Politika e dështuar e sanksioneve

David Francis

Nga Irani tek Rusia, Afrika dhe Korea e Veriut, administrata Obama është mbështetur prej kohësh tek sanksionet financiare si “armë” e preferuar përkundrejt kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara. Por gjatë vitit të fundit, janë aleatët e Amerikës ata që po i ndjejnë më shumë pasojat e sanksioneve, duke bërë që Uashingtoni të fillojë të dyshojë se mos mjeti i tij i preferuar ekonomik mund të jetë shpërdoruar aq shumë sa tashmë është bërë jo eficent, në disa raste dhe kundërproduktiv.

Sistemi financiar amerikan është motori i gjithë tregtisë globale. Sanksionet ndaluese ose tepër kufizuese për të nxitur tregtinë, rrezikojnë t’i çojnë bizneset tek tregjet e huaja, dhe duke bërë këtë, shpesh janë krijuar aleanca të reja ndërmjet miqve dhe armiqve të Amerikës. “Është e rëndësishme që sanksionet si mjete të jenë eficentë dhe të mos shpërdorohen”, thotë nënsekretari i Thesarit të Shteteve të Bashkuara, Adam Szubin. “Duhet të vazhdojnë të balancojnë kostot dhe benefitet e regjimit të sanksioneve në favorin tonë”.

Szubin mbikëqyr degën e kundërterrorizmit dhe inteligjencës financiare në Departamentin e Thesarit. Shefi i tij, Sekretari i Thesarit, Jack Lew, e ka paralajmëruar Kongresin në muajin mars se ka gjasa që transaksionet financiare të kapërcejnë Shtetet e Bashkuara në rast se sanksionet e bëjnë mjedisin e biznesit tepër të komplikuar dhe të paparashikueshëm, ose në rast se ndërhyjnë së tepëmi me rrjedhën e fondeve nëpër botë. “Duhet të jemi të ndërgjegjshëm për rrezikun që sjell shpërdorimi i sanksioneve, i cili mund të dëmtojë pozicionin tonë të lidershipit në ekonominë globale, por edhe kthimin e tyre në një mjet joeficent”, tha Lew.

Tensionet që shkaktuan sanksionet amerikane kundër Rusisë dhe separatistëve ukrainas, për shembull, i kanë përçarë aleatët e Shteteve të Bashkuara në Europë, të cilët ndodheshin në vështirësi ekonomike përpara se të përballeshin edhe me pasojat negative që sollën penalitetet e imponuara nga Amerika. Ditën e enjte, Dhoma e Ulët e Parlamentit të Francës votoi një marrëveshje jo të detyrueshme për të hequr sanksionet e Bashkimit Europian kundër Rusisë.

“A kanë patur sukses sanksionet? Jo. Kanë qenë një dështim”, thotë politikania italiane, Deborah Bergamini, delegate e Asamblesë Parlamentare në Këshillin e Europës, teksa fliste për marrëdhëniet e Perëndimit me Rusinë. Ajo tha se, Italia ka humbur të paktën 1,25 miliardë euro që kur u miratuan sanksionet amerikane dhe europiane në vitin 2014.

Koordinatori i politikës së sanksioneve në departamentin e shtetit amerikan, Ambasadori Daniel Fried, e kundërshtoi këtë argument, duke thënë se sanksionet ishin e vetmja gjë që mundësoi armëpushimin e vitit 2014, njehur si Marrëveshja e Minskut. “Nuk jam dakort se sanksionet kanë qenë dështim”, tha Fried. “Nëse nuk do të kishin qenë sanksionet, nuk do të kishim patur asnjë perspektivë të marrëveshjes së Minskut, do të ishim ende në luftë. Sanksionet kanë sjellë në tavolinë mundësinë e zgjidhjes diplomatike”.

Bergamini vazhdoi të kundërshtonte: “Sanksionet kanë qenë dështim, insistoj. Europa është duke paguar një çmim shumë të lartë. Duhet ta pranojmë këtë”. Ndërkohë, konsulenti i Kremlinit, Dmitry V. Suslov, zëvendës/drejtues i Këshillit të Jashtëm dhe Politikës së Mbrojtjes në Rusi, dëgjonte bisedën me një buzëqeshje ironike në fytyrë. “Sanksionet janë duke i dëmtuar të dyja palët”, tha Suslov, duke shtuar se, penalitetet ekonomike kanë patur efekt shumë të vogël në veprimet ushtarake ruse në Donbass. “Nuk janë duke e ndryshuar kauzën e Rusisë”.

Një studim i ri i Institutit dhe Qendrës për Sigurinë Amerikane (CNAS) ka ngritur pyetje mbi efektivitetin e sanksioneve dhe jep prova të efekteve të tyre negative. Emma Ashford, eksperte e politikës së energjisë, tha se sanksionet kundër Rusisë kanë qenë “dështim i plotë” që kanë shkaktuar vetëm mungesë ushqimi dhe parash për qytetarët e thjeshtë rusë, madje kanë dëmtuar edhe ekonominë ameriane dhe interesat gjeopolitike.

