur nga Shqipëria. Por në kulmin e presionit mbi një trafik droge me avionë dhe vetëm 2 muaj pas aksionit me radarë, Shefi i Interforcës në Tiranë, Michele Grillo, doli në “Top-Channel” dhe deklaroi se avioni nuk ishte ngarkuar në Shqipëri, por kishte bërë lëvizje vetëm brenda Italisë. Por Grillo u përgënjeshtrua nga Guardia di Finanza dhe Policia e Shtetit italian, e cila në komunikatën zyrtare shkruante se, sasia e drogës ishte ngarkuar në Shqipëri dhe komunikata qartësonte se avioni kryente transportin nga Shqipëria drejt Italisë. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha publikoi komunikatën zyrtare të policisë italiane dhe përgënjeshtroi publikisht Grillon. Ky ishte rasti i parë, kur u pa qartësisht se Shefi i Interforcës Michele Grillo, ishte përfshirë në lojë politike në krahë të ministrit Tahiri, duke deformuar faktet dhe duke mashtruar publikisht për të fshehur implikimin e palës shqiptare në trafikun e drogës. Ishte interesante se si Grillo kurdisi një spektakël në korrik, gjasme për të identifikuar me radarë parcelat e kanabisit, ndërsa në shtator u implikua në një skenar politiko-mediatik për të fshehur trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë me avionë. Por emri i Grillos ka dalë së fundmi dhe në skandalin e përgjimeve. Ai është italiani që dyshohet si personi kyç që ka mundësuar pazarin e sigurimit të një aparature të sofistikuar përgjimi, madje dyshohet se ai është dhe personi që ka mundësuar futjen e saj në Shqipëri nëpërmjet logjistikës së Interforcës. Nuk është e qartë, nëse implikimet e Grillos janë vetjake apo nëse kanë prapavijë shtetërore nga Italia. Por tashmë janë bërë dy raste ku del emri i tij, rasti i parë me drogën dhe rasti i dytë me aparaturën përgjuese dhe Grilo duket se është italiani i punëve të pista të Saimir Tahirit.

Rama-Tahiri heshtin

Edhe pse Partia Demokratike e denoncoi këtë krim shtetëror, dhe kërkoi përgjigje e transparencë, ende qeveria, Edi Rama, Saimir Tahiri nuk japin asnjë sqarim. Edhe në komisionin e Sigurisë Kombëtare, në seancën dëgjimore, Tahiri vetëm sa e thelloi skandalin, duke u përpjekur tua hedhë përgjegjësinë vartësve të tij dhe doganierëve. Sa më shumë ditë kalojnë aq më shumë thellohet kjo paligjshmëri, aq më shumë pasoja sjell ky krim shtetëror, kjo shkelje brutale e ligjit dhe e të drejtave themelore të qytetarëve. Prokuroria është në një thirrje historike për të zbardhur sa më shpejt skandalin. Sytë e mbarë opinionit publik janë drejtuar nga hetimi që ajo po kryen. Për të vënë ligjin mbi përgjimin e paligjshëm. Për të vënë përgjegjësit para drejtësisë. Kjo çështje duhet zbardhur e plotë dhe publiku, qytetarët duhet të mësojnë se kush e solli paisjen, kush e përdori, për interesat e kujt u përdor, kush u përgjua dhe pse. Siguria kombëtare dhe të drejtat themelore të njeriut nuk janë dhe nuk mund të jenë peng i Saimir Tahirit. Por ai dhe vartësit e tij të kapur, e pengojnë hetimin dhe zbardhjen e kësaj ngjarje kriminale.