Austria vendi perfekt, uroj të mos kemi dëmtime

Nga grumbullimi i Kombëtares Shqiptare në Kapfenberg të Austrisë, menaxheri i ekipit përfaqësues, Alban Bushi për mikrofonin e Supersport, u rikthye të flasë për atë kualifikim historik të kuqezinjëve në Euro 2016. Një ëndërr e bërë realitet, sipas Bushit, por pjesa më e bukur vjen tani. “Ne jemi të lumtur që ishim pjesë e këtij kualifikimi dhe që do të marrim pjesë në këtë eveniment kaq të madh, që Shqipëria ka kaq shumë kohë që e ëndërron”, tha Bushi.
Pozitive në këtë grumbullim është që nuk ka asnjë futbollist të dëmtuar dhe sipas ish-sulmuesit të kombëtares shqiptare është kjo gjëja së cilës i druhet më shumë stafi teknik deri në fillimin e kampionatit europian. “Sot është dita e parë e grumbullimit dhe grupi i futbollistëve nuk është i plotë, por e rëndësishme është që nuk kemi dëmtime. Shpresoj që të gjithë lojtarët të jenë të gatshëm edhe për sfidat e kampionatit europian”, tha ai.
Janë 27 futbollistët e grumbulluar nga trajneri Gianni De Biasi në listën paraprake, por 4 prej tyre do të mbetën jashtë listës përfundimtare. Sipas Bushit, ankthi në radhët e futbollistëve është i madh, pasi bëhet fjalë për një eviniment madhor, të cilin këta lojtarë nuk e kanë luajtur asnjëherë më parë. “Normalisht që ankthi te futbollistët është i madh, por ata janë profesionistë dhe unë jam i sigurtë se do të pranonin çdo vendim të trajnerit. Edhe nëse mbetën jashtë listës përfundimtare, lojtarët do të bëjnë tifo për Shqipërinë nga televizori”, u shpreh Bushi. Menaxheri i kombëtares e cilësoi Austrinë si vendin perfekt për të zhvilluar këtë fazë përgatitore përpara Euro 2016, ndërsa zbuloi se gjatë këtyre ditëve nuk do të kenë një ngarkesë të lartë fizike për futbollistët.
Ndërkohë, ekipi kombëtar shqiptar U-21 ka barazuar edhe në ndeshjen e dytë kundër Republikës Çeke. Takimi është luajtur sot në stadiumin “Sportplatz Mittersill”, të Austrisë në orën 18:00. Edhe ndeshja e dytë është mbyllur me të njëjtin reuzltat 1-1, si edhe i pari. Ekipi i drejtuar nga ana e trajnerit Redi Jupi, ka zhvilluar një lojë të mirë në një ndeshje me terren të rënduar. Të parët kanë kaluar në avantazh djemtë kuqezinj me anë të Çekiçit në minutën e 33. Dy minuta më pas Jankto, ka realizuar për çekët 1-1. Pavarësisht përpjekjeve të të dy skuadrave, rezultati i ndeshjes nuk ndryshoi deri në fund.