Një deklaratë e Departamentit të Thesarit, e dërguar me e-mail për Foreign Policy, argumentonte se: “Është e qartë se sanksinet tona, sëbashku me rënien e ndjeshme të çmimit të naftës, i kanë shkaktuar kosto të mëdha lidershipit rus me efekte të kufizuara makroekonomike për Shtetet e Bashkuara dhe ekonomitë europiane”. Më pas thuhej se, penalitetet ekonomike transatlantike kanë gjeneruar kushte më të vështira financiare, kanë zvogëluar vetbesimin dhe kanë ulur investimet e Rusisë.

Ekonomia ruse ka qenë në recesion që kur baza e pushtetit u godit nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian në vitin 2014, si dënim për pushtimin e Ukrainës. Këtë vit, vlera e rublës preku nivelin më të ulët kundrejt dollarit dhe Moska është dëmtuar nga ulja e çmimit të naftës së tepërmi. Një sondazh i “Reuters” i publikuar të enjten parashikon se, ekonomia ruse do të kontraktohet edhe me 1,5 për qind në vitin 2016 dhe FMN-ja beson se do të jetë në recesion edhe vitin tjetër.

E vemtja histori sukesi e njohur e sanksioneve është Irani. Në mesin e viteve 2000, Shtetet e Bashkuara, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian imponuan një sërë sanksionesh mbi Therenain për të detyruar Republikën Islamike të respektonte traktatet ndërkombëtare që ndalonin ndërtimin e armëve bërthamore. Sanksionet i egërsuan akoma më shumë në vitin 2012 si pasojë e negociatave ndërmjet fuqive botërore dhe Teheranit. Rezultati ishte që ekonomia e Iranit u godit aq fort sa vlera e monedhës preku fundin dhe eksporti ditor i naftës u përgjysmua.

Kriza financiare, sëbashku me zgjedhjen në vitin 2013 të Presidentit për të moderuar Hassan Rouhani, gjeneroi një urgjencë imediate për të mbajtur negociata bërthamore. Në korrik të vitit 2015, fuqitë e mëdha ranë dakort të hiqnin sanksionet e Iranit pas kufizimit të programit bërthamor. “Sanksionet kundër programit bërthamor të Iranit janë shembulli më i fuqishëm i suksesit të përpjekjeve tona sëbashku me diplomacinë”, tha Lew në Uashington muajin e kaluar.

Megjithatë, marrëveshja bërthamore shkaktuar nga sanksionet shkaktoi gjithashtu edhe mllefe të shumta politike kundër Shteteve të Bashkuara nga Izraeli dhe Arabia Saudite, dy aleatët kryesorë në Lindjen e Mesme, që Uashingtoni ende nuk i ka zbutur. Në Kongres, republikanët dhe disa demokratë po përpiqen ta tërheqin marrëveshjen, pjesërisht duke rritur sanksionet kundër Iranit. Politikanët e GOP i kanë kundërshtuar gjithashtu përpjekjet e demokratëve për t’i dhënë Teheranit akses më të madh ndaj sistemin global financiar, përfshirë edhe kryerjen e transaksioneve në dollarë.

As Irani nuk është i kënaqur. Kreu i Bankës Qendrore të Teheranit, Valiollah Seif, këtë muaj akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Europën se nuk kanë përmbushur kushtet e marrëveshjes bërthamore, duke e mbajtur Republikën Islamike të bllokuar nga sistemi financiar ndërkombëtar. Ajo që neglizhohet më shumë në historinë e impaktit të sanksioneve mbi Iranin sipas studimit të CNAS-it, është burimi i vërtetë i trazirave fianciare të vendit, që në fakt janë rënia e çmimit të naftës dhe keqmenaxhimi i tmerrshëm i ekonomisë së brendshme nga regjimi. Kjo është e vërtetë edhe në rastin e Rusisë.

Në të gjithë botën, Departamenti i Thesarit ka imponuar 28 programe sanksionesh. Disa prej tyre janë të përhapura në rajone të tëra gjeografike dhe vende, të tjerët kufizohen vetëm mbi individë specifikë. Shumica e këtyre programeve nuk kanë arritur aspak të frenojnë aktivitetin e aktorëve të këqinj.

Në Korenë e Veriut, embargo tregtare e Shteteve të Bashkuara për të dënuar Penjanin për programet e armëve bërthamore dhe raketave balistike, nuk e ka frenuar aspak mbretërinë e Kim Jongut nga kryerja e testimeve të raketave, më i fundit i të cilëve ndodhi ditën e enjte. Në Sudanin e Jugut, administrata Obama ka kërcënuar prej kohësh, përsëri javën e kaluar, të imponojë sanksione mbi presidentin Salva Kiir dhe liderin rebel Riek Machar, pasi nuk kanë respektuar marrëveshjen e paqes, madje as nuk e kanë reduktuar tonin e luftës së përgjakshme që ka hyrë në vitin e tretë të saj. Megjithatë, Uashingtoni ka vendosur të mos t’i dënojë direkt Kiir dhe Machar, edhe pse ka miratuar sanksione të egra kundër njerëzve që kërcënojnë stabilitetin e Sudanit, përfshirë edhe kriminelët e luftës dhe abuzuesit e të drejtave të njeriut. Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar gjithashtu t’i kërkojnë Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të vendosë një embargo armësh kundër Sudanit, një lëvizje që Obama ka hezituar ta bëjë për vite me radhë.

