Papunësia tek të rinjtë 40%, PD subvencionim bizneseve që do punësojnë të rinjtë

“Tarifat do të ulen, arsimi i lartë do të garantohet për të gjithë ata që e dëshirojnë dhe ne do të bashkëfinancojmë në mënyrë të ndershme dhe konkurruese të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik dhe jopublik, me qëllim që djemtë dhe vajzat e shqiptarëve të kenë mundësi të realizojnë ëndrrën e tyre pa u bërë barrë shtesë për prindërit”
Lulzim Basha ka vendosur të sjellë një model dhe standard të ri në politikën shqiptare. E ka nisur me zgjedhjet “një anëtarë, një votë” për zgjedhjet e drejtuesve të partisë dhe Forumit Rinor dhe do ta vazhdojë me përzgjedhjen e kandidatëve të rinj për deputet. 35% e kandidatëve do të jenë të rinj, por përveç kësaj risi e veçantë është dhe përzgjedhja e tyre. Modeli amerikan i përballjes është përzgjedhur nga lideri i opozitës për të përzgjedhur 49 të rinjtë që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme.
Në bashkëbisedimin më të rinjtë e Vorës, Basha tha se do të jenë pikërisht të rinjtë me votën e tyre që do të zgjedhin kandidatët përfaqësues të tyre.
Basha: 49 kandidatë nga 140 kandidatët e ardhshëm do të zgjidhen me votën e drejtpërdrejtë nga radhët e rinisë demokrate. Ju do të nxirrni dhe evidentoni përmes gjykimit dhe votës tuaj, më të mirët, ata që ju përfaqësojnë më së miri. Do të rreshtoni ata me denjësi në listën e betejës tonë të ardhshme, që do të jetë lista e vlerave përballë listës së antivlerave. Do të jetë lista e besimit përballë listës së dëshpërimit. Do të jetë lista e shpresës përballë listës së zhgënjimit dhe depresionit.
Duke u ndalur te arsimi, Basha tha se, prioritet është dhënia e mundësisë çdo të riu të arsimohet. Tarifat do të ulen, theksoi kreu i demokratëve, përmes bashkëfinancimit direkt për çdo student nga buxheti. Masa e bashkëfinancimit do të përcaktohet nga dega dhe cilësia e universitetit. Kjo, theksoi zoti Basha, do të nxisë konkurrencën mes universiteteve për cilësi, si dhe do të orientojë të rinjtë të studiojnë në bazë të nevojave të tregut.
Basha: Tarifat do të ulen, arsimi i lartë do të garantohet për të gjithë ata që e dëshirojnë dhe ne do të bashkëfinancojmë në mënyrë të ndershme dhe konkurruese të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik dhe jopublik, me qëllim që djemtë dhe vajzat e shqiptarëve të kenë mundësi të realizojnë ëndrrën e tyre pa u bërë barrë shtesë për prindërit dhe xhepat e tyre të varfëruar e të goditur nga taksat e larta dhe nga paudhësitë e qeverisjes Rama-Meta.
Papunësia tek të rinjtë llogaritet rreth 40%. Kjo ka diktuar planifikim nga Partia Demokratike të mbështetjes së veçantë nga buxheti për kompani, të cilat punësojnë të rinjtë.
Basha: Ne do të ftojmë kompanitë më të mëdha të botës, do të financojmë ekspertët e tyre më të mirë për të orientuar degët e veçanta të teknologjisë së informacionit, degë të mësimdhënies dhe përgatitjes së kuadrove më të aftë në mënyrë që ata të shërbejnë në parqe teknologjike që do të hapin këtu në Shqipëri. Natyrisht jo në kushtet e Shqipërisë së Shullazit, jo në kushtet e Shqipërisë së Arben Ahmetajt e të Edi Ramës e Ilir Metës, por në kushtet e një Shqipërie që ofron regjimin më të favorshëm fiskal, sigurinë për të investuar, në kushtet e një qeverisje që subvencionon për çdo vend pune të ri që hapet për të rinjtë dhe të rejat shqiptare.