Pas Britanisë edhe Belgjika, Shqipëria model i së keqes

Pas Britanisë së Madhe, edhe politikanët belgë po përdorin Shqipërinë për të ilustruar argumentet e tyre me shembuj negativë. Është fjala për gardianët e burgjeve, të cilët prej tre javësh janë hedhur në grevë e protesta, për të kërkuar rritje pagash dhe reduktim të orëve të tejzgjatura të punës, raporton “ABC News”. Protesta precipitoi në akte dhune javën e kaluar, kur protestuesit mësynë në zyrat e Ministrisë belge të Drejtësisë, duke vandalizuar ambientet e brendshme. Për këtë situatë reagoi edhe kreu i Aleancës së re Flamande, partisë më të madhe në Belgjikë, Bart de Wever. Njëherësh edhe kryetar i Bashkisë së Antverpit, Vever kritikoi ashpër aktet vandale të gardianëve dhe tha se sistemi i burgjeve në vend është tejet i vjetruar, duke e krahasuar atë me Shqipërinë. “Ka vetëm një vend veç Belgjikës, ku gardianët e burgjeve mund të zhvillojnë grevë pa afat. Dhe ky vend është Shqipëria”, u shpreh Bart de Wever, kryetar i Aleancës së re Flamande.
Nisur nga kjo, Wever tha se në Belgjikë, shërbimi në agjenci të rëndësishme për sigurinë ka rënë në nivele minimale. Greva e gardianëve ka pezulluar punën në burgjet e të gjithë vendit. Për të mos lejuar shpërthimin e burgjeve dhe daljen e të burgosurve, qeveria urdhëroi ushtrinë t’i marrë ato nën kontroll.
Por kjo nuk është hera e parë që Shqipëria dhe shqiptarët përdoren si një shembull i keq nga politikanët europianë. Gjatë javëve të fundit, politikanët britanikë e kanë përfshirë Shqipërinë në debatet e tyre për referendumin për daljen ose jo të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Ka qenë ministri britanik i Drejtësisë, Majkëll Gove ai që në mbrojtje të tezës së daljes nga unioni, ka argumentuar se me hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, do të shtohet kriminaliteti në vendin e tij. Në përpjesëtim me numrin e emigrantëve në vend, shqiptarët kanë edhe shifrat më të larta të të burgosurve në Britaninë e Madhe.