Ballina Politikë Show me aktivitetet/ Veliaj, 80 milionë lekë për një monitor 32 m2

Show me aktivitetet/ Veliaj, 80 milionë lekë për një monitor 32 m2

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vazhdon që të “fusë” duart në xhepat e qytetarëve. Pak muaj më parë, Bashkia miratoi rritjen e biletës së udhëtimit në urbanët e kryeqytetit, ndërsa shoqëritë private kanë filluar që t’u marrin lekë edhe fëmijëve mbi 6 vjeç. Bashkia ka rritur edhe taksat, si për biznesin ashtu edhe për qytetarët. Aktualisht, çdo familje në kryeqytet paguan 1700 lekë taksë pastrimi, 1000 lekë taksë mbi ndërtesën dhe 1500 lekë taksë e përkohshme për infrastrukturën arsimore. Këto taksa u shtuan në fund të vitit të kaluar, gjatë një mbledhje të Këshillit Bashkiak dhe duke qenë ditë festash, ato kaluan pa bujë. Më parë, bashkia ka bërë disa shpenzime luksi, siç është edhe tenderi i biletave të avionit, ku institucioni i drejtuar nga Veliaj ka shpenzuar 117 milionë lekë. “Bold News” ka siguruar disa dokumente të tjera, që flasin për shpenzimet e luksit të Erion Veliajt. Sipas tyre, për të bërë shou me aktivitetet, kryetari i Bashkisë së Tiranës, do të shpenzojë plot 80 milionë lekë të vjetra. Pak ditë më parë, bashkia ka hapur një procedurë të hapur me objekt “aktivitete të ndryshme për Bashkinë e Tiranës për vitin 2016”. “Fondi limit është 8.048.581 lekë pa TVSH. Burimi i financimit janë të ardhurat e vëna në dispozicion nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës me anë të VKB nr. 58, datë 30.12.2015 për ‘miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2016-2018 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2016’. Afati për kryerjen e shërbimit do të kryhet duke nisur nga data e lidhjes së kontratës deri në datë 31 dhjetor 2016”, thuhet në dokumentet që ka siguruar “Bold News”. Në një tjetër dokument, thuhet se Bashkia do të marrë pikërisht një ekran LED 32 m2 indoor-outdoor me rezolucion minimalisht P. 6mm. “Pllakat e Led të jenë me përmasa 100 cm x 100 cm. Konsumi i një pllake Led mos t’i kalojë 700 W, procesore video me hyrje dvi, vga dhe usb, mediaserver me të paktën 20 layer full hd 1080p, hyrje dalje video të paktën 1 hd. Mikrofona valor dore, sinjali i transmetimit të mikrofonit të inkriptohet me minimalisht 128 bit AES. Mikrofonat të punojnë në frekuencën 2.4 GHz. Bokse me fuqi minimale 1000 Ë secili, mbulimi 90 gradë horizontalisht dhe 60 gradë vertikalisht. Të ketë podium me përmasa sipas preventivit me lartësi 30 cm nga toka. Të ketë tapet me ngjyrë specifike për të mbuluar stage ose dyshemenë e zhvillimit të eventit. Pajisja të ketë kabinë përkthimi me hapësirë për dy përkthyes profesionistë”, thuhet në specifikimet teknike.

Exit mobile version