Afera “Siemens”, Beqja dhe QSUT sajuan tenderin 795 mijë dollarë

Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar Kryeministrit Edi Rama shkarkimin nga detyra të drejtoreshës së Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, Ogerta Manastirlliu. Sipas Hashtag.al, ky propozim erdhi pas një kontrolli që zbuloi se drejtoresha Manastirlliu kishte shpenzuar rreth 795 mijë dollarë duke lidhur dy kontrata mirëmbajtjeje me kompani private shqiptare për disa aparatura mjekësore që ishin sjellë në Shqipëri në përdorim nga kompania “Siemens”.
Por audituesit kanë zbuluar se sipas kontratës fillestare të QSUT-së me “Siemens” i takonte vetë QSUT-së të realizonte mirëmbajtjen.
Dokumentet kanë zbuluar se drejtoresha Manastirlliu i ka dhënë dritë jeshile hapjes së një tenderi për mirëmbajtjen, duke nënkontraktuar dy kompani shqiptare në vlerën e 795 mijë dollarëve. Ndërsa dëmi neto i konstatuar nga KLSH-ja është në vlerën e 590 mijë dollarëve.
Për rrjedhojë audituesit kërkojnë shkarkimin e drejtoreshës:
“I rekomandojmë Kryeministrit të fillojë procedurat për dhënien e masës disiplinore nga ‘Vërejtje’ deri në ‘Largim nga detyra’ për znj. Ogerta Manastirlliu me detyrë drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ Tiranë.
Për arsye se në tenderin me objekt dhënien e shërbimit të ‘Mirëmbajtjes së pajisjeve mjekësore’ zhvilluar në vitin 2014 nga MSH, nuk ka bashkëvepruar me të, për të saktësuar se ky shërbim, është përcaktuar të bëhet nga QSUT. Si rezultat i këtij veprimi/mosveprimi, QSUT rezulton të ketë shpenzuar fonde publike pa efektivitet deri në përfundim të auditimit në vlerën 59,751 mijë lekë”, thuhet në dokumentin e KLSH-së.
Raporti i KLSH-së ndër të tjera ka zbuluar se dhe sistemi elektronik i përdorur në QSUT, për regjistrimin e kartelave ka mangësi të shumta duke krijuar hapësira për abuzime dhe favorizime, sidomos të listës së ilaçeve të regjistruara për përdorim.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i raportit thekson se për vite me radhë QSUT-ja nuk ka mbajtur regjistra për trajtimin e hermodializës dhe të dhënat janë kontradiktore. Mbi këto të dhëna, qeveria vendosi më pas ta jepte me koncesion këtë shërbim.

Shkeljet e drejtoreshës së Ramës me tenderat

Rasti me aferën “Siemens”, nuk është rasti i vetëm ku drejtoresha e QSUT kapet në vjedhjen e parave publike. Një tender i majmë prej 10 miliardë lekësh e shndërroi QSUT në qendër të akuzave për zhvatjen e parave publike. QSUT çon deri në fund pazaret e nisura më 2014 me tenderin miliarda lekësh për lavanderinë, duke ia dhënë atë kompanisë së paracaktuar “AGS SHPK”. Kjo e fundit, e cila akuzohej se ishte favorizuar gjatë procedurës së parë të prokurimit, e cila u anulua nga Komisioni i Prokurimit Publik, KPP, është shpallur fituese me një ofertë prej 1,097 miliardë lekësh. Oferta fituese është e barabartë me 99.2 për qind e çmimit limit të tenderit. Fondi limit qe 1,160 miliardë lekë. Oferta e dytë në tender ka qenë ajo e bashkimit të operatorëve “Devis SHPK”, “Dimensione të reja”, “Univers Servis SHPK” dhe “A-K Company SHPK” me 1.1 miliard lekë. Në tenderin e parë ky konsorcium kompanish kishte dhënë një ofertë për të njëjtin shërbim relativisht më të ulët. “Balkan Laundry”, një ndërmarrje italo-shqiptare, si dhe një nga kompanitë ofertuese në tenderin e parë, thotë se ishte e gatshme të mbulonte shërbimin e lavanderisë në QSUT me më pak se gjysmën e fondit limit të përcaktuar nga autoriteti kontraktor, por “kriteret e vendosura nga ky i fundit ishin të paarritshme”. Drejtuesit e kompanisë pretendojnë se pavarësisht investimit modern prej miliona eurosh, kompania u skualifikua pasi ishte shumë e re në tregun shqiptar. Tenderi i parë i mbajtur më 16 shkurt me autoritet kontraktues QSUT, pati 6 oferta nga kompani ose bashkime operatorësh. Në tenderin e dytë të mbajtur nga Ministria e Brendshme më 3 gusht pati dy oferta, shenjë që një pjesë e kompanive ka humbur besimin në procedurën e prokurimit. Fituesja e tenderit të dytë, “AGS SHPK” është akuzuar nga KLSH se ka përfituar nga favorizimi i padrejtë i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, KVO, në QSUT, në një tender tjetër për lavanderinë që mbulonte periudhën janar-prill 2014, duke i shkaktuar taksapaguesve një dëm prej 10.8 milionë lekësh. Anëtarët e KVO-së në QSUT janë paditur nga KLSH në Prokurori, por kjo e fundit i tha “BIRN” se është ende në procesin e verifikimit të akuzave. Ankesa për favorizim nga QSUT për “AGS SHPK” ka pasur dhe nga operatorët e tjerë që morën pjesë në tender. Tenderi për shërbimin e lavanderisë dhe hotelerisë në QSUT e ka zanafillën në janar 2014, kur procedura u hap nga spitali kryesor publik i vendit me një “procedurë të hapur mbi kufirin monetar”.