Vendi nën terror, vrasja në zemër të Tiranës pa autorë

Ekzekutimi i Elton Çiços mbrëmjen e të dielës në një lokal në zonën e ish-Bllokut tregoi edhe një herë se krimi bën ligjin. Vrasja ndodhi në zemër të Tiranës në një zonë të mbipopulluar dhe ku forcat e policisë janë të shumta në numër. Edhe pse në tavolinën ku ndodhej viktima ishte një punonjës policie, vrasësi e kreu “misionin” e tij pa asnjë problem, duke krijuar tmerr dhe panik tek qytetarët që ndodheshin të shumtë në zonën ku ndodhi krimi.
Kjo vrasje tregoi edhe një herë se sa të pasigurtë ndjehen qytetarët në jetën e përditshme. Policia që arreston një shitës domatesh pse shet pa leje në trotuar, nuk arrin të arrestojë kriminelët që vrasin në mes të kryeqytetit dhe largohen pa asnjë pengesë. Policia e Tahirit është e paaftë për të luftuar krimin, ndërsa zyrtarët e policisë si në çdo vrasje, “fajësojnë” viktimën, duke deklaruar se “ka qenë me precedentë kriminalë”. Vrasësit lëvizin të lirë të armatosur në mes të kryeqytetit, ndërsa zyrtarët e policisë janë rreshtuar me trafikantët e drogës dhe numërojnë çdo rrënjë kanabisi të mbjellë për të ndarë fitimet me trafikantët.
Si mund të spjegohet fakti që vrasja e krye në një zonë, ku siguria është tepër e lartë, dhe policia nuk ndërhyri për të parandaluar krimin? Si është e mundur që viktima ishte i armatosur dhe ndodhej në tavolinë me një oficer policie? Vrasësi i Çiços është futur qetësisht në lokal me pistoletë në dorë dhe ka qëlluar drejt viktimës që ndodhej në tavolinë edhe me një punonjës policie dhe më pas autori është larguar qetësisht nga lokali.
Në momentin kur është qëlluar viktima, të katërt personat janë çuar nga tavolina përfshirë edhe Elton Çiçon. Por për shkak të plagëve të marra, Elton Çiço është rrëzuar mbi tavolinë. Çiço ka qenë i armatosur, por nuk ka mundur ta përdorë pistoletën. Pasi ekzekutoi me armë 35-vjeçarin Çiço, vrasësi është larguar me vrap nga lokali. Ai ka kaluar në disa rrugica të zonës së ish-Bllokut, dhe më pas dyshohet se është larguar me makinë.
Elton Çiço është dërguar në spital nga personat që ishin prezentë. 35-vjeçari Çiço nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërron jetë në spital. Elton Çiço dyshohet se ka qenë i armatosur, por nuk ka mundur ta përdorë pistoletën, pasi autori ka qëlluar menjëherë.
Vrasja e Çiços është ende pa autor, ndërsa policia bëri të ditur se, vrasja ka ndodhur për hakmarrje. Burime nga policia thanë se, Elton Çiço ishte përfshirë në një konflikt me personat që i grabitën shtëpinë në marsin e vitit të kaluar, në Tepelenë. Grabitësit i kishin rrahur prindërit dhe më pas ishin arrestuar. Në atë kohë u shpallën të dyshuar për ngjarjen Robert Rama, i vrarë në qershorin e vitit të kaluar dhe Ervis Imeri. Ky i fundit është shoqëruar nga policia për t’u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Ervis Imeri  i shpëtoi një atentati me tritol, por vëllai i tij u plagos rëndë nga një atentat tjetër me tritol. Policia bëri të ditur se viktima Elton Çiço u ekzekutua për shkak të hakmarrjes. Sipas dëshmitarëve, pasi qëlloi mbi viktimën, autori që nuk mbante maskë, por një kapele në kokë dhe i veshur me rroba sportive, është larguar në këmbë nga një rrugicë pas ambienteve të lokalit.

