Trishtimi që më vjen nga Vlora… dhe Lungo(go)marja patriotike

Flutura AÇKA

Kur të hënën e 10 nëntorit 1913, gjenerali holandez De Veer dhe zëvendësi i tij, koloneli Tomson, mbërritën në mbrëmje në portin e vogël të Vlorës, peizazhi që iu shfaq para syve i kujtoi atë zviceran, me male të gjelbërt, me nja 5 minare dhe një qetësi të pahasur kund.
Nuk kishte zhurma qytetërimi, as industri dhe në rrugën deri në qytet kishte vetëm ndërtesa prej druri.
Në mol kishte shumë kureshtarë që i pritën me një dashuri të dukshme. Pak muaj më vonë, më 3 gusht të vitit 1914, pas atyre gjithë çfarë ndodhi, gjenerali e la Vlorën dhe kaosin që e shoqëroi, dhe pa kolonelin e tij, i cili ishte vrarë në Durrës në rrethana krejt të paqarta.
Kur u kthye në atdhe, ndryshe nga oficerët e tij që nuk lanë katedër pa treguar bëmat që u kishin ndodhur në Shqipëri, u mbyll në vetvete. Në fakt e kishte shkruar gjithçka në ditarin e tij dhe letrat që ia kishte dërguar dit’m’dit’ së shoqes. Kur dikush e pyeti atë vjeshtë të 1914-tës se si ishin shqiptarët, ai i tha shkurt: “Janë nacionalistë, por jo patriotë”.
Duke e parë këto ditë Vlorën, që ende vazhdon me po ato ethe të pushtohet nga betoni, m’u kujtuan fjalët e gjeneralit De Veer. Sa pak patriotë janë këta nacionalistët vlonjatë, që e kanë betonuar Vlorën dhe kanë bërë këtë masakër urbane, ndër më tragjiket në Shqipëri. “Gjika and Co”, “Kolloz and Co” dhe tani “Leli and Co”, këta antivlonjatë, bashkë me deputetët e tyre të dashur “Rama and Co”, për vite i dhanë fund Vlorës sonë të bukur.
Dhe vlonjatët, këta nacionalistë të thekur, i kanë duartrokitur me heshtjen e tyre, e kanë pranuar shkatërrimin e këtyre “patriotëve” delenxhinj. Ngjituni në Kus-baba e shiheni Vlorën, shkoni në Kaninë dhe shihni se si fshati i famshëm po kthehet në qytetth prej betonit, shkoni në Orikum të shihni tmerrin e betonit ku janë mbjellë pallate, por jo një pemë e vetme. E ku, në mes të Orikut, Karaburunit, Llogarasë, Aulonës dhe Tragjasit, një hapësirë nga më turistiket shqipare.
Masakra vazhdon me po të njëjtën ethe, dhe ajo e ashtuquajtura “Lungomare” në këtë peizazh betoni, nuk mund të quhet veçse “Lungo-gomare patriotike”.