Drejtësia dhe zgjedhjet në rastin e Shqipërisë

Ndërsa mediat gëlojnë me lista, informacione, formularë të kriminelëve të përzgjedhur nga Kryeministri Edi Rama për të kontrolluar pushtetin në vend, skandalet korruptive dhe kriminale të kësaj mazhorance nuk kanë të sosur. Drogë, tendera, krim dhe korrupsion janë përditshmëria e aktiviteteve të kësaj qeverie. Kaq shumë janë skandalet e këtij pushteti, sa një profesor letërsie shkruante së fundmi në mediat sociale, se nëse nuk do të jetonte në Shqipëri do të mendonte se krimet dhe korrupsioni qeveritar që plasin çdo ditë në publik do të ishin thjesht seriale të filmave triller, ku Rama, Tahiri, Kokëdhima dhe Beqaj e co., janë një trupë aktorësh, që luajnë më shumë në fantazi se në realitet. Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që avionët të tregohen për mushkonja kur janë të mbushura me drogë apo derisa të përfshihen agjenci shtetërore për të konfirmuar justifikimet e gënjeshtërta të Ramës, duke na e prezantuar çdo zonë ku kultivohet, magazinohet dhe transportohet hashashi si “autostrada” ajrore më e frekuentuar e Europës. Droga është bërë biznesi më fitimprurës në Shqipëri, por vetëm për kupolën e qeverisë dhe të policisë. Aq e vërtetë është kjo, sa këta bosa të drogës në vrapin e tyre për të pastruar dhe investuar paratë e drogës, po nxitojnë të blejnë prona edhe pa i verifikuar dokumentacionin. Nuk ka se si shpjegohet ndryshe që vëllai i nëndrejtorit të policisë të blejë disa hektarë tokë në Himarë, fare pak larg shtëpisë ku ka lindur, duke e ditur se dokumentet janë të falsifikuara. Fatkeqësisht, çfarë bën kjo bandë kriminale që qeveris këtë vend është e pashembullt. Me një dorë grabisin 1 milion euro, duke shpikur tendera për Koçon, tendera për Beqajn, tendera për secilin. E përgatisin tenderin, shpallin, mbyllin dhe deklarojnë fituesin brenda pak orëve, pasi kështu e bëjnë pazarin. Është krim të thuash se kemi shëndetësi falas, kur çdo shqiptar nuk gjen ilaçe në spital, ndërsa përmes tenderave abuzivë janë blerë 400 mijë dollarë ilaçe të skaduara vetëm në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës. Të mendosh se janë shumë shqiptarë të tjerë që vdesin, pikërisht nga këto ilaçe të skaduara ose nga fakti se nuk munden kurrë t’i blejnë. E gjitha bëhet se Beqaj dhe konet e Ramës nuk ngopen, duke rrjepur fondet dhe pasuritë e këtij vendi të varfër. Të gjitha këto skandale që nuk janë aspak fantazi, kanë krijuar një situatë të zymtë dhe të pashpresë. Shumë vetë bëjnë pyetjen si mund të hetohen gjithë këto akte kriminale dhe korruptive të kësaj qeverie të përdalë. Përtej faktit se çfarë sjell Reforma në Drejtësi, duhen qindra prokurorë dhe gjykatës të hetojnë dhe gjykojnë këtë mizëri bandash që gëlon njësoj në rrugë, njësoj në zyrat e shtetit. Për Ramën dhe bandën e tij duhen qindra burgje dhe qindra qeli të reja, nëse thjesht do të niseshe nga paditë e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Vjedhjet, grabitjet dhe abuzimet janë bërë normë në çdo nivel të kësaj qeverisje. Në njëfarë mënyre këta që janë të papërballueshëm tani që po na vjedhin, do të na bëhen sërish të kushtueshëm edhe kur të jenë në burg. Reforma në Drejtësi duhet të ketë parasysh një gjë. Shqiptarët nuk duhet të paguajnë asnjë qindarkë për hetimin dhe gjykimin e këtyre kriminelëve dhe të korruptuarve. Përveç dënimit t’u sekuestrohet çdo pronë, çdo llogari, për të kthyer mbrapsht atë çfarë kanë fituar përmes abuzimit me detyrën, fondet dhe pasuritë publike apo duke vrarë, kultivuar dhe trafikuar drogëra. Nëse dekriminalizimi i detyron që të humbasin përfundimisht karriget e pushtetit, dekusarizimi duhet t’i bëjë të kthejnë mbrapsht çdo cent që ju kanë vjedhur shqiptarëve. Ligjet e Shqipërisë janë ligje që i përkasin vendeve që kanë përqafuar modele demokracie. Por në gjendjen ku jemi sot – me pushtet të zhytur në krime dhe qindra e vrasës e trafikantë në krye të vendit – as ligjet dhe as institucionet e drejtësisë nuk do t’ia dalin dot të pastrojnë këtë katrahurë. E vetmja gjë e sigurtë është revolucioni, pasi shporrja e kësaj qeverie, e kësaj mazhorance krijon kushtet për drejtësi, zhvillim dhe progres. Zgjedhjet duan kushte dhe ndodhin të lira, të drejta dhe të ndershme kur bandat nuk janë në pushtet dhe nuk janë të lira nëpër rrugë.