1.5 miliard euro jashtë ekonomisë kosovare

Janë afro një miliard e 500 milionë euro mjete financiare të Fondit të Privatizimit dhe Trustit Pensional të Kosovës, të cilat mbahen ose të ngrira ose të investuara në tregjet ndërkombëtare, mjete këto, të cilat asnjëherë nuk u investuan në projektet zhvillimore të vendit. Ndërkaq, premtimet e koalicionit aktual të qeverisë së Kryeministrit Isa Mustafa se me të marrë pushtetin,ata do bëjnë çmos, në mënyrë që sa më parë t’i kthejnë paratë e AKP-së dhe ato të Trustit Pensional, nuk ishin gjë tjetër, pos një premtim mashtrues elektoral i partive në pushtet, shkruan gazeta “Kosova Sot”. Analistët e ekonomisë dhe fushës së financave dhe deputetët opozitarë thonë se me mbajtjen e këtyre parave nëpër bankat jashtë vendit, Kosova ka humbur shumë. Sipas tyre, këto para do të mund të ndihmonin për mëkëmbjen e ekonomisë së Kosovës dhe nga mbajtja e tyre jashtë vendit Kosova përfiton shumë më pak. Deputeti opozitar, Bali Muharremaj, në një prononcim për “Kosova Sot” thotë se sikur këto mjete të kishin hyrë në funksion përmes sistemit bankar për zhvillimin ekonomik të Kosovës, efektet në ekonomi do të ishin shumë më të mëdha. Sipas situatës së deritanishme, thekson Muharremaj, Kosova eksportin më të madh e ka pasur në eksportimin e parave, pikërisht mjeteve e Trustit. Po të ishin kthyer këto mjete të fondit të Privatizimit në Kosovë, do të kishin nxitur investime dhe do të krijoheshin vende të reja të punës, sepse do të rritej potenciali i kapitalit të bankave komerciale dhe do të jepnin kredi me kushte më të volitshme. Kjo nuk ka ndodhur. E njëjta gjë ndodhi edhe me Trustin Pensional edhe këto mjete për fat të keq janë jashtë sistemit bankar të Kosovës, vlerëson Muharremaj. Sipas deputetit opozitar, mjetet që Kosova ka mbajtur jashtë vendit, përveç që kanë ndikuar negativisht në moszhvillim ekonomik, kanë ndikuar edhe në tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë. Sidoqoftë, qeveria e Kosovës ka të drejtë të themelojë fonde si ai i Kreditimit, mirëpo ato fonde duhet të bazohen në koncepte dhe strategji të zhvillimit ekonomik. “Në rast se këto mjete kthehen, duhet të bëhet një analizë më komplekse dhe të dimë se ku po shkojnë këto mjete dhe çfarë kahu po i japim. Hapi i parë, që duhet të bëhet, është të vendoset që këto mjete të kthehen dhe përmes sistemit bankar të orientohen, por me një projekt zhvillimor dhe jo me deklarata”, thotë deputeti Muharremaj.

Telegrafi