Thellohet piramida e borxheve të bizneseve

Ekonomia e vendit është përfshirë nga një valë e shtuar borxhesh këtë fillimvit, e nxitur nga kriza e sektorit të industrisë, e cila po vuan çmimet e ulëta të naftës dhe mineraleve në tregjet ndërkombëtare dhe klimën jo fort të përshtatshme të ambientit të brendshëm të biznesit. Ende pa u parë rezultatet e pastrimit të 60 miliardë lekë borxhe qeveritare të prapambetura të krijuara para 2013-s, mungesa e likuiditetit po shtrihet si një merimangë në të gjithë kapilarët e ekonomisë. Fenomeni ka përfshirë edhe qeverinë, e cila në fund të 2015 ka krijuar detyrime të reja ndaj kompanive private të kontraktuara për punë publike dhe rreth 10 milionë euro. Nga ana tjetër, lista e borxhlinjve të këqij në tatime vetëm për tre muajt e parë është shtuar me 1366 subjekte të reja, teksa ekstraktet e QKR janë tejmbushur me sekuestro nga shoqëritë përmbarimore për shkak të detyrimeve që kanë ndaj bankave dhe të tretëve.
Sistemi bankar po kërcënohet nga një valë e re kredish të këqija, si rrjedhojë e shitjeve nën kosto në sektorin e industrisë. Banka e Shqipërisë ka lajmëruar se, vetëm nga falimenti i kompanisë Kurum borxhet e kreditë e këqija mund të rriten me 1 pikë përqindje. Detyrimet zinxhir në sektorin e industrisë arritën në 1 miliard dollarë, ku kryesojnë kompanitë ARMO me 595 milionë dollarë dhe Kurum me 375 milionë dollarë. Ndërsa qindra kompani të sektorit të industrisë minerare dhe naftës janë duke punuar me humbje. Disa prej tyre kanë shpallur falimentin dhe të tjera janë duke kërkuar blerës. Për rrjedhojë, ndaj kompanisë publike së nxjerrjes së naftës, Albpetrol është akumuluar një detyrim prej 60 milionë erosh, nga mospërmbushja e detyrimeve kontraktore në zinxhirin e sektorit.
Ky zinxhir borxhesh duket se ka prekur edhe pjesën më vulnerabël, punonjësit e kompanive, të cilët këto ditë janë hedhur në protesta për pagat e prapambetura.
Në sektorë të tjerë, kriza e borxheve është thelluar edhe nga mungesa e likuiditetit. Rënia e konsumit ka ulur të ardhurat për kompanitë, të cilat po hasin së fundi vështirësi në shlyerjen e faturave. Gelas Yzo, nga shoqëria përmbarimore EPSA, pohoi se kohët e fundit është shtuar ndjeshëm ekzekutimi me forcë i arkëtimeve biznes me biznes edhe për faktin se fatura e TVSH është titull ekzekutiv që prej vitit të kaluar. Redona Sokoli, një ekonomiste në biznesin e pjesëve të këmbimit, pohoi se këtë vit edhe klientët seriozë po hasin vështirësi në likuidimin e furnizimeve sipas kontratave. Ajo shpjegon se ekzekutimi nga përmbarimi i faturave ka kosto të larta.
Kriza e borxheve është thelluar edhe në sektorin e ndërtimit. Hajredin Fratari nga Konfindustria, pohon se nga anketimet e shoqatës borxhet që kompanitë e ndërtimit i kanë njëra-tjetrës dhe zinxhirit të sektorëve i kalojnë të 200 milionë dollarët aktualisht.
Llazi Balliu, një kontabilist i vjetër thotë se, borxhet janë pasqyrë e zhvillimit të dobët të ekonomisë. Sipas tij, përmirësimi i konsumit është guri i themelit për të rigjeneruar rritjen, por kjo nuk ka sesi të ndodhë nëse burimet që financojnë konsumin nuk rriten.

Industria, më e goditura

Industria nxjerrëse, sektori që përjetoi kulmin e shkëlqimit deri para dy vitesh, duke u rikthyer si kontributor në eksporte dhe në rritjen e PBB-së, tani është në grahmat e mbijetesës e zhytur në borxhe dhe makth i ri për të gjithë ekonominë që nga treguesit makro deri te rrogat e punonjësve.
Zinxhiri i borxheve ka arritur në 1 miliard dollarë, teksa kompanitë e sektorit po falimentojnë, nga ana tjetër bankat rrezikojnë të përballen me një valë të re kredish të këqija. Të gjithë kompanitë në sektorin e industrisë aktualisht janë duke punuar nën kosto. Burimet në Ministrinë e Energjetikës, pohojnë se 1 ton mineral nga kromi po shitet 20 dollarë më lirë se bursa. Pothuajse shumica e kompanive që punojnë në sektor kanë kërkuar pezullim të përhoshëm të lejeve. Por nëse situata e çmimeve të ulëta zgjat, falimenti është sigurt. Kompanitë e nxjerrjes së mineraleve janë të vogla dhe nuk kanë likuiditet të mjaftueshëm për të përballuar efektin e çmimit të ulët. Në të njëjtën situatë ndodhen edhe kompanitë e naftës. Pothuajse të gjithë koncesionarët janë duke ushtruar aktivitet me linja overdrafti pasi, çmimi i naftës në bursë është sa kosto dhe për shumë kompani poshtë kostos. Panajot Soko, një ekspert i fushës tha se, kompanitë e naftës janë duke vuajtur pasojat e çmimeve të ulëta të naftës dhe cilësisë së dobët të naftës shqiptare. Soko tha se, tregu ndërkombëtar aktualisht është i ngopur me naftë të cilësisë së lartë dhe për naftën shqiptare që thuajse është e kategorisë së fundit nuk ka treg, edhe pse me çmime të ulëta. Shkurt, naftën shqiptare nuk e blejnë as lirë, tha Soko i cili pohoi se situata e kompanive shqiptare do të ndryshojë, jo vetëm kur të rritet çmimi, por edhe kur të rritet kërkesa për naftën e “keqe”. Por nëse kjo situatë zgjat, Soko thotë se, kompanitë nuk do të mund të përballojnë humbjet. 2016-a cilësohet si viti i mbijetesës, teksa kompanitë janë futur në një zinxhir të frikshëm borxhesh dhe falimenti.

