Berisha nuk ka ndërmend të largohet nga Kombëtarja

Mund të rrini të qetë, Berisha nuk ka ndërmend të lërë Shqipërinë. Portieri i Kombëtares u kthye padyshim në një nga temat kryesore të ditës në opinionin sportiv me deklaratat e tij në konferencën për shtyp nga Bad Waltersdorf në Austri, duke pushtuar dhe faqet e para të shtypit sportiv. “Berisha mban në ankth kuqezinjtë: Jam në dilemë mes Shqipërisë dhe Kosovës”, “Tremb Berisha, mund të lërë kombëtaren”, ishin titujt në gazetat më të mëdha sportive në vend këtë të enjte lidhur me deklaratën e portierit të Kombëtares, kur u pyet mbi anëtarësimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA dhe mundësinë që lojtarë të Kombëtareve të tjera përfshirë dhe atë shqiptare të bashkohen me përfaqësuesen e Kosovës.
Sjellim edhe një herë në vemendja se çfarë tha Berisha. “Ka qenë nder të jem me skuadrën e të gjithë shqiptarëve. Tani që është bërë kjo ndarje nuk ndihem në maksimum, pasi si në Kosovë dhe në Shqipëri nuk do të ndjehem mirë”, tha Berisha.
Ishin këto deklaratat e 27-vjeçarit nga Prishtina çka krijuan dhe aludimet për mëdyshjet e tij për të vazhduar apo jo me Kombëtaren. Por lajmi i mirë që i qetëson të gjithë vjen nga i dërguari i Supersport Bad Waltersdorf, Alban Xhihani, i cili gjatë komunikimit të mëpasshëm me portierin përcjell dhe bindjen e  tij se nuk është ky interpretimi i drejtë, Berisha është keqkuptuar, dhe ajo çka është më e rëndësishmja, nuk ka ndërmend të largohet nga Kombëtarja Shqiptare.
Një çështje që mbyllet ende pa lindur mirë, për fatin e të gjithëve, Berisha do të vijojë të mbetet garancia e Kombëtares mes shtyllave kuqezi.