Aksidenti në Plepa – Shkozet, zbulohet tjetër skandal në ARRSH

Aksidenti me dy viktima, i ndodhur të shtunën në rrugën Plepa – Shkozet ka zbuluar një tjetër skandal të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Ky institucion është vënë në dijeni zyrtarisht nga Prefektura dhe Policia e Durrësit për rrezikshmërinë që paraqet ky aks, por nuk ka marrë asnjë masë dhe e ka injoruar shkresën e këtyre institucioneve, ashtu siç kishte injoruar për 2 vjet me radhë një vendim të formës së prerë të Gjykatës për të mbyllur parmakët anësorë në autostradën Plepa – Rrogozhinë, pikërisht në vendin ku si pasojë e mungesës së tyre, humbën jetën më 7 maj të këtij viti 2 fëmijë”.
Kjo është kërkesa më e fundit që Prefektura e Durrësit i dërgon më 13 maj, drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika, 8 ditë para aksidentit me 2 viktima e 4 të plagosur në aksin Plepa – Shkozet, për ta paralajmëruar për rrezikun që mbart ky aks.
Në dokumentin zyrtar të siguruar nga Televizioni “Klan”, Prefektura dhe Policia e Durrësit i kërkojnë këtij institucioni të ndërhyjë sa më parë, për të përmirësuar sigurinë në këtë segment rrugor, pasi ai paraqet rrezikshmëri dhe është potencial për aksidente të rënda.
Pavarësisht se është vënë në dijeni zyrtarisht, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar nuk ka marrë asnjë masë. Por ky skandal, i injorimit të rrezikut, thellohet më tej, nga të dhënat e tjera që renditen në këtë shkresë.
Prefektura e Durrësit i kujton drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika, se ka injoruar të paktën tre kërkesa të tjera për të njëjtën çështje, që nga viti 2013.
Informacioni i parë mbi problematikën i është dërguar Autoritetit Rrugor Shqiptar, më 17 shtator të vitit 2013, vetëm pak ditë përpara se Xhika të merrte detyrën.
I dyti është më 5 tetor 2015, drejtuar personalisht Dashamir Xhikës.
Dhe i treti 10 ditë më vonë, më 15 tetor.
Në të gjitha kërkesat zyrtare, Autoriteti Rrugor Shqiptar njihet me shqetësimin e Prefekturës Policisë së Durrësit në lidhje me kryqëzimet në aksin Plepa – Mbikalimi i Shkozetit, kryqëzime, që cilësohen si njolla të zeza, pasi janë konstatuar disa aksidente të rënda me pasojë humbje jete.
Policia kërkon mbylljen e kryqëzimeve për shkak të mosfunksionimit të semaforëve dhe nënvizon se ka mangësi të sinjalistikës horizontale dhe vertikale.
Skandali thellohet edhe më tej, pasi në shkresë thuhet se, Drejtoria e Autoritetit Rrugor në Tiranë ka qenë në dijeni të problematikës me semaforët rreth një muaj më parë, por ata janë ende jashtë funksionit.
Prefektura dhe Policia e Durrësit i kanë kërkuar drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhikës, të ndërhyjë sa më shpejt për marrjen e masave në këtë aks rrugor, për të parandaluar ngjarje të padëshiruara dhe me pasoja fatale, duke patur parasysh se në prag të sezonit turistik, intensiteti i lëvizjes në këtë rrugë rritet në mënyrë të ndjeshme.
8 ditë pas kësaj, mungesa e elementëve të sigurisë në këtë rrugë u bënë shkak për një aksident të rëndë me 2 të vdekur e 4 të plagosur.
Policia zbuloi se parmakët mbrojtës në vendin, ku ndodhi aksidenti ishin jashtë standardeve dhe për këtë arsye procedoi në gjendje të lirë drejtuesin e kompanisë BE IS, që në bashkëpunim me kompaninë PIENVIS janë fituese të tenderit të Autoriteti Rrugor Shqiptar prej 30 milionë lekësh, për mirëmbajtjen e kësaj rruge.