Sanksionet amerikane në Somali kanë gjeneruar pasoja shkatërrimtare dhe të paparashikuara. Ekspertët thonë se, kufizimet mbi paratë e dërguara në Somali kanë frenuar rrjedhën e fondeve për grupet terroristë të al-Shababit, por një raport i vitit 2015 nga Qendra për Zhvillim Global arriti në konkluzionin se, transfertat e ligjshme të parave, nga grupet jofitimprurëse të ndihmës apo drejt të afërmve të varfër, janë kufizuar gjithashtu.

“Një nga burimet më të mëdha të të ardhurave për somalezët janë remitancat”, thotë Elizabeth Rosenberg, drejtuese e programit të energjisë, ekonomisë dhe sigurisë në CNAS. “Nëse mbyll këtë burim të ardhurash për vendin, njerëzit nuk kanë me se të jetojnë”. Megjithatë, kundërshtitë më të mëdha për sanksionet amerikane kanë në qendër ato të imponuara kundër oligarkëve në Rusi dhe separatistëve në Ukrainën Lindore dhe pytja është nëse Europa do të vazhdojë t’i respektojë ato.

Përveç Francës dhe Italisë, janë shfaqur kundërshti të shumta edhe në Gjermani për të hequr sanksionet. Muajin e kaluar, ministri gjerman i Ekonomisë, Sigmar Gabriel, i bëri thirrje Bashkimit Europian që të përpiqet të krijojë kushtet e nevojshme për të eliminuar penalitet brenda verës së këtij viti. Tregtia ndërmjet Moskës dhe Berlinit është ulur me 12 miliardë euro, një e katërta e volumit total ndërmjet viteve 2014-2015, thotë Michael Harms, kreu i Dhomës së Tregtisë ruso-gjermane.

Liderët europianë pritet të vendosin nëse pranojnë të shtyjnë sanksionet e tyre në muajin qershor. Zyrtarët e Thesarit thanë ditën e enjte se besojnë se sanksionet do të mbahen, bazuar në bisedën që Presidenti Obama kishte bërë me disa liderë europiane javën e kaluar. Investimet direkte të huaja në Rusinë kanë rënë nga 69 miliardë dollarë në vitin 2013, në 23 miliardë në vitin 2014, pasi Moska pushtoi Krimenë.

Anders Aslund një ekspert i politikës ekonomike në Këshillin Atlantik, tha se kjo ishte pikërisht ajo që duhet të arrinin sanksionet. “Financa ndërkombëtare në Rusi jenë thelbësore. Nuk ka asnjë mundësi tjetër për të marrë financime të jashtme”, thotë ai. Problemi është që sanksionet kanë patur një impakt tepër negativ edhe për Europën.

Komisioni Europian vlerësoi se, sanksionet e kanë prerë rritjen eknomike të BE-së me 0,3 për qind të GDP-së në vitin 2015, në një kohë kur ekspansioni ekonomik nevojitej dëshpërimisht. Instituti Austriak i Kërkimeve Ekonomike zbuloi se, penalitetet kundër Rusisë mund të kushtojnë rreth 92 miliardë euro nga të ardhurat e eksporteve dhe mbi 2,2 milionë vende pune gjatë viteve të ardhshme. Dhimbja financiare është veçanërisht akute në Gjermani, e cila pritet të humbë plus 400 mijë vende pune vetëm nga sanksionet. Duke shtuar akoma më shumë mërinë e vendeve europiane, raporti i CNAS-it këtë muaj arriti në konkluzionin se sanksionet nuk mund të gjenerojnë efekt domethënës në GDP-në e vendeve të dënuara prej tyre.

“Sanksionet në fakt kanë efekt të fuqishëm mbi investimet e huaja, korrupsionin, lehtësinë e kryerjes së biznesit, qeverisjen dhe masave të tjera të angazhimit të një vendi me komunitetin ndërkombëtar financiar”, thuhet në raport. Kjo është ndoshta arsyeja përse zyrtarët perëndimorë janë duke i rimenduar sanksionet si mjet për t’i bërë presion kundërshtarëve. Në shkurt, nënsekretarja e Mbrojtjes, Christine Wormuth, pranoi se sanksionet deri tani nuk kanë ndryshuar mënyrën se si vepron Rusia dhe ky është një shqetësim i madh. Rosenberg tha se, sanksionet nuk shkaktojnë rënien direkte të GDP-së. Ajo pretendon se nuk ka asnjë mënyrë për të matur efikasitetin e sanksioneve, të cilët kanë dëmtuar edhe ekonominë amerikane gjithashtu, edhe pse ende nuk dihet sa.