Ushtarakët e FA: Hetimi i Mimit për rrëzimin e helikopterit i manipuluar

Ushtarakë të Forcave Ajrore denoncojnë manipulimin e hetimit të Ministrisë së Mbrojtjes për rrëzimin e helikopterit EC 145 në Liqenin e Shkodrës. Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur pak ditë më parë mbylljen e hetimit administrativ për rrëzimin e helikopterit të Forcës Ajrore me numër anësor 637 të tipit EC 145, të ndodhur në datën 6 prill 2016. Në përfundim të këtij hetimi, sipas Ministrisë së Mbrojtjes u bë e ditur se, “planizimi, organizimi dhe drejtimi i fluturimit stërvitor të helikopterit FA-637 në datën 6 prill 2016, është bërë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, që rregullojnë veprimtarinë e Forcave të Armatosura.
Forca Ajrore, Baza Ajrore e Farkës dhe strukturat e tyre, kanë planizuar dhe drejtuar fluturime stërvitore në përputhje me rregullat e sigurimit të fluturimit ajror. Ekuipazhi i helikopterit ishte duke kryer një stërvitje fluturimi vizual në përputhje me planin stërvitor të Forcës Ajrore. Ministria e Mbrojtjes falenderon Prokurorinë për bashkëpunimin dhe ndihmën e dhënë në këtë hetim administrativ si dhe institucione të tjera me të cilat kemi bashkëpunuar. Gjithashtu falënderon ekspertët amerikanë dhe Ambasadën e SHBA në vendin tonë, për asistencën e ofruar prej tyre”.
Por vetëm pak ditë në përfundim të këtyre hetimeve, ushtarakë të Forcave Ajrore, denoncojnë manipulimin e këtij hetimi. Për ata, mjafton vetëm një fakt i thjeshtë, që e hedh poshtë këtë hetim. “Është e jashtëzakonshme dhe e pabesueshme. Hetimi administrativ doli me përfundimin që planizimi, organizimi dhe drejtimi i fluturimit ishte në përputhje me rregullat e sigurimit të fluturimit ajror… ?!”, pyet një oficer i këtyre forcave.
Po vetë, në formë pyetje ai përgjigjet dhe saktëson: “Po zjarrfikësi në bord, ç’kërkonte në vend të teknikut të bordit… Dhe kjo duhet të konsiderohet, sipas rregullave dhe fluturimi në përputhje me standardet e kërkuara. Ç’të bëjmë ende, të lejojmë që ministrja të fusë edhe zjarrfikës të tjerë në bord…?!”, ironizon ushtaraku i Forcave Ajrore.
Shumë reagime të profesionistëve dhe përfaqësuesve të Forcave Ajrore rrëzojnë pretendimet e Ministrisë së Mbrojtjes. Një pilot i repartit ushtarak të helikopterëve në Farkë deklaroi pak ditë më pare se, fluturimi i helikopterit që u rrëzua në Liqenin e Shkodrës ka qenë jashtë planeve të fluturimit të asaj dite.
“Si pilot i këtij reparti për të ndihmuar sadopak në zbardhjen e të vërtetës të kësaj ngjarje tragjike në të cilën humbën jetën dy kolegë të mi dua të theksoj se hetimi serioz i kësaj çështjeje duhet t’ju japë përgjigje pyetjeve që vijojnë. Pse u dërgua jashtë çdo plani të asaj dite të stërvitjes në Dukagjin helikopteri EC-145? Dukagjini nuk ishte në planin e stërvitjes të asaj dite. – A kishte lidhje fluturimi në Dukagjin i helikopterit EC-145 me fluturimin në të njëjtën kohë po në Dukagjin të helikopterit “Shega Trans”? – Koha e stërvitjes për helikopterët e regjimentit tonë është si rregull i prerë 1 orë e 30 min. -Pse qëndroi mbi dy orë në fluturim helikopteri EC-145? Ai është rrëzuar mbi Liqenin e Shkodrës pas 125 minutash fluturimi. Zgjatja e fluturimit mund të krijojë probleme të rënda edhe nga karburanti sidomos ky i yni! – Pse në bordin e helikopterit në fluturim stërvitor nuk ishte ashtu siç e përcakton në mënyrë të prerë rregullorja, inxhinier apo teknik fluturimi, por ishte një ushtar profesionist që e ka të ndaluar kategorikisht fluturimin me helikopter në stërvitje. Çfarë misioni kishte në bordin e helikopterit ushtari profesionist? Pse nuk u aktivizuan jastëkët e ajrit në këmbët e helikopterit me të cilat ai mund të notojë në ujë dhe asnjëri nga sistemet e tjera të sigurisë dhe shpëtimit të tij dhe së fundi, a ka lidhje ky mosaktivizim i sistemeve të sigurisë të helikopterit të mbytur me faktin, se asnjëri nga kolegët e mi të ndjerë në bord nuk plotësonin kushtet teknike profesionale të kërkuara për pilotimin e helikopterit EC-145” ishin pyetjet dhe dyshimet e ngritura nga një pilot profesionist, në një denoncim të publikuar nga ish kryeministri Berisha.
Një helikopter i Ushtrisë u rrëzua më 6 prill në ujërat e Liqenit të Shkodrës pranë fshatit Grizhë të Malësisë së Madhe, duke shkaktuar vdekjen e dy pilotëve dhe plagosjen e një ushtari. Sipas burimeve, në bordin e helikopterit Euro Copter 145 kanë qenë dy pilotë, kapiten Florian Deliaj dhe toger Donald Hoxha, të cilët kanë humbur jetën, ndërsa është plagosur ushtari profesionist Gerald Baramuça. Kapiten Florian Deliaj dhe toger Donald Hoxhaj u nxorën nga polumbarët prej ujërave të liqenit.

A.Shahini