Ibrahimoviç: E kam marrë vendimin për të ardhmen

Zlatan Ibrahimoviç është një nga futbollistët më të lakuar në merkato. Sulmuesi suedez, i cili ka mbyllur në mënyrë madhështore aventurën e tij tek PSG, është përfolur gjatë këtyre ditëve si përforcimi i radhës i Manchester United. Mediat britanike theksojnë se tek djajtë e kuq do të ketë një ribashkim të sulmuesit me ish-trajnerin e tij tek Interi Jose Mourinho. Vetë Ibra nuk konfirmon për momentin një lëvizje të tillë edhe pse pranon që është i qartë për të ardhmen e tij.
“Të shohim se çdo të ndodhë. Kam folur shpesh me Mourinhon dhe dëshirojmë të punojmë sërish së bashku. Nëse dëshiron të fitosh ai është njeriu i duhur për të marë. E ardhmja është shkruar, pasi unë e kam bërë zgjedhjen time kohë më parë”.
Pavarësisht se konferenca për shtyp ka zgjatur rreth një orë, Zlatan nuk e ka bërë të qartë destinacionin e tij të ardhshëm. Madje edhe kur e kanë pyetur në mënyrë specifike për kalimin tek United me buzëqeshje ka kthyer një përgjigje që nuk konfirmon asgjë. Megjithatë, ai ka treguar në këtë konferencë për shtyp se ende ka kërkesa të mëdha në drejtim të tij. “Më duan në Itali, Angli dhe jashtë Europës. Kam marrë shumë oferta konkrete, por nuk ka nevojë që të shqetësohem”.
34-vjeçari ka luajtur në karrierën e tij si profesionist në 7 klube të ndryshme, duke qenë gjithmonë fitues i kampionateve respektive. Ditët e fundit është folur për një rikthim në Serinë A ku e kërkojnë Juventus dhe Milan. Por për të mësuar nëse në karrierën e Ibrës do të jetë një skuadër e re apo një rikthim në të shkuarën duhet pritur edhe disa ditë.