Hetimi, vrasja e Elton Çiços për trafikun e drogës drejt Greqisë

Vrasja e Elton Çiços në zonën e ish-Bllokut në Tiranë është kryer për trafikun e drogës drejt Greqisë. Grupi hetimor i Prokurorisë që po punon për zbardhjen e vrasjes së Elton Çiços, ka braktisur përfundimisht pistën që e lidh atentatin me konfliktin e grabitjes së banesës së prindërve të tij në Tepelenë. Një fakt i tillë është konfirmuar nga burime të grupit të hetimit.
Sipas hetuesve, nga verifikimi i informacioneve, analizimi i të dhënave që kanë të bëjnë me lëvizjen e personave të dyshuar apo me alibitë e tyre si dhe nga fakte të tjera, është konfirmuar së paku deri më tani, se vrasja e Elton Çiços nuk është e lidhur me serialin e hakmarrjes për grabitjen e banesës së prindërve të tij në Tepelenë.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, pista kryesore e hetimit është ajo e konflikteve që lidhen me trafikun e drogës drejt Greqisë. Në këtë pistë, sipas burimeve, po verifikohen disa konflikte. Elton Çiço, 36 vjeç nga Tepelena, banues në Tiranë, u ekzekutua me pistoletë me mulli, mbrëmjen e 1 majit të këtij viti në ambientet e një lokali në zonën e ish-Bllokut në rrugën “Gjin Bue Shpata” në kryeqytet. Tri ditë pas vrasjes, policia arrestoi me urdhër të Prokurorisë, Redian Rrajën me profesion mjek, si dhe Alban Trimin, oficer i Komisariatit të Policisë Nr.5 në Kamëz, ish-shefi i Antidrogës në kryeqytet.
Të dy këta persona, sipas Prokurorisë, kanë fshehur një armë dhe telefonin celular të Elton Çiços, që ai dyshohet se i kishte në një çantë që kishte me vete. Prokuroria dyshon se në trafikun e drogës është përfshirë edhe oficeri i policisë, Alban Trimi. Dyshohet se arma e viktimës mund t’i përkasë një punonjësi policie ndaj dhe është fshehur nga oficeri Trimi. Po ashtu, ka dyshime se në telefonin e viktimës ka patur biseda telefonike edhe me eksponentë të policisë për pazaret e trafikut të drogës.
Nga hetimet e Prokurorisë rezultoi se, pas vrasjes së Çiços në vendngjarje nuk është gjetur pistoleta dhe aparati celular i përdorur nga viktima. Dy sendet i ka marrë polici Alban Trimi, punonjës policie, i cili është larguar më pas nga lokali. Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se, Alban Trimi nuk gjendej në territorin e DVP Tiranë, por ishte larguar për në Tepelenë prej nga ku do të kthehej pas varrimit të viktimës. Kjo tregon se prania e policit me Çiçon nuk ka qenë rastësore, por kishin miqësi me njëri-tjetrin.
Sipas Prokurorisë, nga këqyrja e videos rezulton se, “një nga personat e ulur në tavolinë me të quajturin Alban Trimi dhe personin mbi të cilin u qëllua me armë zjarri pistoletë, kthehet tek tavolina ku ishin ulur para se të qëllohej me armë dhe nga çanta që është në krah të djathtë të personit që u qëllua merr një send në formën e pistoletës dhe del nga dera sipër së cilës duket se është vënë kamera regjistruese ku më parë doli edhe shtetasi Alban Trimi.
Pastaj kthehet sërish tek vendi ku ka mbetur gjysmë i shtrirë mbi divan shoku i tyre i qëlluar me armë zjarri, ulet në anën e tij të majtë, ku më parë ishte ulur shtetasi Alban Trimi dhe ndërkohë duket se në duar para, mbi prehër, mban ende sendin si pistoletë, të cilin më pas e lë diku në krahun e tij të majtë në një vend, ku këndi i fokusimit të kamerës nuk regjistron. Pastaj e kap me të dy duart shokun e tij të qëlluar me armë zjarri dhe mundohet ta ulë në dysheme, por nuk ja arrin dot i vetëm dhe në ndihmë i shkon shtetasi Alban Trimi. Pasi ka marrë pistoletën dhe telefonin e viktimës, Trimi është larguar nga lokali. Sa i përket identifikimit të autorit të mundshëm të krimit, deri më tani nuk ka ndonjë person të dyshuar apo të identifikuar.

R.POLISI