Koalicioni i djathtë, pro votimit dhe numërimit elektronik

Koalicioni i djathtë do t’i propozojë Komisionit për Reformën Zgjedhore aplikimin e votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Dje, partitë opozitare zhvilluan një takim në selinë e PD, ku diskutuan rreth reformës zgjedhore dhe qëndrimit të koalicionit të djathtë. “Në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta që po bëjmë për hartimin e një platforme për zgjedhje të lira dhe të ndershme, tryeza e koalicionit të partive të djathta sot diskutoi rreth sistemit të votimit dhe numërimit dhe arritëm në konkluzionin e përbashkët për të mbështetur praktikën e votimit dhe numërimit elektronik, votimin biometrik dhe numërimin elektronik. Në tryezat e ardhshme të koalicionit do të vazhdojmë me çështje të tjera, të cilat përfshijnë sistemin zgjedhor, financimin e partive politike, marrëdhëniet me mediat, depolitizimin e mëtejshëm të sistemit zgjedhor dhe çështje të tjera, të cilat janë me interes për të gjithë partitë pjesëmarrëse në këtë koalicion”, u shpreh dje për mediat, nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho pas tryezës me partitë aleate.  Pak ditë më parë, Basha bëri të ditur se Partia Demokratike ka finalizuar diskutimet për platformën për procesin zgjedhor ku ka vendosur t’i propozojë Komisionit Ad Hoc për Reformën Zgjedhore votimin elektronik me shenjat e gishtërinjve. Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi se zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe gjithçka që ka të bëjë me garantimin e tyre janë dhe do të mbeten kusht absolut i PD.  “Partia Demokratike dhe unë e kemi bërë të qartë prej fillimit, pa një reformë zgjedhore që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme asgjë tjetër nuk do të funksionojë normalisht në këtë vend. Natyrisht ne jemi edhe sot kemi qenë pjesë dinjitoze e përpjekjes për një Reformë në Drejtësi, pa propagandë, pa shtirje siç bënë ata që thonë do ta votojmë pa e lexuar, por me seriozitetin që meriton Reforma në Drejtësi jemi angazhuar dhe do të vazhdojmë të angazhohemi. Por zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe gjithçka që ka të bëjë me garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë prioritet i prioriteteve. Ua kam thënë dhjetëra herë këtu dhe në të tjera forume dhe si të tilla janë dhe mbeten kusht absolut i Partisë Demokratike dhe i opozitës për gjithçka tjetër në këtë vend”, u shpreh Basha. Ai parashtroi para medias propozimet që PD do të bëjë në Komisionin për Reformën Zgjedhore, ndërsa citoi votimin biometrik, numërimin elektronik, kontrollin e plotë të financave të partive politike dhe kriminalizimin e donacioneve private përmes financimit 100% të partive nga buxheti i shtetit. Ai citoi gjithashtu kufizimin e shpenzimeve në fushatë elektorale dhe të gjithë aspektet e tjera që kanë të bëjnë me shkurtimin e duarve të korrupsionit dhe krimit nga vota e shqiptarit, hapësirë e barabartë të partive politike në media.