Grabitet dyqani i policit, 40 metra larg komisariatit në Fushë-Krujë

Një pikë e këmbimit valuator, që shërbente edhe si argjendari, u sulmua dhe u grabit në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Fushë-Krujë. Sipas burimeve të policisë vendore, dyqani është në pronësi të një punonjësi të policisë së Burgut të Fushë-Krujës dhe ndodhet përballë komisariatit. Ndonëse dyqani ndodhet vetëm 40 metra nga stacioni i Policisë së Fushë Krujës, grabitësit kanë mundur të kryejnë vjedhjen, duke thyer derën në pjesën anësore të dyqanit, duke marrë të pashqetësuar një sasi të konsiderueshme valute dhe buzhuteri.
Një tjetër fakt i rëndësishëm është se dyqani ndodhet vetëm 40 metra larg komisariatit, e përsëri grabitësit shembën murin në pjesën e pasme të argjendarisë dhe u futën brenda. Policia nuk kishte kuptuar asgjë që disa metra më tutje, “nën hundën e saj”, po kryhej një grabitje.
Sipas burimeve të policisë, grabitësit kanë arritur të marrin një sasi parash dhe bizhuterish dhe kanë arritur të ikin. Ende nuk dihet vlera e marrë, ndërsa policia nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorët. Policia bëri të ditur se, dyqani i grabitur është në pronësi të shtetasit Shyqyri Shehu, efektiv policie në Burgun e Fushë Krujës. Ky i fundit ka bërë të ditur se nuk ka konflikte personale me askënd. Ndërkohë, grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje për mbledhjen e provave për të identifikuar dhe arrestuar autorët.
Numri i grabitjeve është rritur ndjeshëm gjatë kohëve të fundit në të gjithë vendin. Një grabitje me armë ndodhi para pak kohësh në Durrës në një argjendari. Tre persona të armatosur arritën që të grabisnin një sasi të madhe sendesh me vlerë dhe florinj. Fatmirësisht asnjë nuk është lënduar gjatë grabitjes. Grabitësit udhëtonin me një automjet me xhama të zinj. Pasi ndaluan përpara argjendarisë, grabitësit hynë brenda duke kërcënuar pronarin me armë. Grabitja ndodhi në harkun e pak minutave.  Para disa ditësh u grabit një dyqan i një kompanie telefonike celulare në qytetin e Beratit. Punonjësja e dyqanit ka kërkuar ndihmën e policisë, pasi ka zbuluar grabitjen.