Dani Alves drejt Juves

Dani Alves do të largohet nga Barcelona. Do të shkojë te Juve me parametra zero dhe do të firmosë një kontratë 3-vjeçare. Lajmin e dha e para radioja spanjolle “Cadena Ser”. Vijnë sërish nga Spanja zërat që ushqejnë ëndrrat e tifozëve bardhezinj. Klubi katalanas siç raporton “El Mundo Deportivo” e ka përgënjeshtruar lajmin, por ndërkohë mediat italiane bëjnë të ditur se që nga Torino përcillet optimizëm për një përfundim pozitiv të tratativës. Pak më parë kishte qenë një tjetër lojtar blaugrana, Javier Mascherano që ishte përfolur për një kalim te Juventusi, tani i takon anësorit brazilian, 33-vjeçar që ka një kontratë deri në 2017 me Barcelonën të firmosur verën e kaluar, kur dukej se rrugët mes tij dhe klubit katalanas do të ndaheshin.
Në qershor, thuajse një vit më parë, Dani Alves firmosi një kontratë prej 4.5 milionë eurosh neto në sezon, në dimër pati oferta nga Kina me një pagë të dyfishuar, por dëshira për të qenë ende protagonist në Europë mund ta miklojë lojtarin për të pranuar ofertën e Juventusit. Kushti që vendos natyrisht është ai për të patur një kontratë afatgjatë, mundësisht 3-vjeçare. Në klubin italian, Marota do të pëlqente një kontratë dy vjeçare duke parë moshën e futbollistit, dhe në çdo rast nuk i duhet të derdhë para në arkat e Barcës që nga ana e saj do të lirohej nga një pagë që i rëndon.
Gjithsesi për momentin klubi katalanas përgënjeshteron transferimin. Veç të tjerash braziliani pavarësisht transferimit të Aleic Vidal që nga janari ka luajtur thuajse gjithmonë titullar dhe ishte një ndër protagonistët e triumfit në La Liga. Por Barcelona ka investuar 17 milionë euro për ish- lojtarin e Sevillas, dhe ka ndër mend që ta lançojë sezonin e ardhshëm pa e shqetësuar nga një hije e rëndë si ajo e Alvesh.
Massimiliano Alegri nis të mendojë për të ardhmen e Juventusit. Trajneri nga Livorno e nis me njeriun e momentit te bardhezinjtë, Alvaro Moratan. “Është një djalosh i ri që ka nevojë të qëndrojë te Juventusi, të paktën edhe për një vit, pasi do të rritet më shumë”, tha Alegri. Nga Morata, te Dybala, një tjetër talent i Juventusit, i menaxhuar mirë nga Alegri. “Një trajner ka për detyrë të bëjë zgjedhjet. Dybala fillimisht nuk ishte gati për të treguar atë që bëri më pas. Jam i sigurtë që ka cilësitë për t’u përmirësuar më shumë”, tha ai.
I pyetur për merkaton, Alegri tha se futbollistët në qarkullim që mund ta përmirësojnë Juventusin, janë pak, megjithatë duhet bërë çdo përpjekje e mundshme për ta forcuar ekipin. Ndërsa për të ardhmen e tij shtoi: “Te Juvja ndihem shumë mirë. Nisëm një cikël me 10 djem që kanë nëntën përpara në datën e lindjes dhe për të qëndruar në të njëjtin nivel me klubet e mëdha në Europë, duke parë diferencën ekonomike, duhet një shoqëri e organizuar, me njerëz shumë të përgatitur. Shpresoj të qëndroj sa më gjatë”, u shpreh Alegri.
Për sezonin e ardhshëm objektivat janë të qarta nga titulli kampion në Serinë A te Champions League. “Këtë sezon kemi qenë më lart, edhe pse nuk shkuan në finale të Championsit. Jemi përballur si të barabartë me më të mëdhenjtë e Europës. Pastaj janë shumë gjëra që kushtëzojnë sezonin. Shpresoj që sezonin e ardhshëm të jemi më të zotë dhe të kemi më shumë fat”.