Djali shef kabineti në ministri, babai merr 23 tendera

Aksidenti i ndodhur në Kavajë ku humbën jetën dy fëmijë nxori në pah një skandal, i cili tashmë ka nisur të hetohet nga organi i akuzës. Bëhet fjalë për trafikndarësen e rrugës, e cila nuk ekzistonte në momentin e ndodhjes së aksidentit.
Kjo ka qenë edhe pjesë e debatit të mbrëmshëm në “Opinion”  u bë edhe biznesmeni Pilo Keri, i cili kërkoi të hynte në lidhje direkt. Gazetari Fatos Hakorja i ftuar në emision i tha biznesmenit se “dyshohet se ka konflikt interesi në punën tuaj si biznesmen, pasi djali juaj punon shef kabineti në Ministrinë e Transporteve. “Keni marrë 23 tendera”, i tha Hakorja, ndërsa biznesmeni përgjigjet: Pse nuk do punoj unë?
Hetimet ende s’kanë përfunduar, paraprakisht dyshohet se mungesa e trafikndarëses ka shkaktuar aksidentin tragjik. Ndërkaq, rezulton se firma “Pienvis”, e cila ka përfituar nga mungesa e trafikndarëses për shkak të pikës së karburantit, është edhe firma përfituese e një tenderi 300 milionësh për mirëmbajtjen e aksit rrugor Plepa-Rrogozhinë. Djali i pronarit të firmës “Pienvis”, ish-deputetit socialist Pilo Këri, Krislen Keri rezulton të jetë shef kabineti në Ministrinë e Transportit.
Një pjesë e debatit të mbrëmshëm në emisionin “Opinion” për përgjegjësinë e prishjes së mbrojtëseve të rrugës Plepa–Kavajë, ku humbën jetën 2 fëmijë të mitur u përqendrua dhe tek pronari i pikës së karburantit, njëkohesisht dhe fituesi i tenderit për mirëmbajtjen e rrugës, ish-deputetit socialist Pilo Keri.
Edhe pse u mundua të justifikojë vendimin, ndërhyrjen flagrante që është burim aksidentesh prej shumë kohësh, zoti Keri nuk arriti t’i përgjigjej pyetjes së gazetarit Fatos Hakorja, i ftuar në panelin e emisionit.
A është e rastësishme që pronari i pikës së karburantit është dhe fituesi i milionave për mirëmbajten (dhe njëkohësisht shkatërrimin e mbrojtjes së rrugës)?
Rastësi është që i biri i zotërisë tenderfitues Krislen Keri është shefi i kabinetit të ministrit të Transporteve, enti kryesor që e ka “furnizuar” me miliona tenderash?
Dhe në këtë vend ku tenderat janë burimi kryesor i milionave të korrupsionit, çfarë e mban ende në heshtje Krislen Kerin dhe bashkëpunëtorin e tij kryesor Edmond Haxhinasto?
Pse këta zotërinj heshtin përballë fakteve që dëshmojnë jo vetëm papërgjegjshmërinë, por dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë tyren në abuzime që sollen tragjedinë njerëzore?
E ndërsa Prokuroria ka nisur hetimin dhe ka bërë arrestime për ata që në të tilla raste konsiderohen “peshq të vegjël”, të gjithë e dinë mirë që “peshku qelbet nga koka”. E derisa drejtësia të mbërrijë deri atje duhet pak punë e shumë durim.
Më poshtë është lista e tenderave që kompania “Penvis”, me pronar Pilo Kerrin, babain e Krislen Kerrt, numrit 2 të Ministrisë së Transporteve ka fituar në një periudhë më pak se 2 vjet. Tenderat e Kerit kapin në tolal vlerën e 740 milionë lekëve të reja ose ndryshe 5.2 milionë euro.

