Luis Suarez rrezikon Kupën e Amerikës

Uruguaji në telashe. Luis Suarez u dëmtua gjatë finales së Kupës së Mbretit, ku Barcelona fitoi përballë Sevilla-s në stadiumin “Vicente Calderon”. Sulmuesi rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në 100-vjetorin e Kupës së Amerikës. Golashënuesi më i mirë i kampionatit spanjoll u aktivizua për më pak se një orë në lojë, ndërsa u largua mes lotëve nga fusha, për atë që duket një dëmtim muskulor.
Zgjatja e sforcuar e këmbës së djathtë gjatë një sulmi të katalanëve i kushtoi Suarez lëndimin, ndërsa tani bomberi i blaugranave do t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore, për të verifikuar gradën e dëmtimit. Përpos momentit të largimit nga fusha, ku mori mbështetjen e yjeve të Barcelonës, si Iniesta e Mesi, telekamerat e treguan sulmuesin të përlotur në stolin e rezervave menjëherë pas zëvendësimit.
Luis Suarez u shfaq në ekran edhe në momentin kur skuadra e Luis Enriques festoi golin e avantazhit në kohën shtesë. Shqetësimi më i madh lidhet me ato momente, pasi lojtari ecte me kujdes dhe në disa momente dukej që ndjente dhimbje. Mungesa e sulmuesit më të mirë do të jetë një minus i madh për Uruguajin, skuadrën më të suksesshme në historinë e Kupës së Amerikës me 15 tituj, që do të debutojë më 5 qershor.
Barcelona rrëmben gjithçka edhe këtë sezon në Spanjë, duke mposhtur në finale Sevillan gola të Jordi Albas dhe Neymar në kohën shtesë. Katalanasit rrezikuan shumë përballë andaluzianëve në “Vincente Calderon”, ku luajtën për rreth 50 minuta me 1 lojtar më pak, por arritën të ruanin qetësinë, duke e çuar ndeshjen në kohën shtesë pas 90 minutave pa asnjë gol. Shkëndijën e parë e dha Mesi në minutën e 6, ndërsa Sevilla replikoi me Coke në të 17-ën. Një prej momenteve më delikate të ndeshjes u shënua në minutën e 36, kur Mascherano e la Barcelonën me 10 lojtarë pas ndërhyrjes së gabuar në dëm të Gameiros. Ndërkohë, Pique ishte shumë pranë golit të avantazhit në minutën e fundit të pjesës së parë. Sevilla u rikthye në fushë e transformuar, duke regjistruar një shtyllë me argjentinasin Banega, ndërsa në të 66-ën, Krichowiak nuk ishte i saktë. Skuadrat u barazuan në numër lojtarësh vetëm në fundin e ndeshjes kur Banega u ndëshkua me të kuq pas ndërhyrjes ndaj Lionel Mesit në hyrje të zonës së rreptësisë, por kapiteni katalanas nuk arriti të ekzekutonte saktësisht goditjen e dënimit, duke e çuar ndeshjen në kohën shtesë. 9 minuta nga rifillimi i ndeshjes, Sevilla reflektoi lodhjen në këmbët e saj, pasi linja mbrojtëse u kap në befasi nga asisti i Mesit për Jordi Alban që arriti ta ndalte topin në rrjetë.
Ishte Neymar ai që dyfishoi pak momente më pas. Minutat deri në fund nuk dhuruan asgjë më shumë. Katalanasit konfirmohen dominues në Spanjë ku edhe Sevilla nuk arriti t’u rrëmbente trofeun e dytë më të rëndësishëm, duke u mjaftuar vetëm me suksesin në Europa League.