Nisin përgatitjet për Euro 2016

Shqipëria nisi zyrtarisht përgatitjet për Europianin e Francës. Në orën 17:30, autobusi i Kombëtares  ju drejtua fushës stërvitore në Bad Waltersdorf, ku i tërë ambjenti ishte përshtatur për kuqezinjtë, duke përfshirë madje dhe të gjithë sponsorët e skuadrës. Trajneri De Biasi kishte në dispozicion 19 lojtarë në total në këtë seancë të parë stërvitore, përfshi dhe 3 portierët, të cilët nisën menjëherë nga puna me trajnerin e tyre, Ilir Bozhiqi, ndërkohë që pjesa tjetër e skuadrës e nisi stërvitjen me një vrapim të lehtë rreth fushës.
Seanca e parë stërvitore kishte një ngarkesë të lehtë fizike, me trajnerin De Biasi që në ditët e para do të përqendrohet më shumë në çtensionimin e muskujve të futbollistëve të tij, që kanë jo pak ngarkesë nga një sezon i gjatë. Në pjesën e dytë të stërvitjes, trajneri ndau ekipin në dy grupe, duke zhvilluar dhe një ndeshje kontrolli mes dy skuadrave. Përgjithësisht futbollistët u shfaqën të qeshur në këtë seancë të parë drejt Francës, që është dhe pjesmarrja e parë e kuqezinjve në një kompeticion të rëndësishëm dhe qetësia dhe humori i mirë janë dy elementë që trajneri De Biasi do t’i kushtojë shumë rëndësi jo vetëm në stërvitje, por dhe në grumbullim.