Pas UEFA-s, Kosova anëtarësohet edhe në FIFA

Një tjetër ditë historike. Kosova pranohet në FIFA. Kongresi i 66-të i këtij institucioni rezultoi i bekuar për shtetin më të ri në Ballkan. Nga 205 federata që kishin të drejtë vote, 141 prej tyre votuan pro anëtarësimit të Kosovës në institucionin më të rëndësishëm në botën e futbollit, ndërkohë që 23 federata votuan kundër. Në këtë mënyrë, Kosova është anëtarja numër 210. Ky vendim do t’i japë mundësinë Kosovës të marrë pjesë në eliminatoret e Kampionatit Botëror Rusi 2018 që do të fillojnë në shtator. Mbështetja për Federatën Kosovare të Futbollit në këtë rast ishte shumë e madhe, ku një ndër to ishte presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
Tashmë do të hidhet me short se në çfarë grupi do të përfaqësohet anëtarja më e fundit e FIFA-s në kualifikueset e kupës së botës. Më herët, Presidenti i Federatës, Fadil Vokrri i kërkoi anëtarëve të FIFA-s të pranonin anëtarësimin e Kosovës, duke qenë se sporti i këtij vendi njihet nga komunitete olimpike ndërkombëtare dhe futbolli sapo u pranua në UEFA. Thirrja e Vokrrit gjeti përgjigje në një ditë historike. Tashmë, futbollin në Kosovë e pret një rrugë e gjatë duke filluar nga ndërtimi i stadiumeve, me Presidentin Vokkri që në bashkëpunim me shtetin ka premtuar se do kemi dy impiante të reja në Mitrovicë dhe Prishtinë.
Urime Kosovë! Pas anëtarësimit të Kosovës në FIFA, reagoi edhe Presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili thekson se ky anëtarësim vjen pas një izolimi 25-vjeçar që ka kaluar vendi. “Europa është shumë e vogël për talentët tanë të mëdhenj.Anëtarësimi dje në FIFA, përfundimisht krijon një terren të ri për promovimin e futbollit kosovar në garat botërore. Gjatë izolimit 25-vjeçar, ne iu kemi dhënë shumë talente kombëtareve dhe ekipeve botërore. Nga sot, ata e kanë vendin në kombëtaren e Kosovës. Jam mirënjohës për të gjithë që punuan për anëtarësimin e Kosovës në FIFA. Ishte një rrugëtim i gjatë i ndërkombëtarizimit të sportit kosovar. E filluam me pingpong dhe e përfunduam sot në FIFA. Të bashkuar duhet të luftojmë për betejën e radhës, për fitoren e radhës, për ditën historike të radhës për Kosovën”, shprehet Thaçi.
Edhe Kryeministri, Isa Mustafa shprehu një mesazh urimi. Kosova sapo u bë anëtare e familjes botërore të futbollit, FIFA. Sukseset për vendin tonë nuk kanë të ndalur. Së shpejti do t’ju sjellim lajme të tjera të mira. 2016-ta pa dyshim është viti ynë. Kosova është gati!”, u shpreh ai. Nga ana e tij, Kadri Veseli, kryetar i Parlamentit tha: “Kosova sapo arriti një fitore të re të madhe në fushën e sportit, duke u anëtarësuar në FIFA. Ky ishte një hap i rëndësishëm përpara në konsolidimin e mëtutjeshëm të imazhit dhe pozitës së Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Shumë shpejt, mbarë bota, do ta shijojë futbollin e talenteve të panumërta të rinisë sonë”.

Thaçi: Një rrugëtim i gjatë i sportit kosovar

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar Kosovën për anëtarësimin e saj në FIFA. Me anë të një statusi në rrjetin social ‘Facebook’, Thaçi theksoi se ky ishte një rrugëtim i gjatë i sportit kosovar. “Anëtarësimi sot në FIFA, përfundimisht krijon një terren të ri për promovimin e futbollit kosovar në garat botërore. Gjatë izolimit 25-vjeçar, ne iu kemi dhënë shumë talente kombëtareve dhe ekipeve botërore. Nga sot, ata e kanë vendin në kombëtaren e Kosovës. Jam mirënjohës për të gjithë që punuan për anëtarësimin e Kosovës në FIFA. Ishte një rrugëtim i gjatë i ndërkombëtarizimit të sportit kosovar. E filluam me pingpong dhe e përfunduam sot në FIFA. Të bashkuar duhet të luftojmë për betejën e radhës, për fitoren e radhës, për ditën historike të radhës për Kosovës. Gëzuar! HTH”, citohet në mesazhin e Thaçit.

Mustafa: Së shpejti do t’ju sjellim lajme të tjera të mira

“2016-ta padyshim është viti ynë”, shkruan Kryeministri Isa Mustafa, ndërsa përshëndet pranimin e Kosovës në FIFA. “Kosova sapo u bë anëtare e familjes botërore të futbollit, FIFA. Sukseset për vendin tonë nuk kanë të ndalur. Së shpejti do t’ju sjellim lajme të tjera të mira. Kosova është gati”, shkruan në Facebook kryeministri Isa Mustafa.

Veseli: Mbarë bota do të shijojë futbollin dhe talentin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli menjëherë pas pranimit të Kosovës në FIFA vlerëson se, kjo është një arritje tjetër e madhe për Kosovën. “Kosova sapo arriti një fitore të re të madhe në fushën e sportit, duke u anëtarësuar në FIFA. Ky ishte një hap i rëndësishëm përpara në konsolidimin e mëtejshëm të imazhit dhe pozitës së Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Shumë shpejt, mbarë bota, do ta shijojë futbollin e talenteve të panumërt të rinisë sonë”, shprehet ai.