Përgjimet, kërkesë Parlamentit italian për të nisur hetimet

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka deklaron se shumë shpejt një kërkesë zyrtare do t’i drejtohet Parlamentit italian për të nisur hetimet në lidhje me skandalin e pajisjes së përgjimit. Në një intervistë për “Report TV”, deputeti demokrat bën të ditur se PD është e vendosur për të çuar deri në fund zbardhjen e kësaj çështjeje. “Sot jemi më të bindur për të zbardhur këtë çështje, është skandali më i madh që ka ndodhur ndonjëherë. Është futur një pajisje në mënyrë të paligjshme, e përdor edhe për trajnim, për përgjim, qoftë edhe për trajnim të e-mail është e paligjshme. Ligji e cilëson në mënyrë taksative që Prokuroria është e vetmja përgjegjëse”, tha Noka. I pyetur se a do të kërkohet nga Parlamenti italian nisja e një hetimi mbi këtë çështje, ai tha: “Patjetër që po, do të bëjmë kërkesën. Në rastin që ministri dhe drejtori donin të bënin një krim çfarë e shtynte Grillon t’i mbronte ato? Çfarë lidhje ka me ta? Mbetet në kuadrin e pyetjes”. Deputeti demokrat thotë se për këtë skandal, për të cilin është cenuar siguria kombëtare, duhet të ishin prapa hekurave përgjegjësit e një veprimi të tillë. Noka tha gjithashtu se Prokuroria është penguar në hetim sa kohë nuk i është vënë në dispozicion pajisja e përgjimit.

– Z. Noka, gjatë javës së kaluar, vendosët në qendër të opinionit publik thirrjen tuaj ndaj ministrit Tahiri, prokurorit të Përgjithshëm për përgjimin. Pas hetimit, a mendoni se e gjithë ajo që ngritët si opozitë ishte një stuhi në gotë?
Sot jemi më të bindur për të zbardhur këtë çështje, është skandali më i madh që ka ndodhur ndonjëherë. Është futur një pajisje në mënyrë të paligjshme, e përdor edhe për trajnim, për përgjim, qoftë edhe për trajnim të e-mail është e paligjshme. Ligji e cilëson në mënyrë taksative që Prokuroria është e vetmja përgjegjëse.

– Në bazë të Konventës së Vjenës, që parashikon të drejtat e trupit diplomatik mund të kalohet në doganë pa u deklaruar?
Nuk ka konventë që lejon kalimin e pajisjeve përgjuese në vend. Kështu që dikush duhet të mbajë përgjegjësi dhe të shkojë pas hekurave. Drejtori i policisë e tha live që nuk ka lidhje me këtë pajisje, ministri tha që ka një pajisje që kontrollon e-mail-e. Është shkelur rëndë ligji, është rrezikuar siguria në vend.

– Në kohën kur ishit ministër i Brendshëm a trajnoheshin policët?
Në kohën që kam qenë unë janë trajnuar gjithmonë, por jo për çështje përgjimi, janë trajnuar për kapacitete, për kapjen e kriminelëve, për qitje, disa lloje stërvitjesh, por nuk ka pasur kurrë për çështje përgjimi.

– Si drejtori, si ministri, ju deklaruan se pajisja që zotëron Interforca italiane nuk disponon soft përgjimi, por gjurmimi?
Emsy catcher është një pajisje super moderne, soft-i mund të përshtatet si të duash. Nuk është ndonjë shkencë e madhe. Po ju them me siguri është përgjuar, të gjithë janë përgjuar. Në një shtet normal, përgjegjësit shkojnë përpara drejtësisë. Ky diskutim kërkon përgjegjësin.

– Ju përmendët Watergate, por në Watergate u gjendën pajisje?
Ata kishin metoda të vjetër dhe u gjendën, edhe sot është gjetur pajisja. Pse nuk u dorëzua pajisja?

– Ju thoni që Prokuroria është bllokuar gjatë hetimit?
Prokuroria është penguar gjatë hetimit duke mos iu dorëzuar pajisja.

– Si mund të dorëzojë pajisje policia, diçka që nuk e ka, pajisja zotërohet nga italianët?
A mund të na ofronte dikush një dokument që të na tregonte që kjo zotërohet nga të tjerët? Ajo është futur në mënyrë ilegale. Drejtori i policisë duhet të shkojë në burg për mosdorëzimin e pajisjes.

