Ballina Sport Kosova në UEFA!

Kosova në UEFA!

3 Maj 2016. Kosova ka një tjetër datë historike. Federata Kosovare e Futbollit është zyrtarisht anëtarja e 55-të e UEFA-s. Vendimi u morr në Kongresin e Zakonshëm të Konfederatës Europiane, të zhvilluar në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest. Pranimi u realizua pas 28 të siguruara, aq sa ishin të nevojshme për një mazhorancë të thjeshtë nga 54 federata anëtare të UEFA-s. 24 federata votuan kundër dhe 2 abstenuan, por në fund Kosova u anëtarësua me të drejta të plota.
Optimizmi për pranimin e përfaqësueses së Kosovës kishte nisur ditë përpara zhvillimeve të punimeve të Kongresit, që u drejtua nga Theodore Theodoridis dhe presidenti i përkohshëm, Angel Maria Villar. Por, edhe pse Kosova njihet si shtet nga 38 vende anëtare të Konfederatës Europiane që votuan, pranimi nuk ishte i lehtë, ashtu siç u mendua në fillim.
Me pranimin në UEFA merr fund kalvari i përfaqësueses së Kosovës, që prej 6 Majit 2008 hodhi hapin e parë drejt ndërkombëtarizimit, me kërkesën që në atë kohë nuk u miratua nga FIFA. Por, me anëtarësimin pranë UEFA-s edhe pranimi në FIFA është çështje ditësh dhe pritet të realizohet në Kongresin e institucionit që drejton futbollin botëror më 12 dhe 13 Maj në Mexico City. Kjo është arsyeja përse menjëherë pas aprovimit të marrë nga pjesa më e madhe e federatave europiane, tashmë për Kosovën do të nisin procedurat për t’u përfshirë në programin e kualifikueseve të Botërorit 2018 që do të zhvillohet në Rusi.
Kundërshtarët më të zëshme të anëtarësimit ishin Zvicra dhe Serbia. Para hedhjes për votim të Kosovës, kreu i Federatës së Futbollit kosovar, Fadil Vokrri kërkoi nga vendet anëtare që të mos penalizojnë futbollin dhe të ndjekin shembullin e organizatave të tjera sportive që kanë njohur Kosovën.
“Thuajse të gjitha federatat sportive në Kosovë janë njohur ndërkombëtarisht, ka mbetur vetëm futbolli. Na jepni mundësinë që edhe futbolli të njihet ndërkombëtarisht. Nuk ka asnjë arsye se përse Kosova të mos jetë pjesë e UEFA-s”, tha Vokrri.
Pas Vokrrit fjalën e mori kreu i Federatës Serbe të Futbollit, që e cilësoi politik gjithë procesin. “Po mbroj futbollin nga politika. Sigurisht nuk jemi kundër shtrirjes së futbollit në gjithë kontinetin tonë, por futbolli nuk duhet të kalojë linjën për të ndryshuar kufijtë e çdo vendi dhe pranimi i Kosovës do të vërtetonte që politika do të abuzonte futbollin ndaj duhet t’i themi jo imponimit të politikës mbi futbollin”, tha ai.
Zvicra, ndonëse në mënyrë më të moderuar se Serbia, u rreshtua kundër anëtarësimit. Përfaqësuesi i saj vuri theksin tek e ardhmja e futbollistëve të kombëtares së vet dhe statusit të tyre nëse Kosova do të anëtarësohet.
Frikës së Zvicrës iu përgjigj kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. “Kosova tashmë është një realitet që luan futboll, organizon kampionate brenda, ka skuadrat e veta dhe federatën e vet që nuk ka lidhje me federatën serbe. Edhe ne kemi futbollistë me origjinë nga Kosova dhe frika se mund t’i humbim ata nuk është me rëndësi për ne, me rëndësi është që të mendojmë për futbollin dhe vetëm për futbollin”,  është shprehur Duka.

Exit mobile version