Shullazi i grabiti pronën 1 milionë euro, e regjistroi me emrin e Danit

Një grua biznesmene ka dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda se si Emiljano Shullazi i ka grabitur një pronë me vlerë 1 milion euro, duke e kërcënuar. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, grupi hetimor ka marrë denoncimin e një shtetaseje me banim në kryeqytet, emri i së cilës nuk bëhet publik për arsye sigurie, e cila ka denoncuar direkt Emiljano Shullazin dhe krahun e djathtë të tij, Gilmando Danin për marrjen e një prone në afërsi të zonës së njohur si “Zogu i Zi”. Mësohet se kallëzuesja është me profesion juriste dhe ka një moshë rreth të 50-ve. Ajo ka treguar para grupit hetimor me detaje kalvarin e vuajtjeve dhe kërcënimeve të Shullazit dhe bandës së tij për t’i marrë pronën.
Biznesmenia ka deklaruar se prona i është marrë nën kërcënim nga banda e Shullazit dhe është regjistruar në emër të Gilmando Danit. Për marrjen e kësaj prone, denoncuesja, që është marrë në mbrojtje nga policia pas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ka thënë se Shullazi dhe banda e tij kanë kërcënuar edhe një gjyqtare të Gjykatës së Shkallës së Parë administrative në Tiranë. Gjyqtarja që kishte në proces një veprim administrativ me Hipotekën e kryeqytetit, ku pas presionit vendimi është dhënë në favor të tyre, ka deklaruar denoncuesja e mbrojtur.
Burimet e Prokurorisë bënë të ditur se, deklarimet e kësaj shtetaseje po verifikohen me provat dhe veprime në terren, për të parë se sa qëndrojnë këto pretendime. Nga ana tjetër, Prokuroria sqaron se është në pritje të përgjigjeve nga Hipotekat në vend, ku është kërkuar evidentimi i pronave ku Shullazi dhe pjesëtarët e bandës së tij figurojnë si pronarë. Me evidentimin e tyre, grupi hetimor thotë se, do të kërkohet sekuestrimi i tyre deri në sqarimin e mënyrës së përfitimit të këtyre pronave, pasi Shullazi është shprehur se është i papunë.
Sipas akuzës, prokurorët janë në pritje të kallëzimeve të biznesmenëve, të cilët dyshohet se janë gjobitur nga Shullazi dhe banda e tij, duke i marrë shuma të konsiderueshme parash. Pasi deri më tani asnjë prej tyre nuk ka pranuar se i është vendosur gjobë apo të kenë paguar te Shullazi. Deri më tani, thonë prokurorët në dosje ndodhen vetëm informacione të ndryshme të policisë dhe Shërbimit Sekret, që kanë zbardhur në rrugë operative aktivitetin e bandës së drejtuar nga Shullazi.
Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur para pak ditësh se do të vazhdojë hetimet për akuzën e “gjobëvënies” për Emiljano Shullazin, pavarësisht se katër biznesmenët që janë gjobitur nga Shullazi nën kërcënime nuk pranuan të bëjë kallëzim penal. Për momentin, Prokuroria nuk po merret me pyetjen e këtyre biznesmenëve, pasi po punohet në rrugë operative që të provohet kontakti i tyre me bandën e Shullazit dhe personave ndërmjetës.
Vepra penale, për të cilën akuzohet Shullazi, thanë burimet nuk është vepër penale që personi mund të heqë dorë apo mos të kallëzojë. Kjo vepër ndiqet penalisht edhe me iniciativë të Prokurorisë, për të provuar krimin që të dyshuarit mendohet se kanë konsumuar.
Nga ana tjetër, Prokuroria ka dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore rreth 30 kamera të sigurisë, të cilat janë sekuestruar nga biznese e rrugë të ndryshme në Tiranë. Në mesin e këtyre pamjeve, mësohet se janë pamjet e kamerave të sigurisë së hyrje-daljeve të kryeqytetit, kamerat e Bashkisë që ndodhen në kryqëzime dhe rrugë kryesore, kamera të policisë si dhe bizneset e ndryshme.
Emiljano Shullazi ndodhet në paraburgim në Tiranë, një javë pasi u transferua në burgun e Elbasanit. Avokati i tij ka deklaruar se do ta apelojë masën e sigurisë “arrest me burg”, duke kërkuar lirimin e Shullazit dhe shokut të tij Gilmando Dani. Ndërsa ka kërkuar që dosja e Blerim Shullazit të ndahet dhe të ndiqet nga Gjykata dhe Prokuroria e Krujës. Emiljano Shullazi dhe dy bashkëpunëtorët e tij akuzohen për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, gjobvënie, trafik droge, shkatërrim prone me eksploziv, kanosje për shkak të detyrës dhe armëmbajtje pa leje.