– Ju e pyetët prokurorin e Përgjithshëm gjatë hetimit dhe ai e mohoi se ka pengim nga policia?
Unë i besoj medias, për sa kohë që media thotë që Prokuroria ka çuar dy oficerë tek drejtori i Përgjithshëm dhe ai ka refuzuar të dorëzojë pajisjen. Ai ka gënjyer për ekzistencën e saj.

– Ku ndodhet pajisja?
Pajisja ka qenë deri ditën e enjte nën menaxhimin e Ministrisë së Brendshme, më pas është kaluar tek Interforca. Sot është atje. Tani a mund të jetë përfshirë oficeri i Interforcës, kemi të dhëna për këtë.

– Çfarë interesi ka shefi i Interforcës italiane për të përgjuar opozitën shqiptare?
Unë nuk thashë që po përgjon, por mendoj se çfarë e lidh këtë zotëri me ministrin Tahiri dhe me Çakon. Çfarë kishte këtu për të fshehur? Ne nuk po e akuzojmë, por po ngremë një pikëpyetje. Çfarë e shtyn që të fshehë krimin e Tahirit dhe Çakos?

– Ai u thirr dhe nga Presidenti, çfarë informacione keni?
Unë nuk kam informacion, këto janë çështje që i përkasin Presidentit. Unë kam vetëm një shqetësim, çfarë e shtyu Grillon t’i dilte në mbrojtje Tahirit dhe Çakos?

– Kishim një lloj përplasje, rasti i Visho Ajazi nuk informon direkt Kryeministrin, por informon Presidentin?
Nuk është kështu siç thoni ju, ky është skenar i gatuar në kuzhinën e qeverisë për t’ju servirur publikut. Shefi i Shërbimit pasi ka marrë informacionin, do të informonte prokurorin e Përgjithshëm. Do të thoni ju pse nuk e informoi Kryeministrin? Këtë e ka pasur për detyrë drejtori i Përgjithshëm të informojë për pajisjen e përgjimit. Presidenti me burime të tij është njoftuar për këtë çështje dhe më pas ka thirrur kreun e Shërbimit, por mund ta bënte këtë gjë edhe Kryeministri, por nuk e bënte se ishte pala.

– Në mënyrë institucionale, shefi i Shërbimit pse nuk njofton Kryeministrin për përgjimin e prezumuar?
Shefi i Shërbimit nuk ka njoftuar për përgjim. Ai ka njoftuar për informacione për ekzistencën e një pajisjeje të mundshme përgjimi në territorin e Shqipërisë. Kjo është detyra e tij. Por duhet thërritur për informacione të mëtejshme.

– Çfarë mendoni se do të ndodhë më tej?
Duhet zbuluar e vërteta, por që të zbulohet e vërteta duhet të dorëhiqen ministri Tahiri dhe drejtori Çako. Të zbardhet historia, sepse ata do të pengojnë hetimit.

– Do të bëni konkluzione ju?
Ne i bëmë konkluzionet, pajisja është pajisje përgjimi. Ajo është përdorur në kundërshtim me ligjin. Ajo është fshehur në momentin që Prokuroria e ka kërkuar. Fshehja është shkelje e ligjit që bie mbi Çakon dhe Tahirin. Ne do të bëjmë çmos që të zbardhim këtë skandal.

– Do të kërkoni një hetim edhe nga Parlamenti italian?
Patjetër që po, do të bëjmë kërkesën. Në rastin që ministri dhe drejtori donin të bënin një krim çfarë e shtynte Grillon t’i mbronte ato? Çfarë lidhje ka me ta? Mbetet në kuadrin e pyetjes.

– Pse këmbëngulni kaq shumë tek lufta e hashashit, kur ata mendojnë se shifra e kapur e hashashit është sasia më e madhe e kapur ndonjëherë?
Kjo është e vërtetë, sepse është gjelbëruar çdo cep i Shqipërisë. Kudo ka hashash, një rast i fundit është në Dibër. Është 5-fishuar mbjellja e hashashit, është rrënjë vietnameze që rritet shpejt.

– Ka nisur Interforca të fotografojë?
Jo nuk ka nisur, duhet të vijnë më shpejt. Qeveria duhet t’i kërkojë të vijë sepse po të vijnë në korrik nuk do të gjejnë asgjë sepse është korrur. Jemi bërë gazi i botës. Jemi kthyer në kohën 2000 që shqiptarët kanë filluar të kryqëzohen si banditë, kriminelë që e mbushin Europën me drogë. Sivjet të gjitha bandat paguajnë 30% tek ministri të Brendshëm.

Marrë me shkurtime nga “Reprot TV”