Kombëtarja në ditën e dytë të stërvitjes

Humor dhe batuta mes lojtarëve, por mbi të gjitha shumë punë taktike. Dita e dytë e përgatitjes së Kombëtares në “Bad Waltersdorf” nisi me një risi. Peshim, matje e tensionit dhe check up i përgjithshëm për futbollistët, me 20 kuqezinjtë që janë në gjendje optimale fizike. Puna vazhdoi me stërvitje shkrydhëse në palestër, në drejtimin e përgatitësit fizik, Alberto Belle. Më pas skuadra hëngri mëngjesin dhe në orën 10:00 të paradites zhvilloi seancën e parë stërvitore në fushë. Përgatitjet, që u karakterizuan nga rreshjet e shiut, nisën me ushtrime nxehje me top, ndërsa futbollistët u ndanë në grupe.
Ushtrime taktike, duke simuluar situata të mirëfillta loje, ku mbrojtësit ishin përballë mesfushorëve dhe sulmuesve. Gjithçka e drejtuar dhe e orientuar nga zv/.trajneri kuqezi, Paolo Tramezzani, që ka hartuar edhe planin e ndarjes së ngarkesës së punës për Kombëtaren. Trajneri Gianni De Biasi u pozicionua mbi kodrën prapa portës, për të vëzhguar më mirë fazat e stërvitjes dhe orientimin e lojtarëve në fushë, nga manovrat e sulmuesve e mbi të gjitha reagimin e mbrojtësve.
Në grumbullimin në Austri, Kombëtares iu bashkua edhe Ledian Memushaj, që u paraqit në rezidencën e skuadrës gjatë mbrëmjes së të hënës. Pas sezonit fantastik te Pescara, me skuadrën që do të luajë në fazën play off për një biletë në Serinë A, Memushaj shfaqi klasin e jashtëzakonshëm prej momentit të parë kur preku topin, duke realizuar një gol të shkëlqyer.
Në situatat e improvizuara të lojës, me duele të forta dhe të vërteta nuk mungoi as një përplasje ndërmjet Andi Lilës me Mërgim Mavrajn, që fatmirësisht kaloi pa pasoja. Lojtari i Pas Janinës ishte protagonist i një driblimi të shkëlqyer përballë Ajetit, ashtu si edhe Herolind Shala. Stërvitja taktike kaloi në situatën me dy sulmues kundër një mbrojtësi, e ndërsa rreshjet e shiut përfunduan, puna e repartit difensiv u lehtësua në duelet e barabarta në numër. Për herë të parë në histori, stërvitja e Kombëtares shqiptare u transmetua direkt në Supersport. Një traditë që do të vazhdojë gjatë përgatitjeve në Austri dhe gjatë aventurës së kuqezinjve në Euro 2016.
Dita e parë e stërvitjes së kuqezinjve në Austri pati jo pak momente të veçanta për Kombëtaren, që e nisi në mënyrën e duhur këtë fazë përgatitore. Për këtë u kujdes në veçanti trajneri Gianni De Biasi, që mori gjithçka vetë përsipër madje dhe në vendosjen e pajisjeve stërvitore në fushë, dhe pse në fakt punën e rëndë ja la pjesës tjetër të stafit, pasi lojtarët ishin të angazhuar me një shkrydhje në stil belly-dancing.
Sokol Cikalleshi ishte më i mirë në ditën e parë teksa shënoi 3 gola në ndeshjen e kontrollit të kuqezinjve. Forma e sulmuesit të Basaksehir zilepsi Roshin që qëndroi më gjatë se të tjerët në stërvitje nën shoqërinë e Tramezzanit. Pati disa probleme të vogla për Arlind Ajetin, por që për fat kaloi pa pasoja dhe lojtari u rikthye shpejt në fushë, ndërsa jo pak punë në stërvitje kishin dhe portierët që ju përgjigjën mirë kërkesave të Bozhiqit. De Biasi vazhdimisht u pa të mbante shënime, përmbajtjen e së cilave nuk e mësuan dot as lojtarët e tij.