Trafikanti Roshi, 3 milionë euro për tri kilometra rrugë në Leshniqe

Të gjitha institucionet po zhvillojnë një “garë” se kush shpenzon më shumë, me qëllim që të bindin popullin se po punojnë. Por, në një kohë që zyrtarët mbeten me gërshërë në dorë, pakkush e di sesa është vlera e një projekti që po përurohet. “Bold News” ka siguruar disa dokumente të një tenderi që do të zhvillojë Bashkia e Kavajës, më saktësisht kreu i saj Elvis Roshi, i akuzuar nga politika për lidhje me krimin.
Deri më tani nuk është faktuar asnjë akuzë, pasi ka të dhëna se aktivitetin kriminal dyshohet se e ka zhvilluar jashtë kufijve të Shqipërisë. Megjithatë, në përpjekje për të zbardhur aktivitetin publik, “Bold News”, ka dokumentet e tenderit për ndërtimin e rrugës Leshniqe-Qerret. Menjëherë sapo shikon dokumentet, të bën çudi vlera e lartë e investimit. Rruga është rreth 2.9 kilometra dhe vlera që do të investohet atje është më shumë se 3 milionë dollarë. Pra, një kilometër rrugë do të ndërtohet me një çmim stratosferik, sikur të ishte një autostradë me katër korsi, të bëhej ndonjë tunel apo me bay-pass.
Në dokumentet e siguruara thuhet se, “objekti i këtij tenderi është rehabilitimi i përroit Leshniqe, Kavajë. Fondi limit pa TVSH është 375.000.000 lekë që kanë si burim financimi buxhetin e shtetit. Afati për realizimin e punimeve do të jetë 7 muaj, ndërsa afati për dorëzimin e dokumenteve në Agjencinë e Prokurimit Publik është 13 maji i këtij viti”.
Sipas projektzbatimit, rruga do të jetë nga Qerreti (bregu i detit) deri në autostradë dhe i gjithë segmenti është 2.9 kilometra. Duket se rruga po bëhet edhe për qeveritarët apo zyrtarët e Bashkisë së Kavajës, që kanë resorte turistike në këtë zonë bregdetare. Në fillim të dokumentit “projektzbatimi”, Elvis Roshi jep të dhëna të përgjithshme të Shqipërisë, që është vend i vogël apo se më kë kufizohet. “Sipas një studimi të 2001-shit, popullata e Shqipërisë ishte 3.069 milionë, 42% e së cilës ishe në qytet. GDP-ja e Shqipërisë për njeri është vlerësuar rreth US $1,500 në fund të 2002-shit”, thuhet në këtë dokument, megjithëse është për një tender për ndërtimin e një rruge shumë lokale.

Shqipëria, shumë e varfër

Roshi shkon deri tek shkollimi i shqiptarëve, ndërsa nënvizon edhe papunësinë. “Shqipëria është një nga vendet me shkallën e papunësimit më të lartë në Europë, me 22.8% sipas studimit të 2001-shit dhe mund të ketë edhe një papunësim të fshehur të lartë. NSSED që është dhe Strategjia për Asistencë më e fundit të Bankës Botërore për Vendin ka arritur në përfundime të ngjashme mbi infrastrukturën shqiptare, duke e konsideruar si pengesën më të madhe si për rritjen e sektorit privat ashtu edhe për zhvillimin rural. Në të vërtetë rreth 40% e familjeve nuk plotëson një ose më shumë nevoja si për shembull, arsimim bazë (arsimimi i tanishëm është rreth 86%), ujë apo higjienë.
Shërbimet shëndetësore janë në një nivel të ulët, me një akses të kufizuar nga pagesat e larta zyrtare dhe jo zyrtare. Mundësia për marrjen e këtyre shërbimeve është kushtëzuar në masë kritike nga gjendja e rëndë e infrastrukturave dhe të shërbimeve të transportit. Objektivat e përmirësuara afatgjata të NSSED deri më 2015-ën janë: Së paku të dyfishohet rritja e GDP-së për person në gjithë Shqipërinë në gjithë nivelet shoqërore; – Të ulet deri në gjysmë niveli i varfërisë absolute dhe të zhduket varfëria e skajshme; – Regjistrimi i përgjithshëm i popullatës (100%) në arsimin dytësor me jo më pak se 13.5 vjet arsimim të përfunduara; – Ulja me më shumë se gjysmën e nivelit të tanishëm të vdekshmërisë foshnjore dhe sëmundjeve diarreike”, justifikohet Roshi për ndërtimin e kësaj rruge.
Më tej, në dokument, nënvizohet se vendi mund të jetë i ndarë në tri zona të gjera përsa i përket perspektivave të zhvillimit të ardhshëm: zona e Tirana/Durrës formon një zonë metropolitane me shpejtësitë e veta të zhvillimit dhe me shkallën më të lartë të llogaritur të zhvillimit; zona e dytë (rrethet e bregdetit verior dhe jugor dhe rrethet që rrethojnë Tiranën dhe Elbasanin) ka një bujqësi të fortë, e cila mund të zhvillohet më tej më vonë, por ka edhe një zhvillim të fortë të turizmit në zonat e bregut dhe një industri të fuqishme në zonën e Elbasanit. Pastaj vjen zona e tretë (zonat e brendshme veriore dhe juglindore) që përfaqësojnë zona me një perspektivë të varfër të zhvillimit, nëse nuk ndërmerren hapa konkretë.

