Ngjashmëri tragjike

Frrok ÇUPI

Cili i ngjan tjetrit?…
Njëri prej tyre është kapur në trafik droge dhe është burgosur në Itali; ndërsa tjetri është kapur në trafik njerëzish dhe është burgosur në Itali apo diku gjetkë. Njëri është kryetar bashkie edhe tjetri po kryetar bashkie… Pastaj…, njëri është deputet në Kuvend dhe tjetri po deputet në Kuvend…
Deri këtu nuk e kemi zbuluar akoma se cili i ngjan tjetrit; i pari i ngjan të dytit apo i dyti të parit. Aaa!… Këtë e zbulojmë pasi të orientojmë drejtimin se nga vjen ngjashmëria. Po të bëjmë analizën se sa shumë ngjashmëri ka mes përdoruesve të drogës; mes trafikantëve të drogës; mes abuzuesve me femrat, etj., brenda qeverisjes së Rilindjes, vetëm atëherë mund të rëndisim referencat e ngjashmërisë. Për shembull, nuk mund të themi se “Rama i ngjan Shukriut të Dibrës”, edhe pse të dy janë kapur në shpërdorim femrash. Rama ishte kapur vite më parë, Shukriu-kohët e fundit. Tregonin se Rama e nxirrte femrën në mes të natës te shkallët e pallatit.  Natyrshëm thuhet se, “Shukriu i ngjan Ramës”. Jo veç pse Edi Rama (kryeministër) është shfaqur shumë shpejt publikisht i zhveshur ose “nudo”, njësoj si Shukriu u shfaq aksidentalisht në një video. Jo, nuk është afati kohor. Është drejtimi që funksionon në prezantimin e ngjashmërive, sipas Kurt Hahn-një filozof gjerman i kohëve tona, i cili iu dedikua filozofisë së edukimit.
A mund të themi se “kasapi i ngjan kirurgut”?. Jo, sigurisht. Por mund të themi, dhe përsërisim rëndom, se “Iks kirurg është si kasap”. Në të dyja rastet kemi “kasap” dhe “kirurg”, por drejtimi i ngjashmërisë përcakton linjën dhe prezantimin. Siç, normalisht, nuk mund të themi se, “Rama i ngjan Roshit të Kavajës”. Jo, Roshi i ngjan Ramës. Ky është drejtimi, edhe pse të njëjtën gjë po themi.
Disa nga kryetarët e bashkive, për të cilët Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara po kërkon që të largohen nga posti për shkak të inkriminimit, jo veç kanë transportuar, por edhe kanë përdorur lëndë narkotike. Ky i Krujës e ka fytyrën tipike të një narkomani. Edhe për Edi Ramën është thënë hapur se e kanë gjetur në zyrë, duke përdorur kokainë. Madje e kanë deklaruar publikisht zyrtarë shumë të lartë të shtetit, aleatë të Ramës.
Megjithatë nuk mund të thuash se Rama është si Bushi. Jo! Bushi i ngjan Ramës, edhe në këtë pikë.
As pse, njësoj, kanë ndryshuar emrat për shkak se donin të fshihnin vepra kriminale; as në këtë rast kryeministri nuk i ngjan atij të Bashkisë; ngjet e kundërta. Në këtë rast thuhet se Ervis Roshi ka ndryshuar emrin njësoj si Edvin Rama. Pastaj kryetari i Bashkisë Kurbin e ka bërë këtë gjë katër herë; sot është me katër emra false. Kryetari i Bashkisë së Krujës ka ndryshuar emrin gjithashtu. Por megjithatë mund të thuhet se këta kanë bërë si Rama, jo Rama si këta…
Drejtimi, i elaboruar filozofikisht nga Hahn, në rastin tonë është përcaktuar për shkak se cili mban pozitën më të lartë në shtet dhe cili mban pozitën më të ulët se sa më e larta. Në qoftë se nuk do të vinte në pushtet Edi Rama, natyrisht nuk do të kishte trafikantë dhe kriminelë në Kuvend apo nëpër bashki. Këtë e ka thënë hapur në mes të Kuvendit deputeti socialist, Blushi. Ai iu drejtua kryeministrit duke i thënë se, “ti qeveris me kriminelë dhe me llumin e Shqipërisë”.
