Perisiç: Endërr të përfaqësoj Kroacinë

Kroacia është një prej kombëtareve që synon të bëjë surprizën në Euro 2016. Përfaqësuesja ballkanase ka në përbërje lojtarë cilësorë ku mbi të gjithë qëndrojnë Modriç, Rakitiç e Mandzukiç, por edhe Ivan Perisiç është një nga ata futbollistë tek të cilët do të mbështetet shumë trajneri Ante Cacic. Sulmuesi i Interit është i lumtur që do të mbajë veshur fanellën e përfaqësueses kroate në një eveniment kaq madhor siç është Euro 2016-të.
“Për mua personalisht fakti që do të luaj për kombëtaren kroate në një kompeticion të tillë do të thotë me të vërtetë shumë. Është një nder të mbaj veshur këtë fanellë diçka që e kam ëndërruar që fëmijë. Është një gjë speciale për mua dhe do të bëj më të mirën për të përfaqësuar denjësisht Kroacinë në ndeshjet që do të luaj në Europian”.
Kroacia bën pjesë në grupin D të Euro 2016, me skuadra të tilla si Turqia, Spanja dhe Republika çeke. Sfidën e parë ekipi i drejtuar nga Ante Cacic do ta ketë ndaj Turqisë së Fatih Terim në datën 12 qershor në Parc Des Princes dhe sipas Ivan Perisiç kjo do të jetë ndeshja më e rëndësishme për Kroacinë në fazën e grupeve.
“Turqia ka shumë lojtarë cilësorë. Ata janë një skuadër që luajnë gjithmonë me zemër, por ne përballë tyre do të japim maksimumin për ti mundur edhe për faktin se duam revansh për atë disfatë të pësuar në Euro 2008. Ndeshjen e dytë do ta kemi ndaj Republikës çeke në Saint Ettiene. Çekia në fakt ka ndryshuar shumë futbollistë gjatë viteve të fundit, por tashmë edhe pse janë një ekip i ri në moshë, ata janë përmirësuar ndjeshëm. Për Spanjën çfarë mund të them. Të gjithë i njohin kualitetet e mëdha që zotëron La Roja. Megjithatë ndaj Spanjës ne do të kemi ndeshjen e fundit në grup dhe ndoshta deri kur të vijë ai moment mund ta kemi siguruar kualifikimin, duke fituar dy takimet e para. Për ne ndeshja më e rëndësishme është ajo ndaj Turqisë”.