‘Kronos’, miku i Ramës e Ahmetajt, 11 miliardë lekë tendera nga OSHE

Partia Demokratike denoncoi dje një rast flagrant se si miqtë e afërt të Ramës dhe ministrave të tij përfitojnë dhjetëra tendera milionash pa asnjë garë dhe respektim të rregullave ligjore. Vetëm një kompani, me lidhje të afërta me Ramën dhe ministrin e Ekonomisë, Ahmetaj ka fituar plot 11 miliardë lekë tendera nga vetëm një institucion, OSHEE. Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa bëri të ditur se në pjesën më të madhe të rasteve, kjo kompani ka fituar tenderat në mënyrë të paracaktuar.
“Ashtu siç kemi njoftuar sot do të vijojmë me denoncimin e oligarkëve të Edi Ramës dhe metodave sesi i vjedhin paratë e shqiptarëve. Këto dhjetëra dokumente janë dhjetëra tendera të OSHEE, janë të paktën 11 miliardë lekë të marra nga firma e preferuar e Edi Ramës, që quhet Kronos. 10 për qind të parave të një viti, para që banda e OSHEE ia merr njerëzve duke i rrjepur edhe kacidhen e fundit, ja jep kësaj firme pra, e cila njihet mirë se ka dhe miqësi të veçantë me ministrin e avionëve privatë, Arben Ahmetajn.
Në pjesën më të madhe të rasteve, klienti i Rama-Ahmetajt është ofertues i vetëm. Pra, nuk ka garë, është gjithçka e fiksuar, çmimi është fiksuar, malli është fiksuar, fituesi është paracaktuar. Nuk publikohet njoftimi i tenderit, por direkt lidhja e kontratës. Në disa raste, puna madje ka nisur pa u lidhur kontrata. Në pjesën më të madhe të rasteve, klienti i Rama-Ahmetajt merr të gjithë fondin limit, nuk kursehet asgjë nga paratë e shqiptarëve. Të gjithë milionat për xhepat e Edi Ramës dhe oligarkëve të tij. Kjo është qeverisja e korruptuar e Edi Ramës. Kjo është arsyeja se pse zhyten në mjerim qytetarët, teksa rritet pasuria dhe luksi i Kryeministrit dhe oligarkëve të tij”, është shprehur Zhupa në denoncimin e saj.
Megakorrupsioni që paguan OSHEE për sipërmarrjet e lidhura me qeverinë apo ministrat e saj, duket se është zyrtarizuar nga Kryeministri Edi Rama, si një pus parash publike të pafundme për të shpërblyer zyrtarët. Skema korruptive e OSHEE dita-ditës nxjerr në dritë emra dhe firma që janë të lidhura me individë të fortë brenda mazhorancës së rilindjes. Sipas portalit “Boom.al” vetëm dy tendera të kësaj strukture u janë dhënë dy firmave të lidhura me ministrin Arben Ahmetaj.
Tenderi linja e tensionit të lartë lagjia Dunavat-Gjirokastër me vlerë rreth 200 milionë lekë ka pasur fitues subjektin Vaso Jovani. Kjo firmë është kualifikuar në kundërshtim me kërkesat e ligjit, për arsyen e vetme se Nard Mene, drejtori i investimeve në OSHEE, që është kunati i Arben Ahmetajt, ka ndikuar pranë KVO-së së kësaj procedure prokurimi për të shpallur fitues këtë subjekt. Madje, përflitet se, zarfi për Menen ka qenë 30% e fondit limit. Njëkohësisht edhe një tender tjetër i dhënë nga OSHEE për një klient të Nard Menes është edhe tenderi me objekt “Pajisja me kabllo elektrike të linjës Gjirokastër”, me vlerë 1,4 milionë dollarë, me fitues subjektin “Arifaj shpk” edhe në këtë tender, Mene ka ndikuar pranë zyrtarëve të prokurimit për të shpallur fitues subjektin “Arifaj”, i cili nuk plotësonte kërkesat e tenderit.
Në të gjitha rastet, tenderat janë anuluar dhe ribërë vetëm e vetëm që Mene të garantonte shumën e kërkuar të shpërblimit. Duket se me rilindjen e tenderave publike, bakshishi i kërkuar nga zyrtarët është rritur nga 20% në 30% të vlerës së fondit. Kjo ka bërë që fondet të fryhen dhe vlerat e ofertave fituese të jenë shumë pranë vlerës maksimale dhe të skualifikohen ofertues që paraqesin oferta më të ulëta. Madje, presioni i zyrtarëve të përfolur për korrupsion shkon deri aty saqë anulojnë procedurat e prokurimit vetëm e vetëm për të vulosur pazarin më të lartë. Kësaj nisme të fundit rilindase nuk i ka shpëtuar as Nard Mene, lidhjet e të cilit, çuditërisht të çojnë tek ministri Arben Ahmetaj me të cilin është kunat. Në vijim të tenderave korruptivë, përfitues kanë qenë edhe djemtë e nënkryetares së Kuvendit, Valentina Leskaj, ku për kompaninë e djalit të saj, OSHEE shpiku një tender për të trajtuar stresin e punonjësve.
OSHEE është shndërruar në një hambar tenderash për klientët dhe bandën pranë qeverisë. Janë me dhjetëra tendera, të pajustifikuara si për shërbimin ashtu edhe për kostot marramendëse që u janë dhënë dhe vijojnë t’u jepen klientëve të qeverisë.
Vetëm në 3 muajt e parë të vitit OSHEE ka tenderuar 23 miliardë lekë pa asnjë eficencë e vetëm për dy vite në shpenzime luksi janë harxhuar 21 milionë dollarë. OSHEE mbetet institucioni që promovon dhe krijon tendera nga më korruptivët, duke rënduar shqiptarët me fatura që vetëm për vitin e shkuar kanë qenë mbi 91 mijë të tilla. Janë këto mbifaturime që i shtohen barrës së madhe që çdo qytetar paguan në sportelet e OSHEE, para që dalin nga xhepat e varfëruar të shqiptarëve për të shkuar në llogaritë e fryra të oligarkëve të qeverisë, përmes tenderave korruptivë duke filluar në trajtimin e stresit, trajnimin e stafit, parashikimin e motit e çdo shërbim tjetër të paimagjinueshëm.

Arben Shahini