Ballina Politikë Mediu: Reformë për zgjedhje të lira dhe të ndershme

Mediu: Reformë për zgjedhje të lira dhe të ndershme

Në takimin me strukturat drejtuese të Partisë Republikane për qytetin e Tiranës, kryetari Fatmir Mediu e vuri theksin në gjendjen alarmante në Shqipëri. “Jo vetëm varfëria e thellë dhe mungesa e vizionit për zhvillimin ekonomik, por mazhoranca dhe qeveria janë bërë një trup në rrugën e tyre të pandalshme të paligjshmërisë, korrupsionit dhe kriminalizimit të politikës dhe shoqërisë. Skandalet e përditshme nuk janë rastësore, por të qëllimshme, mungesa e vullnetit për të luftuar krimin dhe korrupsionin, deri në ekstremin e kontrollit të politikës, shtetit dhe qytetarëve tregon se qëllimi është vetëm një: Pushteti dhe vetëm pushteti me çdo kusht! Ky pushtet absolut krijon vetëm korrupsion absolut. Opozita po bën një punë këmbëngulëse dhe serioze që Reforma në Drejtësi të garantojë një pushtet gjyqësor të pavarur, jo të kontrolluar politikisht dhe funksional. Tashmë opozita ka pranuar propozimet e faktorit ndërkombëtar për çështjet e pazgjidhura politike dhe i takon mazhorancës të japë mirëkuptimin e saj. Jetike, e theksoi Mediu reformën elektorale, jo thjesht për opozitën, por për çdo votues shqiptar. Manipulimi i zgjedhjeve lokale tregon qartë se pa këtë reformë nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Prandaj Partia Republikane ka propozuar që në fillim identifikim, votim dhe numërim elektronik; heqjen e mandateve dhe zëvendësimin e deputetëve që ndërrojnë krahun politik. Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë se votimi me lista të hapura duhet për të patur një Parlament të votuesve dhe jo të drejtuesve të partive. “Financim i fushatës nga buxheti duke shkurtuar shpenzimet e saj, një rregullim i drejtë dhe proporcional në media, ndryshimet ligjore të nevojshme bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR”, tha ndër të tjera Mediu.

Exit mobile version