Mbi 90 viktima në katër muaj, rritje e frikshme e aksidenteve

Më shumë se 90 persona kanë humbur jetën në aksidentet rrugore në mbarë vendin gjatë katër muajve të parë të këtij viti. Sipas ekspertëve, trendi në rritje është i frikshëm, duke pasur parasysh se ende nuk ka nisur sezoni turistik, që përkon me fluksin e kthimit të emigrantëve. Në të gjithë akset në Shqipëri, autoritetet kanë konstatuar 144 “njolla të zeza”, ku sipas specialistëve, policia duhet të riorganizojë shërbimet për të parandaluar aksidentet fatale.
Në krahasim me tre vjet më parë numri i aksidenteve është rritur me 50 për qind. Në tremujorin e parë të këtij viti kanë ndodhur më shumë aksidente në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga të dhënat konstatohet gjithashtu se rritje të ndjeshme ka pasur edhe numri i personave të plagosur që janë rreth 723 persona, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ky numër është rritur 30,4%.
“Policia Rrugore duhet të bëjë përditësimin e shërbimeve qoftë në pikat e zeza dhe plan-veprimet e tyre, qoftë edhe me një kosto më të lartë me lëvizje patrulluese në pikat ‘hotspot’-e në vijueshmëri. Kjo do të sillte faktikisht edhe lëvizjen e trafikut, dhe shkelje më të vogla të përdoruesve të rrugës, shkelje të Kodit Rrugor. Në këtë këndvështrim do të ulej elementi më i rrezikshëm në vendin tonë, shpejtësia”, tha Artur Sulçe, ekspert i Sigurisë Rrugore.
Aksidentet e rënda të javëve të fundit kanë shkaktuar një luftë në distancë mes Ministrisë së Transporteve dhe Policisë Rrugore sa i takon përgjegjësive. Megjithatë, për ekspertët është e nevojshme që për situatën e krijuar të mblidhet edhe komiteti ndërministror për sigurinë rrugore për t’u shpenzuar kryesisht për infrastrukturën, numri i aksidenteve rrugore ka ardhur në rritje.
Para dy javësh ndodhi një aksident tragjik në Kavajë ku si pasojë e përplasjes së një makine humbën jetën dy fëmijë të mitur. Specialistët bënë të ditur se ky aksident do të ishte parandaluar nëse do të ishin vendosur mbrojtëset metalike në autostradë. Edhe Prokuroria e Kavajës që po  heton çështjen dyshon se shkak i aksidentit në Kavajë ku humbën jetën dy fëmijë është shkaktuar për shkak të mos vendosjes së mbrojtëseve metalike anës së rrugës.
Mbrojtëset metalike nuk ishin vendosur për të favorizuar një kompani të një zyrtari të lartë në Ministrinë e Transporteve që kishte ndërtuar një pikë karburanti. Dy kalime nga autostrada Plepa-Golem në rrugën dytësore në krah të djathtë janë lënë qëllimisht për të favorizuar këtë pikë karburanti. Prokurorët që po mbledhin të gjitha provat dhe shkresat zyrtare mbi sigurinë e kësaj rruge, dyshojnë se kjo ka qenë arsyeja që Autoriteti Rrugor Shqiptar e ka marrë në dorëzim rrugën edhe pse ishte cënuar një element i rëndësishem i sigurisë rrugore. Për këtë arsye, Autoriteti Rrugor Shqiptar është institucioni që po hetohet për këtë rast.
Mbrojtësja metalike, sipas Prokurorisë së Kavajës, nuk duhet të ishte e ndërprerë në asnjë rast, në një rrugë ku shpejtësia maksimale e lejuar është 100 kilometër në orë. Por edhe sinjalistika në lidhje me shpejtësinë po hetohet. Vetëm në vendin ku mbrojtësja nuk është vendosur, shpejtësia është 60 kilometër në orë. Dhe ky nuk është rasti i vetëm mbi të cilin Prokuroria po heton drejtuesit e Autoritetit Rrugor.

R.POLISI