Si u shkurtua gjilpëra e pistoletës së “ushtarit” të Shullazit nga Ermal Muça

Ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi dje në sallën e Kuvendit një skandal, në lidhje me ndalimin e dy personave, njëri prej të cilëve oficer i policisë së burgjeve. Berisha iu referua një dokumenti zyrtar të hartuar nga vet Policia e Shtetit ku bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në 17 janar të vitit 2015, ku një qytetar nga Librazhdi është plagosur me armë nga Valmend Pelivani dhe Bekim Zenollari, punonjës i policisë së burgjeve. Të dy këta persona njihen si “ushtarë” të Emiljano Shullazit. Gjatë ndalimit të tyre mësohet se është sekuestruar edhe një armë, të cilës më pas i është shkurtuar gjilpëra, kjo në bazë edhe të akt-eskertimit të bërë nga dy ekspertë të Laboratorit të Policisë Shkencore.
“Unë sot jam këtu për t’ju lexuar një dokument tuajin, që fakton se çfarë organizate kriminale, e turpshme, e paimagjinueshme jeni.  Unë kam këtu dokumentin zyrtar, i cili lexon “Akt ekspertimi – Ministria e Brendshme, Drejtoria e Policisë së Shtetit”, por unë po lexoj përmbledhjen.  Në datën 21.12.2015, shtetasi me iniciale X.X., nga Librazhdi po qëndronte tek Rruga e Kavajës, në afërsi të një lokali duke pritur një të afërmin e vet. Në këtë kohë, i janë afruar dy shtetas dhe e kanë pyetur se përse po qëndron afër atyre ambienteve. Shtetasi nga Librazhdi ka deklaruar se po priste një të afërmin e vet. Të dy shtetasit i kanë kërkuar dokumentin e identifikimit dhe i kanë bërë foto dokumentit dhe ja kanë nisur për verifikim ‘gjeneral’ Emiljano Shullazit, për të konfirmuar nëse ky person është i rrezikshëm apo jo.
Gjithçka nga këto janë në aktin e OPGJ. Pas konfirmimit nga shtetasi Shullazi, se ky person nuk ka rrezikshmëri, ata e kanë goditur disa herë shtetasin, qytetar të Librazhdit dhe më pas e kanë lënë të lirë. Qytetari, pasi është shkëputur dhe ka përshkruar një distancë rruge prej afro 10 min, ka takuar një patrullë policie dhe i thotë se dy qytetarë, të cilët nuk i njihte, e kishin kërcënuar me jetë dhe u tregoi atyre vendin se ku kishte ndodhur ky kërcënim. Kjo konfirmohet dhe nga salla operative e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, që ‘më datën 21.12.2015 ka mbërritur telefonata në këtë sallë se dy persona po kanosin me armë zjarri një person tek Rruga e Kavajës në afërsi të një lokali. Policia ka mbërritur menjëherë në adresën e dhënë dhe ka bërë shoqërimin e shtetasve Valmend Pelivani, 24 vjeç, të cilit iu gjet një pistoletë TT e mbushur dhe gati për qitje, si dhe Bekim Zelollari, 32 vjeç, të cilit iu gjet një armë, pistoletë TT me fishekë në gojë, por që pretendonte se ishte polic burgjesh dhe kishte dy dokumente policie”. Në fakt e vërteta është se ai ishte polic burgjesh.
Këto të dhëna janë të shkruajtura në procesverbalin e kapjes në flagrancë. “Në akt thuhet se këta shtetas, Valmend Pelivani dhe Bekim Zelollari dyshohet se kanë kanosur një tjetër shtetas, i cili ka depozituar një kallëzim në Komisariatin nr. 2. Pra, kjo thuhet në komunikatën e Komisariatit nr. 2 në Tiranë. Të dy shtetasit, Pelivani dhe Zelollari, janë të evidentuar në kartotekën e Policisë Kriminale si lidhje të Emiljano Shullazit dhe në momentin kur kanë kontaktuar, kanosur shtetasin nga Librazhdi kanë qenë pranë territorit të shtëpisë së Shullazit, për të kryer shërbim për ruajtjen e ambienteve të shtëpisë së Gjeneralit socialist Mili i Partisë.
Pas shoqërimit në polici, oficeri i Policisë Gjyqësore të Komisariatit nr. 2, emrin e të cilit nuk po ja lexoj, ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, ka bërë detyrën, ka kryer aktin e ekspertimit, ka bllokuar armën konform procedurave të Kodit të Procedurës Penale dhe ka kërkuar akt ekspertimi dhe armën ja ka nisur për ekspertim Laboratorit të Policisë Shkencore dhe më pas është larguar, pra kur ka mbaruar shërbimin.
Burime të sigurta brenda policisë dëshmojnë se pas një ore që Shullazi është vënë në dijeni se janë shoqëruar dy rojet e tij të shërbimit në lagje, i është kërkuar punonjësit të policisë që ka kryer veprimet, të paraqitet në Drejtorinë e Policisë Tiranë, ku u prit nga shefi i Komisariatit nr. 2, një Arsen Sinemati, të cilin e ka zhdepur Shullazi një herë se e ka dhe mik atë. Ky oficer policie është pritur dhe nga zv/drejtori Ermal Muço dhe drejtori i forcës së posaçme operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, famozi, Shullazi tjetër Artjon Duka. Me këta ishte dhe Arsen Sinemati dhe këta i kërkojnë oficerit të Policisë Gjyqësore, ku është arma i thonë. Ai u thotë se e ka dërguar në Laboratorin Shkencor të Policisë. I kanë thënë shko tërhiqe menjëherë armën. Oficeri ka zbatuar urdhrin, ka marrë armën nga laboratori. Këta zotërinj, pra Arsen Sinemati, Ermal Muça, Artjon Duka, anëtarë të bandës së “gjeneralit” e kanë nxjerrë jashtë oficerin dhe e kanë mbajtur 30 minuta pistoletën. Çfarë kanë bërë si kriminelë të pafytyrë? I kanë prishur gjilpërën pistoletës, në një kohë kur në këtë akt është përshkruar intakte arma dhe me fishekë në grykë.
(ndërhyrje nga salla) O avoketër të krimit, o EdEskobarë pushoni të flas unë pastaj hajde flisni ju. Janë të gjitha të shkruajtura këtu. Ti që flet nga vendi (Pirro Lutaj) po i lë ata 1200 punëtorët e Ballshit pa rroga, se duket të paguan “çorapja e partisë” ty për të mbyllur gojën.  Pra, pasi e prishin armën i thonë ta dërgojë në laborator. Akti i ekspertimit natyrisht doli revolveri me gjilpërë tjetër. (sërish ndërhyrje nga salla) Ju bërtisni dhe në këtë mënyrë tregoni se jeni valmendër, ju tregoni se jeni shullezër, tregoni se cenollarë, ju tregoni se jeni ushtarë të turpshëm. Çfarë deputetësh jeni ju? Ju jeni mjerim. Po ky që po lexoj është akt shtetëror, akt i policisë që drejtoni ju. Ja ku e keni. Urdhri për të bërë këtë falsifikim erdhi direkt nga Saje Qorri, me dijeninë e plotë të Edvin Shullazit” tha Berisha.