Rama, xhahil në ekonomi!

Sali BERISHA

Ai fliste dje me investitorët më së paku si ufo, por i pafajshëm për shkak të padijes së tij!
Të dashur miq, dje u zhvillua një takim me biznesin e huaj dhe vendas. Ashtu siç pritej, Rama, xhahil në ekonomi dhe në politikat fiskale, rendit aty sukseset imagjinare duke lexuar krenarisht një fjalim të neveritshëm të shkruar jo nga Falma, por nga Brisi. Pas rreshtimit të tyre fjalën e morën investitorët e huaj. Njëri prej tyre i tha Ramës dhe audiencës se me politikën fiskale ti ke:
– ulur dhe dëmtuar rëndë prodhimin;
– shkatërruar vendet e punës;
– ulur të ardhurat në buxhet nga taksat.
Rama, me nder Kryeministër, po them me nder përderisa ai, për të zhvlerësuar apo ofenduar, pasi u përpoq t’ja ndërpresë fjalën, i tha se je bërë dhe ti më shumë shqiptar.
Kurse përfaqësuesi i FMN, i cili si rregull shpreh, por në mënyrë të rrumbullakosur mendimin e biznesit ndërkombëtar i tha në sy Ramës se:
– komuniteti ndërkombëtar ka një vlerësim të ulët për Shqipërinë si lokacion investimesh.
– biznesi ankohet për një klimë stresante për një seri faktorësh përfshirë taksat.
Kurse Rama iu përgjigj atij si dudum duke mos qenë në gjendje të citojë në tre vjet asnjë investim të ri të huaj përveç atyre të nisur apo firmosur nga qeveria e mëparshme. Rama deklaroi se nga Shqipëria nuk është larguar asnjë investitor i huaj dhe citoi me emër pikërisht ato që janë larguar, si Bankers, Hochtif.
Me padijen e xhahilit ai tha se ato nuk janë larguar, por kanë shitur sipërmarrjet e tyre. Duket se ai me largim nënkupton vetëm po t’i çmontonin dhe merrnin me vete puset, depozitat e naftës dhe aeroportin etj.
Ky krenar që jeton me suksese imagjinare nuk di se çfarë do të thotë deflacion, rënie drastike e eksporteve, largim i investimeve të huaja, falimentim masiv i ndërmarrjeve private.