Vrasja në Tiranë, Tahiri: Elton Çiço u vra sepse duhej vrarë

Ish-kryeministri Berisha ka reaguar dje për vrasjen e ndodhur të dielën në mbrëmje në zonën e ish-Bllokut, pranë stadiumit “Selman Stermasi” në kryeqytet. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, qeveria është një organizatë kriminale, ndërsa thekson se, sipas ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Elton Çiço u vra sepse duhej vrarë.
“Qeveri organizate kriminale! Saje qorri: Elton Çiçon e vranë se duhej vrarë, ishte trafikant, vrasës etj., etj. Prandaj dhe: Vrasësin e nisëm me pushim në drejtim të paditur. Kurse hjeksin, pas terapisë me psikolog do ta shpërblejmë, jo ne, por pala që u hakmor! Qeveri organizatë kriminale. Sb”, shkruan Berisha në Facebook.
36-vjeçari Elton Çiço u ekzekutua me 2 plumba të dielën në mbrëmje rreth orës 22:05 në një lokal pranë shkollës “Emin Duraku”. Vrasja ka qenë e tipit mafioz, pasi autori ka hyrë me shpejtësi në lokal, është drejtuar menjëherë nga tavolina ku ndodhej Çiço me tre persona të tjerë dhe e ka qëlluar me dy plumba në kokë me gjakftohtësinë më të madhe. Mësohet se një nga personat që ndodhej në tavolinë me viktimën ishte oficer policie. Pasi ka kryer vrasjen, ai është larguar me shpejtësi nga lokali. Ngjarja ka shkaktuar panik se në vendngjarje ka pasur shumë  qytetarë që ishin ulur në lokal.

Viktima Elton Çiço kushëriri i kryebashkiakut të Tepelenës

Elton Çiço, viktima e të dielës, është djali i dajës i Tërmet Peçit, Kryetarit të Bashkisë së Tepelenës. Një vit më parë, në prill të 2015-ës, familja e dajës së kryebashkiakut të Tepelenës, Tërmet Peçi, është lidhur me litar, dhunuar dhe grabitur. Autorë të kësaj ngjarjeje, që shkaktuan plagosjen e rëndë të çiftit Naim dhe Andoleta Çiço, u identifikuan nga policia dhe rezultoi se ishin tre të rinj nga Kruja e Durrësi.
Në atë kohë, burimet policore lokale bënë me dije se, ngjarja ishte denoncuar pak pas mesnatës. Salla operative e Komisariatit të Tepelenës u njoftua se në lagjen “Demokracia” të qytetit, në shtëpinë e Naim Çiços, 61 vjeç, i cili ishte bashkë me të shoqen, Andoletën, tre persona të maskuar dhe të armatosur nën kërcënimin e përdorimin e armëve të zjarrit, kanë vjedhur një shumë prej pesë mijë eurosh dhe më pas janë larguar duke përfituar prej errësirës.
Policia, e cila e njihte Çiçon edhe për faktin se ai ishte daja i kryebashkiakut të Tepelenës, Tërmet Peçi, ka shkuar me shpejtësi në vendin e ngjarjes dhe ka rrethuar zonën. Për shkak të mbërritjes së shpejtë të patrullës policore në vendin e ngjarjes, autorët e këtij krimi braktisën mjetin e markës “Audi A3”, me targa italiane CD 368 PT, me të cilin kishin menduar të arratisen pas grabitjes. Më pas, ata janë larguar në këmbë, dhe duke përfituar nga errësira i kanë shpëtuar arrestimit policor.
Pas gjetjes së mjetit të parkuar, policia ka nisur hetimin për identifikimin e autorëve, ku fillimisht ka zbuluar pronarin e mjetit, i cili rezulton se është Robert Rama, 31 vjeç nga Laçi i Krujës, të cilit i kanë gjetur në makinë të gjitha dokumentet personale të tij.
Por, veç tij, policia ka identifikuar edhe dy shokë, me të cilët udhëtonte, pikërisht A. J., 37 vjeç, dhe S. J., 30 vjeç, të dy banues në Durrës. Ata janë shpallur në kërkim bashkë me Ramën.
Kurse në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti, një automatik model 56 me qytë të prerë, dy krëhëra me 30 fishekë, një krehër pistolete me 10 fishekë të kalibrit 9 mm, një gëzhojë e plasur e kalibrit 7.65 mm, një celular, dy karta SIM, dokumente identifikimi, si dhe sende të tjera personale të autorëve, sende të gjetura brenda në automjet.
Policia pati gjetur edhe një targë të mjeteve diplomatike, e cila mendohet se përdorej nga autorët për t’u arratisur dhe për t’u shpëtuar kontrolleve policore. Nga ana tjetër, grupi hetimor mori kontakt edhe me çiftin e dhunuar, të cilët kanë rrëfyer terrorin e përjetuar nga tre të rinjtë.
Sipas të dhënave, çifti ka deklaruar se tre të rinjtë kishin hyrë të maskuar në shtëpinë e tyre dhe kanë kërkuar paratë që mbanin aty. Fillimisht, ata i kanë lidhur me litar dhe më pas i kanë goditur me shkelma në pjesë të ndryshme të trupit, derisa kanë gjetur paratë e kursyera të tyre.
Pas marrjes së parave, ata janë larguar, por shumë shpejt janë detyruar të braktisin mjetin dhe u shpallën në kërkim policor.

R.POLISI