Lista e tenderave të fituara nga Pilo Keri

1. 21 dhjetor 2015, Bashkia Sarandë, fitues “Pienvis.shpk” vlera: 276.292.007 lekë
2. 21 dhjetor 2015, Drejtoria e Rajonit Qendror Tiranë, fitues “Pienvis.shpk” vlera: 41.954.351 lekë
3. 27 tetor 2015, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, fitues “Pienvis.shpk” vlera: 5.700.000 lekë
4. 22 dhjetor 2014, Bashkia Sarandë, fitues “Pienvis shpk”, vlera: 19.178.000 lekë
5. Komuna Trebisht Bulqizë, fitues “Pienvis shpk”, vlera: 20. 605.000 lekë
6. 16 dhjetor 2015 Bashkia Vorë, rikonstruksion rrugësh, fitues “Pienvis shpk”, vlera: 83.226.000 lekë
7. 22 korrik 2015, Komuna Maqellarë, fitues “Pienvis shpk”, vlera: 18.950.000 lekë
8. 20 prill 2016, Bashkia Kuçovë, fitues “Pienvis shpk”, vlera 3.692.000 lekë
9. 16 shkurt 2015, Bashkia Lushnjë, fitues “Pienvis shpk”, vlera: 8.214.000 lekë
10. 10 dhjetor 2015, Ministria e Mbrotjes, reparti 3001, fitues “Pienvis shpk” vlera: 18.820.000 lekë
11. 29 dhjetor 2015, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, fitues “Pienvis shpk”, vlera: 14.300.000 lekë
12. 10 shkurt 2016, KESH sha, fitues “Pienvis shpk”, vlera: 80.698.000 lekë
13. 12 gusht 2015, OSSHE Berat, fitues “Pienvis shpk”, vlera: 10.420.000 lekë
14. 10 gusht 2015, OSSHE Berat, fitues “Pienvis shpk”, vlera: 9.838.000 lekë
15. 2 korrik 2015, Komuna Otllake Berat, fitues “Pienvis shpk”, vlera: 19.166.000 lekë
16. 2015, Porti i Durrësit, fitues “Pienvis shpk”, vlera: 13.212.000 lekë
17. 26 prill 2016, Bashkia Roskovec, fitues “Pienvis shpk”, vlera: 6.562.000 lekë
18. 11 shtator 2015, Spitali Rajonal Vlorë fitues “Pienvis shpk”, vlera: 14.036.000 lekë
19. 12 nëntor 2015, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor vlera: 50.764.000
20. Ministria e Zhvillimit Urban, fitues “Pienvis shpk”, vlera: 23.807.000 lekë

Kreu i autoritetit rrugor, skandali i moszbatimit të vendimit të gjykatës

Një shkresë zyrtare e dalë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, që mban emrin e titullarit të këtij institucioni Dashamir Xhika, zbulon autorin e skandalit të moszbatimit të vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit për vendosjen e parmakëve mbrojtës në rrugën Plepa – Rrogozhinë, që u bë shkak që aksidenti i 7 majit të përfundonte me 2 fëmijë të vdekur.
Me këtë dokument që mban datën 8 gusht 2014, Dashamir Xhika urdhëron firmën kontraktore “Salillari shpk” që të zbatojë vendimin e Gjykatës së Kavajës, i cili pezullon vendosjen e barrierës metalike të tipit H3 në hyrje dalje të karburantit, në pronësi të shoqërisë “Pienvis shpk”.
Por urdhëri i drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar bie në kundërshtim me vendimin e formës së prerë që Gjykata Administrative e Apelit kishte dhënë një muaj përpara se kjo shkresë të dilte nga zyra e tij.
Më 1 korrik të vitit 2014, Apeli, me kërkesë të vetë Autoritetit Rrugor Shqiptar, vendosi në favor të këtij institucioni për vendosjen e barrierave apo parmakëve mbrojtës në hyrje daljet e lëna për karburantin.
Por Dashamir Xhika, jo vetëm refuzon ta zbatojë vendimin e Gjykatës, por e fsheh atë dhe për të favorizuar një subjekt privat, në dëm të sigurisë rrugore, i referohet një vendimi të dhënë nga një Gjykatë tjetër 3 vjet më parë, në mars të vitit 2011, që e ka humbur fuqinë e tij pas shqyrtimit të çështjes në Apel.
Kjo shkresë e ngarkon drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar me përgjegjësi direkte për mosvendosjen e parmakëve metalikë mbrojtës në vendin ku më 7 maj vdiqën dy fëmijë, për shkak se hekuri i pjesës tjetër të parmakëve e përshkoi tejpërtej makinën ku ata udhëtonin dhe trupat e tyre, si dhe rrezikoi të vriste edhe nënën dhe vëllain e tyre 1 vjeç, ashtu siç i vrau ata.
Ai jo vetëm nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës që ishte në favor të rritjes së sigurisë rrugore, por e ka cënuar atë, duke urdhëruar firmën që kryente punimet që të mos i vendoste elementët e sigurisë, në kundështim të hapur me çfarë kishte vendosur Apeli.
Prokuroria e Kavajës që po e heton këtë rast dhe ka vënë në pranga deri tani 3 drejtorë të Autoritetit Rrugor Shqiptar, pritet ta përfshijë në dosjen e saj edhe këtë dokument zyrtar që mban emrin e Dashamir Xhikës, duke e ngushtuar lakun e hetimit rreth tij, si përgjegjësin kryesor të cënimit të sigurisë rrugore në vendin ku mosvendosja e parmakëve, vrau dy fëmijë të pafajshëm, siç thotë organi hetimor.
Për cenim me ndërgjegje të sigurisë së kësaj rruge, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar është kallëzuar penalisht edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.