Gashi shënon golin e dytë, frenohet Drogba

Shkëlzen Gashi ka shënuar golin e dytë me Koloradon në sfidën që skuadra e tij luajti ndaj Montrealit, ku bën pjesë sulmuesi Didier Drogba. Sulmuesi i Kombëtares iu përgjigj golit të shënuar nga Drogba në minutë e 47-të, që e çoi rezultatin në 1-1. Vendasit nuk vonuan dhe për 3 minuta rikthyen avantazhin. Por Kolorado nuk dorëzohet dhe Gashi është shumë i rrezikshëm me krosimet e tij, nga një prej të cilëve vjen edhe goli i barazimit 2-2. Në minutën e 78-të ka një karton të verdhë për Gashin, ndërsa në fund sulmuesi kërkon të marrë minuta, duke u shtrirë në fushë për shkak të një goditjeje të marrë, por që nuk ka asnjë pasojë.
Kolorado merr një pikë të vlefshme në transfertë ndaj Montrealit, që mban vendin e parë në Konferencën e Lindjes, ndërsa në atë të Perëndimit është skuadra e Gashit e para me 17 pikë të grumbulluara deri më tani. Pas 3 ndeshjesh pa fitore, Vaduzi ka marrë një fitore të artë në fushën e Sant Gallenit, me rezultatin 3-1. Është fitore me peshë të jashtëzakonshme, sepse ishte një ndeshje derbi dhe 5 javë para përfundimit të kampionatit gara për mbijetesë është hapur plotësisht dhe në të janë përfshirë disa skuadra. Në radhë të parë Vaduzi kalon Luganon (që luan më vonë), ndërsa fut në telashe edhe Sant Gallenin, që tashmë shpreson shumë që Lugano të ndalet.
Përveç kësaj, për Vaduzin një lajm i mirë erdhi nga Tuni, sepse kjo skuadër fitoi 4-0 ndaj Zyrihut, duke zhytur këtë të fundit pranë zonës së ftohtë, vetëm një pikë mbi Vaduzin. Sadiku ishte titullar dhe luajti një ndeshje mjaft të mirë, edhe pse nuk shënoi, ndërsa sulmuesi Albion Avdijaj qëndroi në stol për 90 minuta.
Ndërkaq, te Zyrihu mungoi për pezullim Burim Kukeli. Milot Rashica është aktivizuar për 90 minuta në humbjen që skuadra e tij Vitese regjistroi në shtëpi ndaj Utrehtit. Ekipi i mesfushorit nga Vushtria arriti të shënojë i pari, por miqtë arritën të shënojnë 3 herë, duke fituar me rezultatin e përgjithshëm 1-3.
Kjo humbje bën që Vitese të jetë jashtë zonës së ‘playoff’- it për në Ligën e Europës, e shpresa e vetme e tyre është që javën tjetër, në të fundit, 3 ekipet sipër Viteses të humbasin, e sigurisht skuadra e Rashicës të fitojë në transfertë ndaj Tuentes që nuk është se ka objektiva. Rashica me shokët e tij shpresojnë, pasi golavarazhin e kanë më të mirë se rivalët e tyre.
Një gol i Edgar Çanit i dhuroi Pisës sigurinë matematikore për vendin e dytë në Grupin B të Lega Pro dhe biletën për të luajtur në fazën play-off. Sulmuesi shqiptar realizoi në minutën e 42-të rrjetën vendimtare, të suksesit 1-0 përballë Lupa Romas. Ky ishte goli i pestë sezonal për bomberin kuqezi, në 25 ndeshje të luajtura me skuadrën e drejtuar nga Genaro Gatusso, aty ku duket i ringjallur pas aventurës jo të mirë te Leeds në Angli. Përveçse lider në fushë, Çani shfaqet lider edhe jashtë, duke treguar rrugën që duhet të ndjekë skuadra.