Katër emrat dhe nofka “Piccolino” e kryebashkiakut të Kurbinit

Kryebashkiaku i Kurbinit thotë në formularin e dekriminalizimit se në të kaluarën ai ka përdorur edhe katër emra të tjerë. Çuditërisht, kryebashkiaku i mbante mend të gjithë emrat dhe mbiemrat e tjerë që ai ka përdorur në të shkuarën e tij. Ai ka qenë edhe Gentian Lila, ka qenë edhe Altin Tanushi, si dhe Gent Bushi. Ndërsa Bardhi i deklaron të gjithë këto emra në formular, ai nuk shpjegon se përse i është dashur kaq shumë herë të ndryshojë emrin.
Ai thotë se nuk është dënuar asnjëherë nga një autoritet gjyqësor i vendit apo i huaj. Ai po ashtu thotë se është i pastër pasi asnjëherë më parë nuk është dënuar edhe me një vendim jo përfundimtar nga ndonjë autoritet gjyqësor i huaj për një çështje penale të pazgjidhur me vendim të formës së prerë. Kryebashkiaku me katër emra po ashtu thotë se asnjëherë nuk ka qenë nën hetim nga ndonjë autoritet i vendit apo i huaj. Po sipas formularit ndaj tij nuk është caktuar asnjëherë më parë ndonjë masë shtrënguese e sigurisë personale.
Duke lexuar këtë formular të plotësuar nga Artur Bardhi mund të arrish në konkluzionin se ai është një “çun flori” dhe mbetet vetëm të urohet Rama se ku e gjeti një kandidat të tillë, që edhe pse nuk kishte kandidat rival në zgjedhje ai sërish i mbushi kutitë, kjo edhe e filmuar.
E shkuara e Bardhit në fakt është krejt ndryshe nga ajo që ai paraqet në formularin e dekriminalizimit. Kjo i mbetet autoriteteve përkatëse për ta provuar, por për t’i ndihmuar ato po japim disa të dhëna të vogla që me ndihmën e gjurmëve të gishtërinjve të tij, të mund të adresohet në institucionet kompetente ligjore të vendeve të BE për t’i verifikuar.
Bardhi është një kandidaturë e mundshme për t’u ndëshkuar nga penalitetet e ligjit kur ata gënjejnë për të shkuarën e tyre. Kjo do të bëhet ndonëse mund të kërkojë pak kohë, si dhe përkushtim në punën e Prokurorisë.

Nofka “Piccolino”

Përveç katër emrave që ka deklaruar, Bardhi ka harruar edhe një detaj të vogël, i cili natyrisht që nuk është një normë ligjore në formularin e dekriminalizimit. Bardhi nuk kishte si të shtonte aty edhe nofkën “Piccolino” ose e përkthyer në shqip “Vogëlushi”. Kjo nofkë i është vënë atij gjatë kohës që kryente trafikun e drogës. Për shkak të shtatit të tij të shkurtër dhe fytyrës së njomë, anëtarët e organizatës në të cilën ai vepronte menduan që ta thërrisnin “Vogëlushi” ose “Piccolino”.
Duhet evidentuar se cili ka qenë roli i tij, aktiviteti i tij në trafikun e drogës nga vitit 1997 deri në vitin 2005? Të dhënat flasin edhe për një dënim me burg të tij në Zvicër në vitin 1997. Mbetet për t’u zbardhur aktiviteti i tij përgjatë viteve 2000-2005 dhe lëvizjet që ai ka kryer.
Detaje të tjera rreth “Vogëlushit” mund të dalin gjatë hetimeve sikurse mund të provohen edhe vepra të tjera të rënda penale. Prokuroria duhet të verifikojë raportet italiane të viteve 1993-1994 në Itali për trafikun e prostitucionit.
Sikurse organet e zbatimit të ligjit duhet të rihapin hetimet për një sërë ngjarjesh të rënda që kanë ndodhur në Shqipëri dhe t’i japin përgjigje pyetjes, a ka qenë pjesë e grabitjes së bankës së Laçit në vitin 1996-1997 “Piccolino”?
A ka qenë Bardhi pjesë e grupit të organizimit të marrjes peng të shefit të Komisariatit të Laçit në vitin 2000? Cila është e vërteta e një hoteli që ai ka ndërtuar në një nga rrugët kryesore të Tiranës dhe me çfarë të adhurash e ka ndërtuar atë?
Dekriminalizimi është një betejë, të cilës do t’i shkohet deri në fund jo vetëm nga opozita dhe aleanca e saj me qytetarët për një Shqipëri pa krim, por edhe nga institucionet e pakapura në këtë vend dhe këtu detyra kryesore i bie Prokurorisë.

Enton DOCI