Ançeloti: Finalja e 2005? Nuk e di çfarë ndodhi

Milan-Liverpool, finalja e Champions League në vitin 2005 që rezultoi një tragjedi e vërtetë për kuqezinjtë, vazhdon të përçojë emocione negative te trajneri Carlo Ançeloti. Ish-drejtuesi i stolit të Milanit rrëfen disa detaje që përshkruajnë saktësisht zemërimin e tij pas humbjes së trofeut në një nga ndeshjet më të çmendura të historisë së futbollit. “E ripashë atë ndeshje 11 vjet më parë, por vetëm pjesën e parë, pasi në të dytën theva televizorin”, thekson Carletto, skuadra e të cilit ishte në avantazhin e tre golave, por nga dhomat e zhveshjes doli e transformuar, duke pësuar tre gola dhe duke humbur në lotarinë e 11 metërshave. “Ka pasur shumë hipoteza rreth atij takimi dhe është e vërtetë që ishim shumë të gëzuar pas pjesës së parë, pasi luajtëm një ndeshje shumë të mirë, por duhet të them se ishim të përqendruar edhe për të luajtur në pjesën e dytë. Nuk festuam në dhomat e zhveshjes gjatë pushimit siç kanë thënë shumë njerëz. Fola me lojtarët për 3 apo 4 minuta dhe u kërkova që të qëndronin të fokusuar dhe të luanin si në pjesën e parë”, qartëson Ançeloti. Në vijim, ai shpjegon se çfarë ndodhi mes minutës së 9 dhe të 15.
“Unë e kisha të pamundur të ndryshoja diçka. Shumë njerëz më thonë se mund të ndryshoja diçka, por ishte e pamundur. Në rastin e golit të parë mendova: Çfarë po ndodh? Nuk kisha kohë të ndryshoja asgjë, sepse edhe goli i dytë erdhi shumë shpejt, ndërsa pak më vonë erdhi edhe i treti. Pasi skuadra rinisi të luante bëra disa ndryshime për të pasur në fushë lojtarë më të freskët por ishte e pamundur të bëja ndryshime në ato 6 minuta”, shton trajneri italian. Në fund, ai shprehet se paradoksalisht, ajo është finalja ku një skuadër e tij ka luajtur më mirë. “Krijuam shumë raste për të shënuar më shumë, por nuk ia dolëm mbanë. Në lotarinë e 11-metërshave lojtarët nuk ishin më të qartë, sepse nuk arrinin ta besonin që ndeshja nuk ishte mbyllur në kohë të rregullt. Për penalltitë nuk mund të stërvitesh. Nëse je i qetë mund të shënosh, nëse nuk je, atëherë nuk është e mundur”, përfundon Ançeloti dhe me siguri një lojtar si Schevcenko mund t’i japë të drejtë.