Të dhënat, si u justifikua njoftimi i kontratës

Pas këtyre të dhënave të përgjithshme, Roshi ka shkuar tek qëllimi i projektit. Sipas tij, Leshniqe dhe Darçi janë dy përrenj që kanë kushtëzuar themelimin e qytetit të Kavajës, sepse mbijetesa e një qyteti varet nga prania e vijave ujore. Të përvitshme janë përmbytjet në qytetet kryesore të Shqipërisë perëndimore si Vlora, Tirana dhe sidomos në Durrës e Shkodër. “Ndryshe Kavaja, ku në dy përrenj ndodh i gjithë drenazhimi i qytetit. Dhe pikërisht nga ky fakt fiziko-gjeografik në vitet e para të shtetit shqiptar Kavaja radhitej si një nga pretendentet për kryeqytetin e vendit, në mos kryeqytetin brilant të Shqipërisë. Pozita qendrore, afërsia me detin, kushtet klimatike ideale dhe drenazhimi i përronjve të tij, janë vlera të pakundërshtueshme dhe të evidentuara historikisht.
Përroi i Leshniqes, i cili kufizon Kavajën në pjesën lindore dhe veriore, ka luajtur historikisht rolin drenant të qytetit, por pjesa përfundimtare e tij humbet këtë aftësi dhe shpesh krijon përmbytje në zonën bregdetare. E gjithë kjo zonë, 2–3 kilometra nga bregdeti, historikisht ka pësuar përmbytje dhe një zgjidhje 60 vite më parë, me parametrat e atëhershme, është bërë nëpërmjet hidrovorëve”, thuhet në dokumentin që ka siguruar “Bold News”.
Ai vijon më tej se lind natyrshëm sistemimi i përroit, thellimin dhe zgjerimin e tij, në mënyrë që të eliminohen problemet kryesore të përmbytjeve të një zone shumë të gjerë banimi, ashtu dhe të sistemohet një peizash i denjë për një territor me dendësinë më të madhe turistike të vendit, siç është ai i Malit të Robit. Kreu i Bashkisë së Kavajës thotë se parë nga këndvështrimi demografik i Shqipërisë, në trekëndëshin Kavajë-Durrës-Tiranë do të përqendrohet pjesa më e madhe e popullsisë, kështu Kavaja duhet të përgatitet për një zgjerim urban të territorit të saj. Sipas tij, sistemimi i përroit Leshniqe përbën limfën vitale të qytetit, sepse nga njëra anë lidh qytetin me bregdetin, koncept ky historik, nga ana tjetër pjesës bregdetare i krijohen kushte që të transformohet nga një fjetore për pushuesit në një qendër të rëndësishme të turizmit elitar.

Relacioni teknik

Imagjinata e shfrenuar e punonjësve të Bashkisë së Kavajës e ka lidhur këtë rrugë edhe nga këndvështrimi turistiko–kulturoro–historike. “Në këto territore kemi të bëjmë me disa fakte historike të një rëndësie të veçantë botërore. Beteja e Durrachium ku kulmin e saj e ka pikërisht në afërsi të përroit. Rrallë herë në historinë e botës gjigantë të ndodhen njëkohësisht në të njëjtin vend për disa muaj. Gaio Jul Qezari, Pompeu i madh, Mark Antonio etj., këtu në Kavajë për të ndarë fatet e botës.
Po bëj një paralelizëm me Francën, ku beteja e Jul Qezarit me Galet në Alesio është shumë e ngjashme me betejën e Durrachium. Këtë e vërteton vetë interesimi i Napoleon Bonapartit të tretë, i cili emëron të njëjtin historian (herzog) për Durrësin dhe për Alesia dhe ku betejën e Alesias e vendosi si fillimi i historisë franceze. Ndërtimi i Fushë Museut të Alesias i realizuar më 2012 nga arkitekti i famshëm Bernard Tchumi, sot është i vizituar më shumë se 200 mijë turistë në vit. Këtu buzë Leshniqes në periudhën e madhe të koncentrimit të turistëve, të pretendojmë me të drejtë një fushë muze ose CASTRUM QERRET për avenimentet historiko-shkencore dhe për atraksion real të turistëve në pikun e tyre 8, 9, 10 korrik të çdo viti”, përfundon “ëndrra” e Elvis Roshit, por që në realitet, do të shpenzojë më shumë se 3 milionë USD për ndërtimin e rrugës.

(Bold News)