Deklaratat e Lu për Frrokun dhe Shullazin 5 muaj më parë

Në nëntor të vitit të kaluar, 5muaj më parë, përmes një deklarate të fortë, ambasadori amerikan, Donald Lu përmendi pikërisht Arben Frrokun dhe Emiljano Shullazin si dy shembujt famkeq se si autoritetet përkatëse jo vetëm që nuk godasin krimin e organizuar por e lejojnë atë të lëvizë lirisht.
Ambasadori amerikan Lu ndërsa bënte thirrje për miratimin me shpejtësi të Reformës në Drejtësi u ndal tek çështja e arratisjes së Arben Frrokut duke deklaruar se Frroku u lejua që të largohej nga vendi në mënyrë të mistershme.  Po me tone kritike, ambasadori u ndal edhe tek Eniljano Shullazi, i cili siç citoi ambasadori është i akuzuar për krime dhe trafik droge por që endet i lirë pa u prekur nga drejtësia.
“Personat e tjerë që duhet t’ja kenë frikën (Reformës në Drejtësi) janë kriminelët, autorë të krimeve të rënda që ecin lirisht në rrugë çdo ditë. Persona si Arben Frroku, që vrau një shef policie, por në mënyrë të mistershme u lejua të largohej nga vendi deri sa ishte në pritje të apelimit në gjykatë. Persona si trafikanti i dënuar për drogë, Emiljano Shullazi që është akuzuar haptazi nga mediet për trafik të narkotikëve dhe vrasje, por nuk është çuar para drejtësisë. Dhe persona si Sokol Mjacaj, që u dënua për vrasjen e një djali 13-vjeçar, por në mënyrë të dyshimtë u lirua nga burgu dhe më pas vrau një çift çek. Këta janë llojet e personave që duhet të kenë frikë nga një sistem drejtësie funksional”, tha ambasadori, Donal Lu.
Ndaj dhe ambasadori amerikan kërkoi me ngulm se Reforma në Drejtësi pritet të mbajë larg politikën nga gjyqësori, të japë efekt në mënyrë që gjyqtarët të dënojnë kolegët e korruptuar si edhe që ata të mos influencohen.
Duke iu referuar raporteve të ndërkombëtarëve, Donald Lu, ju kujtoi prokurorëve të pranishëm se Shqipëria ka shifrat më të ulta të ndjekjes penale në Europë. Madje në këtë pikë, ambasadori pati edhe një mesazh për shefat që komandojnë vartësit pa thënë konkreisht, nëse ky fenomen i përket gjyqtarëve apo prokurorëve.
“Së fundi kam kuptuar se disa personave mund t’u jetë thënë prej shefave të tyre se çfarë duhet të thonë, ose më keq akoma se çfarë nuk duhet të thonë. Nëse kjo është e vërtetë, më kujton më shumë të shkuarën komuniste të Shqipërisë sesa të ardhmen e saj demokratike. Qëllimi i këtyre tryezave është të dëgjojmë nga publiku, përfshirë edhe bashkësinë e prokurorëve për këto reforma. Ky është sistemi juaj i drejtësisë. Kini kurajon të flisni atë që mendoni ju dhe mos përsërisni në mënyrë të verbërt atë që ju kanë vënë të thoni! Mos u trembni nga këta të pafytyrë!”, deklaroi Lu.

Arben Shahini