Frika e “Blick” për Shaqir-Xhakën

Në Hungari dhe në Meksikë, do të vendoset edhe për të ardhmen e kombëtares së Zvicrës. Kështu nis një analizë e thellë e prestigjiozes zvicerane “Blick” mbi mundësinë që dy lojtarët kryesorë të përfaqësueses helvete, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, por jo vetëm, të luajnë pas Euro 2016 për Kosovën.
Të mërtën më 3 maj, në kongresin e UEFA-s që do të mbahet në kryeqytetin e Hungarisë Budapest, pritet që Kosova të pranohet me të drejta të plota në familjen e madhe të futbollit europian, e për rrjedhojë edhe në kongresin e FIFA-s, i programuar për t’u zhvilluar më 13 maj në qytetin e Meksikos, me siguri do të merret i njëjti vendim, pra aderimi i Kosovës edhe në FIFA.
Me shtetin më të ri europian të pranuar në institucionet më të rëndësishme të futbollit, me shumë mundësi në muajin shtator Kosova do të përfshihet në eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”. Flitet për caktimin e skuadrës që drejtohet nga Albert Bunjaki në Grupin I së bashku me Kroacinë, Islandën, Ukrainën, Turqinë dhe Finlandën.
“Blick”, duke i besuar këtij skenari, ngre pikëpyetjen: A do ta braktisin lojtarë të tillë si Shaqiri dhe Xhaka Zvicrën për t’iu bashkuar Kosovës që në eliminatoret e Botërorit?
UEFA dhe FIFA, të kontaktuara nga kjo e përditshme, e shmangin një përgjigje të drejtpërdrejtë, edhe pse e pranojnë se gjithçka varet nga vullneti i vetë lojtarëve me origjinë nga Kosova për të vijuar ose jo me Zvicrën.
Por çfarë do të ndodhë në të vërtetë? Shani Tarashaj, sulmuesi i talentuar i Zyrihut e ka pranuar se grumbullimi i tij me Kosovën nuk është si në rastin e një ftese të mundshme nga Shqipëria për faktin se origjina e tij është nga Kosova. Tre vite më parë Xherdan Shaqiri ka theksuar se do ta vlerësojë këtë mundësi vetëm nëse Kosova pranohet në institucionet ndërkombëtare, ndërsa Granit Xhaka është shprehur se do ta mendojë kur t’i vijë koha.
Vetëm Valon Behrami është i vendosur në pozicionimin e tij: Kam vendosur që do do të luaj gjithmonë për kombëtaren e Zvicrës. Por sipas “Blick”, në Kosovë janë të bindur se Shaqiri, Xhaka dhe lojtarët e tjerë do t’i bashkohen përfaqësueses së origjinës së tyre, ashtu sikurse ndodhi në vitet ’90 me futbollistët kroatë, boshnjakë dhe sllovenë.