Bllokmenët në pushtet rikrijojnë Bllokun e krimit

Vrasja më e fundit në Bllok, në qendër të kryeqytetit, ishte tejet tronditëse. Jo thjesht për faktin se si shumë krime të tjera mund të parandalohej nëse policia do të kishte vepruar për të zbardhur një seri krimesh të rënda të filluara një vit më parë me të njëjtin protagonist, që kërkonte të vinte në vend nderin e familjes së tij të dhunuar nga bandat.
Ngjarja e djeshme është tronditëse për faktin se edhe qendra e Shqipërisë nuk është një vend i sigurtë për të jetuar. Tek Blloku edhe më herët janë vrarë bankierë dhe kriminelë, biznesmenë dhe qytetarë të thjeshtë, por tani mediat konstatojnë me sy të lirë një shtim të frikshëm të kriminelëve që shoqërohen me ministra, deputetë dhe drejtues policie.
Në Bllok shfaqet në plotësinë e vet kriminalizimi i politikës, administratës dhe policisë shqiptare. Partia Demokratike ka denoncuar sistematikisht shkrirjen e krimit me pushtetin gjatë këtyre tri viteve të fundit që vendi qeveriset nga Kryeministri Edi Rama. Tashmë kriminelët qarkullojnë të lirë në Parlament, qeveri, në çdo hallkë të administratës dhe segment të policisë. Edi Rama nuk e ka më sekret se miqtë e tij më të ngushtë janë mafiozë, vrasës, trafikantë dhe kriminelë të regjur. Për çdo rast bashkëpunon dhe është në partneritet të thellë me secilin prej kapobandave që terrorizon vendin.
Të gjithë, nën bekimin e Ramës marrin tendera, prona, mbjellin dhe trafikojnë drogë dhe askush nuk i prek, duke e ndarë vendin në zona influence, sikur të ishte New Yorku i fillim shekullit të shkuar. Në këmbim ata paguajnë përqindjet tek Kryeministri, së bashku me besnikërinë për t’i shërbyer atij në çdo proces elektoral, duke vjedhur dhe blerë votat ose frikësuar votuesit dhe kandidatët e opozitës.
Shullazi, vëllezërit Mark dhe Arben Frroku, Arben Ndoka, Armando Prenga janë vetëm disa prej emrave me të cilët Rama nuk ka hezituar edhe publikisht të shfaqet sponsori i tyre kryesor, duke zgjeruar hapësirat e lirisë për aktivitetet e tyre kriminale, sikurse edhe duke mos lejuar ligjin t’i prekë.
Edhe kur këta banditë janë të ekspozuar e të pashpresë para veprimit të tij të drejtësisë, Rama bën gjithçka ka në dorë që të ofrojë imunitet për ta dhe të gjejë çdo shteg t’i nxjerrë “të palagur”. Bëri këtë gjë me Arben Frrokun, kur urdhëroi policinë t’i hapë kufijtë të arratiset, të mos e arrestonin në Mal të Zi dhe ta linte të lirë të fshihej nëpër Europë me identitet të rremë, duke urdhëruar Interpol Tiranën të mos i përgjigjej për dy muaj kërkesës së policisë holandeze që e kishte arrestuar dhe kërkon ta ekstradojë.
Njësoj bëri edhe me Frrokun tjetër deputet, duke mos ia dorëzuar policisë belge që e ka dënuar për vrasje. Njësoj bëri edhe me Prengën që qëlloi qytetarët e pafajshëm në oborrin e komisariatit, duke urdhëruar gjykatësit e tij ta lirojnë që të vijë në Parlament dhe të votojë ligjet e qeverisë. Njësoj bëri edhe me Ndokën që e la të lirë të shantazhonte, merrte peng kandidatët e tjerë të listës së Partisë Socialiste, për të zënë një vend në Parlament dhe pak para se ta prekte ligji i dekriminalizimit e riktheu guvernator personal në një prej qendrave ekonomike më të mëdha në vend.
Blloku është bërë një vend i pasigurtë, pasi veç faktit se është një hapësirë shumë e vogël për të qenë ndryshe nga pjesa e tjetër e Shqipërisë ku sundon krimi, është shndërruar në qendra e krimit të organizuar. Aty është Kryeministri, është ministri i Brendshëm, janë shefat e policisë, janë oligarkët e pushtetit, janë kapobandat që së bashku bëjnë plane për të shtuar pasuritë përmes krimit dhe forcës së armëve.
Aty zhvillohen tenderat dhe ndahen koncesionet e qeverisë, jepen lejet e ndërtimit dhe bëhen pazaret e drogës, bëhen emërimet dhe shkarkimet e zyrtarëve, hapen dhe mbyllen trarët e doganave dhe librat e tatimorëve, aty projektohen ditët e zeza për shqiptarët e thjeshtë, njësoj si 25 vite më parë kur Enver Hoxha dhe banda e tij projektonin terrorin komunist.
Krimi është rikthyer në Bllok, pasi bllokmenët janë rikthyer në pushtet.