Rikthehet në detyrë polici që goditi protestuesen në protestën te Liqeni

Efektivi i policisë që qëlloi me pëllëmbë protestuesen gjatë protestës kundër betonizimit të Parkut është rikthyer në punë. Lajmi bëhet publik nga faqja zyrtare në Facebook të protestuesve për parkun “Qytetarët Për Parkun”. “Efektivi i policisë që qëlloi me pllëmbë protestuesen dhe e tërhoqi prej flokësh u pezullua nga detyra nga ministri Tahiri dhe tani rezulton që ka 1 muaj që është rikthyer në detyrë në Drejtorinë e Policisë Tiranë”, shkruhet në postimin e “Qytetarët Për Parkun”.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në atë kohë e cilësonte si të patolerueshme këtë gjest, duke ndërmarrë edhe masën e pezullimit ndaj efektivit. Masë kjo, e cila duket se ka qenë sa për të shuar reagimet e momentit kundër policisë.
“Eshtë e papranueshme të sulmohet uniforma e Policisë së Shtetit, qoftë edhe nga një grua, por absolutisht edhe më e papranueshme dhe e patolerueshme të reagohet fizikisht, sidomos ndaj një gruaje. Kam kërkuar pezullimin e menjëhershëm të punonjësit të policisë dhe lirimin e tij nga detyra. Policia që duam nuk mund të jetë kjo që na treguan pamjet e konfliktit mes punonjësit të policisë dhe një qytetareje. Çdo punonjes policie duhet ta dijë këtë dhe kushdo e harron nuk do të tolerohet në asnjë rast e për asnjë arsye”, shkruante Tahiri në FB.