Ronaldo gati ndaj Manchester Citit

Kristiano Ronaldo rikthehet të stërvitet në fushën e lojës, duke shpresuar të rikuperohet në kohë rekord për ndeshjen e së mërkurës ndaj Mançester Sitit. Vetë portugezi nuk e pranon faktin, nëse do të jetë në fushë apo jo, por thotë se Liga e Kampionëve është një kompeticion unik dhe i jep shumë adrenalinë. Ai flet për trajnerin Zidan dhe shpreson që francezi të vazhdojë të qëndrojë për shumë vite të tjera në krye të Real Madrid.
“Me Zidanin ndihemi më të vlefshëm në skuadër dhe e ndjejmë dashurinë që na jep. Një trajneri të ri i duhet kohë, por ai është unik për mënyrën se si e drejton skuadrën. Jam i lumtur për të, sepse e kam admiruar edhe kur ka qenë futbollist. Më pëlqen shumë që ai të vazhdojë të qëndrojë për shumë kohë te Reali”, u shpreh Ronaldo.
“E dimë që na pret një ndeshje shumë e vështirë, por gjithçka është e hapur. Mançesteri është në këtë fazë të Ligës së Kampionëve me meritë dhe eliminoi një skuadër të rëndësishme si PSG-ja. Të eliminosh francezët nuk është e lehtë, por ata e bënë. Është një ekip që ka shumë pak defekte, por ne duhet t’i shfrytëzojmë ashtu siç duhet gabimet që do të bëjnë”.
“Është një nga ndeshjet më të rëndësishme dhe më të bukura në karrierën time. Duhet të fitonim me 3 gola diferencë dhe ne ia arritëm ta bënim atë mbrëmje shumë speciale. Nuk e them këtë vetëm për faktin se shënova unë, por sepse e gjithë skuadra luajti mirë dhe tifozët u kënaqën shumë. Ishte një përmbysje e madhe. Shpresoj që të bëjmë të njëjtën gjë edhe me Sitin, por na duhet të punojmë shumë për të arritur diçka të tillë”, tha ai.
“Fitorja e këtij kompeticioni me fanellën e Realit ishte diçka shumë e bukur për mua, sepse Liga e Kampionëve është gjithmonë speciale. Për më tepër arrita ta fitoj në Lisbonë, përballë portugezëve. Ndeshjet në Champions janë të veçanta dhe kanë impuls ndryshe nga të tjerat. Gjithmonë më duket sikur çdo ndeshje e Ligës së Kampionëve është e para që po luaj dhe përsëriten gjithmonë të njëjtat emocione. Sigurisht që prioriteti dhe dëshira e Realit është ta fitojë këtë trofe të rëndësishëm. Do të bëjmë maksimumin për të shkuar në finalen e Milanos”, përfundoi Ronaldo.