Higuain pasuesi i Ibrahimoviç te PSG

Është Gonzalo Higuain i përzgjedhuri nga drejtuesit e Paris Saint Germain, për të zëvendësuar Zlatan Ibrahimoviç. Sikurse zbulon “Le Parisien”, qendërsulmuesi argjentinas ka mbetur i mahnitur nga projekti i klubit të kryeqytetit francez, madje kjo e përditshme shkruan se një javë më parë vëllai dhe njëkohësisht menaxheri i argjentinasit ka vizituar Parisin, për të studiuar terrenin.
60 milionë euro është shuma që klubi, që po dominon në Francë, është gati të derdhë në arkat e Napolit për kartonin e 28-vjeçarit, madje “Le Parisien” zbulon se ka patur një takim sekret mes zëvendëspresidentit të Paris Saint Germain, Olivier Letang dhe vetë futbollistit, të cilit i është shprehur zyrtarisht interesimi i klubit. Që në bisedën e parë me përfaqësuesit francez, Gonzalo Higuain është bindur për t’u transferuar në Ligën e Parë. Në fakt dashuria e Paris Saint Germain për Higuan nuk është e re. Që në vitin 2012, kur Drejtor Sportiv ishte Leonardo, braziliani tentoi, por pa sukses ta shkëpuste sulmuesin nga radhët e Realit të Madridit.
Në atë në “Parc des Prince”, zbarkoi Zlatan Ibrahimoviç, por 34-vjeçari e mbylli epokën e tij të artë për të nisur një aventurë të re, e cila mbetet për t’u zbuluar. Paga e lartë e sulmuesit nuk do të ishte aspak probleme për klubin, që ka financa të shëndosha. Gonzalo Higuain në fakt ka një lidhje të hershme me Francën, pasi ka lindur në Brest, ku babai i tij, luante me skuadrën e këtij qyteti. Ai ka nënshtetësi argjentinase dhe franceze, që do të thotë se konsiderohet komunitar.