Sikur kjo çështje, dmth., çështja e ngjashmërive, të shtrohej për debat në Kuvendin e Shqipërisë, ose në ndonjë tribunë me vlerë, kam frikë se do ta kalonin lehtë. Do ta kalonin lehtë, dmth., si një gjë që “nuk ka shumë peshë politike mes të ngjashmëve!”. Sa gabim është të mendosh kështu! Të mendosh kështu do të thotë të të kalojë bualli para hundëve dhe ti të mos e veshë re.
Se po e shtrojmë çështjen shumë konkretisht, pa ngarkesë tjetër, veçse studimore. Për shembull, pse ministri i Brendshëm, Tahiri, i lëviz duart dhe i ndanë rrokjet njësoj si Edi Rama. Ose pse fryhet si Edi Rama!? Apo kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, pse i tund të pasmet njësoj si Edi Rama? Apo pse është arrogant si Edi Rama!? Këta njerëz që nuk do ta pranonin prezantimin e ngjashmërive si një çështje kruciale në vlerësimin e qeveritarëve, këta mund të mbroheshin kështu: “Po si ore, kryeministri iu thënka këtyre si të lëvizin?”. “Edi Rama e mësoi Shukriun e Dibrës të poshtëronte femrën?”. Apo “vallë, Rama iu tha atyre në Shkodër që të ushtronin pedofilinë?”. Apo, “vallë, Rama iu tha këtyre të bashkive që të bënin krime në Itali?”.
Po të shtrohen pyetjet kështu, së prapthi, vërtet duket si një gjë e pakuptueshme.
Por, jo! Gjithë bota e qytetëruar i ka vënë në radhë ngjashmëritë dhe prezantimin e tyre. Jo veç i ka vënë në radhë, por edhe iu kushton vëmendjen më të madhe ngjashmërive. Nuk ka asnjë vend të botës ku kryeministri të jetë kapur si përdorues droge, ose ministri i Brendshëm, po kështu! Jo! Asnjë popull në botë nuk e pranon këtë. Sepse nuk e vë veten në duar kaq të pasigurta sa në duar të një narkomani. Ta zëmë se në Tiranë do të kishim “butonin e kuq” nuklear!
Bota e qytetëruar, para së gjithash, merr në konsideratë ngjashmëritë. Sepse kur kryeministri ka një ves (ose njëqind vese), po të tjerët poshtë tij?…
Të tjerët poshtë atij që ka vesin, çfarë bëjnë?
Këta poshtë, së pari zgjidhen nga ai lart; zgjidhet kush ka të njëjtin ves. Ai lart i zgjedh sipas ngjashmërisë me veten. Aq më tepër në një qeveri autokratike si kjo këtu.
E dyta, edhe kur ndonjëri i ka shpëtuar zgjedhjes nga ai lart, nis e bën si ai lart. Në qoftë se ai lart i ka dhunuar gratë e veta, edhe ky poshtë emëron në punë femra për interesa të dobëta. Sikur ai lart të ketë përdorur narkotikë, këta poshtë kultivojnë drogë dhe e transportojnë drogën me avionë e me kafshë jashtë shtetit.
Guximi drejt të keqes nis me ngjashmëritë.
Do të më dukej çudia më e madhe sikur kjo të mos pranohej. Përderisa bota e qytetëruar e ka pranuar, e ka studiuar dhe e ka kujdesur prej shumë kohësh, pse këtu nuk e venë re?!
Bota e qytetëruar dhe filozofia e saj kanë pranuar se ngjashmëritë nuk janë psikologjikisht të pavarura; përkundrazi varen te njëra-tjetra. Ngjashmëritë krijojnë disa pika dhe tërheqin njëra- tjetrën mentalisht e psikologjikisht, pavarësisht nga distanca në kohë ose në gjeografi. Siç ndodhi me gjithë piramidën e ngjashmërive negative në qeverisjen Rilindase.
Atëherë nuk duhet lejuar që të zgjidhet një njëri me vese. Kaq. Se pastaj i ngjajnë të tjerët; i ngjajnë o si dhunues grashë e fëmijësh, o si perversë, o si dashnorë droge, o si arrogantë…
Atëherë ngjashmëritë bëhen tragjike.