Prokuroria procedon penalisht Erion Veliajn: Kanosi gjyqtarët

Përmes një njoftimi zyrtar bëhet e ditur se, organi i akuzës e ka ndërmarrë nismën e tij për veprat penale “Organizim të manifestimit të paligjshëm” dhe “Kanosje e fyerje ndaj gjyqtarëve”. Sipas njoftimit, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sekuestrimin e pamjeve filmike të protestës së 11 majit, të transmetuara në televizione
Veprimet e kryera ishin një presion i hapur ndaj gjyqtarëve dhe një kërcënim i pavarësisë së gjykatave
Prokuroria e Tiranës ka nisur procedim penal për protestën e dy ditëve më parë të organizuar nga Bashkia e kryeqytetit pranë selisë së Gjykatës Administrative. Përmes një njoftimi zyrtar bëhet e ditur se, organi i akuzës e ka ndërmarrë nismën e tij për veprat penale “Organizim të manifestimit të paligjshëm” dhe “Kanosje e fyerje ndaj gjyqtarëve”. Sipas njoftimit, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sekuestrimin e pamjeve filmike të protestës së 11 majit, të transmetuara në televizione. Përmes protestës, e drejtuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj, kërkohej dorëheqja e trupit gjykues që ishte caktuar për të gjykuar çështjen e lejes së ndërtimit dhënë për kompaninë “Gener 2”, për ndërtimin e një godinë 17-katëshe në vendin përballë digës së Liqenit Artificial në Tiranë.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë dënoi çdo formë presioni, që kryetari i Bashkisë Tiranë dhe një grup politikanësh ushtruan, më datë 11 maj 2016, ndaj Gjykatës së Apelit Administrativ, lidhur me një çështje gjyqësore, e cila është ende në gjykim. Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, këto akte dhe veprime të pamenduara si duhet, sjellin destabilizim të parikuperueshëm, për sistemin gjyqësor, pasi çdo palë ndërgjyqëse në një proces do t’i perceptojë si të drejtë të tij, kundërshtimin me protesta dhe presione politike vendimet që jepen nga gjykatat, në emër të Republikës së Shqipërisë. Veprimet e kryera ishin një presion i hapur ndaj gjyqtarëve dhe një kërcënim i pavarësisë së gjykatave.
Në protestën e tyre, kryetari i Bashkisë Tiranë dhe eksponentë të tjerë politikë, përdorën terma poshtërues për gjykatat dhe gjyqtarët që prej vitesh japin drejtësi, duke pasur si qëllim, ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në veprimtarinë e pushtetit gjyqësor, ç’ka mund të sjellë veçse demotivim dhe nënshtrim të sistemit të drejtësisë. Pengimi përmes protestave, i funksionimit normal të veprimtarisë së Gjykatës Administrative të Apelit për disa orë, ndikon negativisht, në mënyrë të padrejtë, në imazhin e gjykatës dhe ul besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, thuhej në reagimin e KLD.
Edhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar lidhur me protestën e organizuar nga Bashkia e Tiranës para Gjykatës së Apelit Administrativ kundër ndërtimit të pallatit 17-katësh tek diga e Liqenit Artificial. Përmes një njoftimi për mediat, Bordi i këtij Unioni ngre shqetësimin për ushtrimin e trysnisë ndaj gjithë trupës gjyqësore të Gjykatës Administrative të Apelit lidhur me çështje konkrete, të cilat janë ende në gjykim. Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë thotë se ushtrimi në këto përmasa i trysnisë ndaj gjykatës, nga palë ndërgjyqëse, qofshin këto edhe institucione shtetërore është i paprecedentë.
“Në datën 11.05.2016 përpara godinës ku ushtron veprimtarinë e saj Gjykata Administrative e Apelit u mbajt një protestë, e cila filloi në orën 10:30 dhe zgjati deri në orën 13:15. Nga mediat kemi ardhur në dijeni se protestën e ka thirrur dhe organizuar kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj. Duke respektuar të drejtën e protestës së gjithkujt, në format dhe mënyrat që parashikon ligji, ngremë shqetësimin tonë në lidhje me ushtrimin e trysnisë ndaj gjithë trupës gjyqësore të Gjykatës Administrative të Apelit lidhur me çështje konkrete, të cilat janë ende në gjykim”.

Konferenca Gjyqësore: Intimidimi i gjyqtarëve nga Veliaj, i paprecedent

Vazhdojnë reagimet kundër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas protestës që ky organizoi para Gjykatës Administrative të Apelit lidhur me ndërtimet poshtë digës së liqenit. Së fundi ka reaguar Konferenca Gjyqësore Kombëtare, këshilli ekzekutiv i së cilës zhvilloi dje një mbledhje të jashtëzakonshme. Përmes një deklarate ky këshill dënon protestën e Veliajt dhe mbështetësve të tij, duke thënë se qëllimi i tyre ishte intimidimi i trupës gjyqësore. “Më datë 13.05.2016 Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare, organizoi një mbledhje të jashtëzakonshme, të diktuar nga ngjarja e ndodhur me datë 11.05.2016 përpara Gjykatës së Apelit Administrativ në Tiranë. Këshilli Ekzekutiv, në emër të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, nëpërmjet kësaj deklarate synon të komunikojë publikisht shqetësimin dhe njëkohësisht ndërgjegjësimin e organeve shtetërore, ndaj sulmit të organizuar ndaj një gjyqtari, gjykate dhe për rrjedhojë edhe ndaj pushtetit gjyqësor.
Kemi ndjekur me shqetësim organizimin tubim të kryetarit të Bashkisë Tiranë, nëpunësve të Bashkisë Tiranë, deputetëve dhe personave të tjerë pjesëmarrës para Gjykatës së Apelit Administrativ gjatë ditës dhe kohës kur në gjykatë po zhvillohej gjykimi i një çështje administrative. Vlerësojmë se tubimi i organizuar, pati si qëllim intimidimin e gjyqtarit, trupit gjykues dhe të gjithë Gjykatës Administrative. Ushtrimi i këtij presioni demonstrativ nuk i shërben aspak misionit kushtetues të pushtetit gjyqësor dhe dhënies së drejtësisë. Demonstrimi me tubime para gjykatës i pakënaqësive të palëve ndërgjyqëse, nuk mundet të jetë kurrsesi forma ligjore e mbrojtjes, aq më shumë kur kjo gjë ndodh nga persona zyrtarë që përdorin administratën për këto qëllime dhe në emër e për llogari të institucioneve kushtetuese. Kjo sjellje është e papranueshme dhe afërmendsh krijon pritshmëri tek çdo ndërgjyqës i pakënaqur nga dhënia e drejtësisë, për forma organizimi demonstrative, të cilat mundet të ushtrojnë presion të paligjshëm në veprimtarinë e gjykatave.
Gjithkush, e aq më tepër personat zyrtarë dhe institucionet kushtetuese, duhet të mbajnë parasysh se, pavarësia e pushtetit gjyqësor është parakusht për respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Gjithkush duhet të mbajë parasysh se, ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarit, trupës gjyqësore apo gjykatave passjell përgjegjësi sipas ligjit. Në funksion të garantimit të procesit të dhënies së drejtësisë do të duhet që palët, personat zyrtarë që përfaqësojnë ato, të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje përpara gjykatës. Kështu, kërkojmë që veprime të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen”.