Merret në mbrojtje biznesmenia që dëshmoi kundër Shullazit

Biznesmenia që ka dhënë dëshminë e saj para kryeprokurorit të Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj për rrëmbimin e pronës me vlerë rreth 1 milion euro në afërsi të “Zogut të Zi” në Tiranë nga Emiljano Shullazi është marrë në mbrojtje nga policia pas urdhërit të lëshuar nga Prokuroria. Sipas dëshmisë së biznesmenes në Prokurori, Emiljano Shullazi e ka kërcënuar përreth një vit derisa ka arritur t’i marrë pronën. Prona ka kaluar në procese gjyqësore, ku pas kësaj kohe, Gjykata Administrative pronën në fjalë e kaloi në emër të Gilmando Danit.
Prokuroria e Krimeve të Rënda që ka bërë edhe regjistrimin dhe ka marrë kallëzimin penal të saj, nuk bën të ditur emrin e gruas në fjalë për arsye se asaj mund t’i kërcënohet jeta dhe për këtë shkak ajo është marrë nën mbrojtje nga ana e Policisë së Shtetit.
Kallëzimin e saj gruaja 50¬-vjeçare banore e Tiranës e ka bërë edhe për gjyqtaren që ka shqyrtuar çështjen e saj në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë (padi e shtetases ndaj Hipotekës së Tiranës për mosregjistrimin e pasurisë në fjalë.
Sipas kallëzimit kjo gjyqtare ka ndryshuar rrjedhën e procesit në lidhje me pronën pas ndërhyrjeve nga Shullazi e Gilmando Dani. Pas padisë së bërë nga Jani Zika në 3 shkurt 2016, ky është kallëzimi i dytë penal që bëhet në Prokurori ndaj Emiljano Shullazit, i cili po hetohet për gjobëvënie edhe ndaj 4 biznesmenëve që nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim ndaj tij edhe pse janë ftuar nga Prokuroria.
Ndërkohë, pas një jave qëndrimi në burgun “VIP” të Elbasanit, Emiljano Shullazi është rikthyer sërish në Tiranë. Lëvizja është bërë, pasi avokati i tij mbrojtës e ka apeluar masën e sigurisë “arrest me burg” dhe Shullazi pritet këto ditë të dalë para Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.
Prandaj është menduar që ai të qëndrojë në paraburgim në kryeqytet. Emiljano Shullazi, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi akuzohen për kërcënime dhe gjobvënie. Avokati i Emiljano Shullazit ka kërkuar që të ndahet dosja dhe Blerim Shullazi të gjykohet nga Gjykata dhe Prokuroria e Krujës.
Dje një biznesmene ka dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda kundër Emiljano Shullazit dhe grupit të tij. Gruaja, emri i së cilës nuk bëhet me dije ende, pretendon se i është marrë nën kërcënim një pronë me vlerë rreth 1 milion euro.

Sekuestrimi i pronave të bandës së Shullazit

Prokuroria e Krimeve të Rënda para pak ditësh nxori një urdhër sekuestrimi të llogarive të kompanisë arabe “Saudi Brothers Commercial Company” dhe administratorit të kësaj kompanie Ylvi Beqja. Sipas Prokurorisë, dyshohet se prona e ish-hotel “Vollga” është përfituar me anë të dokumenteve të falsifikuara dhe për pasojë shitja e një pjese të saj, mund të ketë sjellë konsumimin e elementëve të veprës penale të pastrimit të parave. Për këtë fakt, është vendosur sekuestrimi i pronës dhe bllokimi i llogarive bankare. Masë sekuestroje është marrë edhe për garazhin 1200 m2 që ndodhet në zonën e “Nesharakut” në Tiranë.
Para disa ditësh, Prokuroria e Durrësit vendosi për sekuestrimin e ish-hotel “Vollga”, një pjesë e të cilit i është “dhuruar” Emiljano Shullazit. Historia e pronësisë së hotel ish-“Vollgës” dyshohet se është e ndërtuar mbi falsifikimin e dokumetave. Në 24 mars 1994, kjo pronë i kaloi në pronësi trashëgimtare, Alije Fortuzi. Po në 4 dhjetor të këtij viti, përmes një prokurore të posaçme, shtetasi Ali Sula, në emër të Alije Fortuzit, ia shet atë shtetasit arab, Muhamed Abdulla Bawazeer.
Pikërisht këtu ka dyshime se zë fill falsifikimi i dokumeteve dhe nuk përjashtohet mundësia që të jenë përfshirë zyrtarë të Hipotekës së asaj kohe. Veprimet e shitjes dhe dhurimit, thotë Prokuroria, janë kryer nga shtetasi Ylvi Beqja, përfaqësues i kompanisë “Saudi Bradhers” të arabit Bawazeer. Dhurimi, sipas organit hetimor, i është bërë Shullazit nën kërcënim.
Nga këto veprime shkruan Prokuroria në dosjen hetimore, dyshohet se është kryer një vepër penale tjetër në Hipotekën e Durrësit dhe Tiranës, siç është ajo e zhdukjes së origjinës së kësaj prone dhe regjistrimin e saj në emër të Emiljano Shullazit.

R.POLISI