Leicester City ndryshon futbollin

132 vite pritje për të qenë dëshmitarë të një momenti historik. Qyteti i Leicester po jeton një ëndërr falë mrekullisë që nga pjesa dërrmuese e mediave britanike konsiderohet si mrekullia më e madhe e futbollit botëror. Leicester City ka siguruar një biletë për në librin e të pavdekshmëve të këtij sporti, pasi mbi të gjitha bashkoi miliona njerëz, tifozë të mijëra skuadrave të ndryshme. Nuk ka rëndësi nëse je tifoz i Boca Juniors apo River Plate, Milanit apo Interit, Galatasaray apo Fenerbahces, sepse për të vetmen herë të gjithë kanë qenë të bashkuar për të ndjekur nga larg ëndrrën e një skuadre të vogël që brenda një sezoni u bë e madhe.
Një skuadër që vetëm pak muaj më parë ishte thjesht një numër në listën e gjatë të ekipeve ishullore, pa vitrinë për reklamimin e trofeve dhe asgjë tjetër. Leicester regjistroi një arritje të pabesueshme, sepse Leicesteri shtriu me një grusht të vetëm dy skuadrat e Manchesterit, Chelsean, Arsenalin, Liverpoolin dhe Tottenhamin që në Premier League qarkullojnë miliarda euro. Ndoshta një film hollivudian sado mirë i realizuar nuk do të mjaftonte për të përshkruar rrugëtimin e çmendur. Gary Lineker tashmë duhet të prezantojë me të brendshme në një transmetim live në BBC, ndërsa një pjesë dërrmuese e tifozëve që kanë besuar te titulli dhe kanë guxuar të vendosin bast për këtë arritje, tashmë po festojnë me xhepat plot.
Arritja e Leicester ka një emër dhe një mbiemër, ai është Claudio Ranieri, trajneri 64-vjeçar, i cili ndër të tjera ishte edhe i pari në listën e shkarkimeve të bastvënësve në fillim të sezonit. Eksperienca e dështuar me Greqinë nuk i linte shumë mundësi njeriut që asnjëherë nuk i mungon buzëqeshja, por ai doli kundër të gjithëve, duke bërë goditjen më të madhe të karrierës së tij. Në krye të klubit qëndron pronari tajlandez me emër të pashqiprueshëm, pasuria e të cilit vlerësohet 2.8 miliardë dollarë duke rigjallëruar strukturat.
17 vjet pas një tjetër Schmeichel rikthehet të fitojë Premier League, por këtë herë është djali i legjendës Peter, Kasper. Gjatë gjithë sezonit tregoi siguri në katërkëndësh, ndërsa përpara kishte një mur të vërtetë mbrojtës, kapitenin Morgan që gjatë këtij sezoni nuk mungoi në asnjë minutë. Leicester e nisi kampionatin në mënyrën më të mirë, duke lejuar pak gola. “Herën e parë që nuk do të pësojmë gol do të shkojmë të gjithë të hamë pizza”, u premtoi Ranieri djemve të tij dhe mori rezultate të menjëhershme pse skuadra e tij nuk ka lejuar që topi të kalojë vijën fatale plot 15 herë.
Qershia mbi tortë është shpërthimi i papritur i bomberit Jamie Vardy. Në moshën 29-vjeçare sulmuesi që pak sezone më parë militonte në divizionin e katërt arriti të shënonte në 11 ndeshje rresht dhe siguroi vendin e titullarit në Kombëtaren e Anglisë. 22 gola në sezon për njeriun simbol që për të siguruar jetesën ka bërë punë nga më të rëndomtat, por tashmë qëndron në majën e botës.
Arritje të tilla të pabesueshme kanë regjistruar edhe Nottingham Forest, Danimarka në Europian, Verona në Itali, Kaiserslautern në Gjermani apo Greqia në Europian, por mediat këmbëngulin se suksesi i “dhelprave” ndryshon shumë, sepse Leicester City rilindi nga asgjëja për t’i dhënë një mesazh të qartë futbollit, një sport që nuk do të jetë më i njëjti pas titullit të fituar nga “dhelprat” e “King Power Stadium”.