Byroja, ekspertë të FBI do monitorojnë çdo hetim

Ekspertët e FBI jo vetëm që do të trajnojnë punonjësit shqiptarë në lidhje me funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, por njëkohësisht do të monitorojnë çdo hetim që do të ndërmarrë ky institucion. Kjo është bërë e ditur dje nga përfaqësuesi i OPDAT, John Smibert.
Në Durrës, ekspertët e nivelit të lartë për Reformën në Drejtësi prezantuan ndryshimet në ligjin për organizimin e Prokurorisë, ligjin e ri për Prokurorinë Speciale dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Përfaqësuesi i OPDAT i pranishëm në këtë tryezë kërkoi bashkëpunim për këtë paketë të rëndësishme ligjore.
Konsultimi publik për paketën ligjore të ndryshimeve kushtetuese që do të shoqërojnë Reformën në Drejtësi u zhvendos në Durrës. Në këtë tryezë grupi i ekspertëve të nivelit të lartë prezantuan ndryshimet në ligjin për organizimin e Prokurorisë, ligjin e ri për Prokurorinë Speciale dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.
“Drejtori i Byrosë Kombëtare, emërohet e shkarkohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorëve. Drejtori i Policisë mund të zgjidhet nga radhët e Policisë, Policia Gjyqësore ose anëtarët e Byrosë. Gjithashtu hetuesit e Byrosë, mund të zhvillojnë hetime, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme” u shprehën ekspertët gjatë takimit.
Eksperti i nivelit të lartë Artan Hoxha, shpjegoi risitë e draftit. “Për të rregulluar funksionimin e Prokurorisë në tërësinë e vet dhe të organizmave që lidhen me veprimtarinë e saj nuk është i mjaftueshëm vetëm për të parë këtë projektligj sepse sipas paketës kushtetuese ka edhe disa projektligje të tjera, të cilat e shoqërojnë zbërthimin e amendimeve kushtetuese, si për shembull në këtë projektligj nuk rregullohet mënyra e organizimit dhe funksionimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”.
Përfaqësuesi i OPDAT, John Smibert tha se projektligjet janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë pasi kanë të bëjnë me Njësinë Speciale të Hetimit të Korrupsionit. John Smibert: “Aftësia për të luftuar krimin dhe korrupsionin është me rëndësi si për Shqipërinë edhe për SHBA se SPAK do të funksionojë njësoj si gjykata, por edhe do të fokusohet në luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta. Ndërsa Byroja Kombëtare e Hetimit do të ketë ekspertë të FBI, të cilët do të trajnojnë punonjësit shqiptarë dhe do të monitorojnë hetime të pavarura”.
Ekspertët kanë bërë të ditur se Byroja Kombëtare e Hetimit do të funksionojë me një grup nenesh brenda njësisë SPAK, njësia e posaçme në Prokurorinë e Përgjithshme për hetimin e korrupsionit.