ARMO, perandoria e borxheve 595 mln USD

Në fund të tremujorit të parë të 2016, detyrimet e kompanisë ARMO në total kanë arritur në 595 milionë dollarë sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës. Borxhet e kompanisë janë rritur në mënyrë të frikshme, teksa pronarët e kompanisë nuk janë prezentë, ndërsa punonjëit kanë filluar protestat për mosmarrjen e pagave prej muajsh.
Të njëjtat burime bëjnë dije se, nga totali i detyrimeve afërsisht 300 milionë dollarë janë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrolit, tatim-taksave, të tretëve dhe punonjësve. Teksa ish- kompania shtetërore e naftës ka krijuar ajsbergun e borxheve rafineritë e saj kanë qenë në punë qysh nga privatizimi i saj. Por duket se, problematika e saj është përtej aftësive në administrim.
Pak ditë më parë, kompania shtetërore e nxjerrjes së naftës, Albpetrol ka marrë në ruajtje rafinerinë e ARMO-s, në Ballsh. Lëvizja ka ardhur, pasi pak ditë më parë, Albpetrol fitoi gjyqin në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë ndaj rafinerisë së përpunimit ARMO për një detyrim 30 milionë euro. Në proces gjyqësor janë dhe 20 milionë euro të tjera. Nga ana tjetër, punonjësit e ARMO-s prej ditësh janë në protesta pasi kanë gati një vit pa marrë pagat.
Pak javë më parë, kompania përmbarimore EPSA nxori në shitje një tjetër uzinë të përpunimit të naftës të rafinerisë së ARMO, (truall dhe ndërtesa në fshatin Drizë) për llogari të bankës Raiffeisen, për një kredi të pashlyer prej 2.8 miliardë lekësh (rreth 20 milionë euro). Si ankandi i parë, ashtu dhe i dyti, ku vlera e shitjes u përgjysmua në 10 milionë euro, dështuan dhe uzina i ka kaluar në pronësi bankës Raiffeisen. Përveç Raiffeisen Bank, edhe Tirana Bank është vënë në radhë për të mbledhur borxhet nga kreditori më i madh më i keq në Shqipëri.
Në gusht të 2013-s, Heany Assets Corporation bleu aksionet e Anika Merkuria Associated Oil, e cila zotëronte 85% të aksioneve të ARMO sh.a. Në datën e blerjes, Heany Assets Corporation njohu detyrimet e shoqërisë, të cilat arrinin në 243.5 milionë dollarë. ARMO, gjatë vitit 2014, përfitoi të ardhura, si qiradhënëse e dy rafinerive, si pronare e tyre. Mirëpo, detyrimet e kompanisë janë shtuar në mënyrë galopante dy vitet fundit duke shkuar në gati 600 milionë dollarë.

Shitet Transatlantik Petroleum, lë pas 31 milionë USD detyrime

Më 4 mars 2016, u bë e ditur shitja e koncesionarit të naftës, Transatlantik Petroleum Ltd (ish Stream Oil) tek GBC Oil në këmbim të pagimit të një huaje prej 2.3 milionë dollarësh tek banka Raiffeisen dhe marrjes përsipër të 29.2 milionë dollarë detyrime të kompanisë, që përbëhen nga 23.1 milionë dollarë llogari të pagueshme dhe 6.1 milionë dollarë borxh. Për gazin e Delvinës, Transatlantic njofton se ia ka kaluar asetet dhe detyrimet prej 12.9 milionë dollarësh të lidhura me të, tek Delvina Gas Company Ltd. (DelvinaCo), një kompani e re, në pronësi po të Transatlantic.
Që në momentin e deklarimit të shitjes, Albpetrol bëri të ditur se nuk e miratonte transaksionin në rast se kompania nuk shlyente borxhet (rreth 10 milionë dollarë vetëm ndaj Albpetrol) dhe së dyti, blerësi duhet të ishte një kompani me eksperiencë).
Kompania, pronësia e të cilës po kalon dorë më dorë shfrytëzon me koncesion 4 vendburime nafte dhe gazi në Shqipëri, Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës,

As qeveria nuk shlyen faturat

Mungesa e korrektësisë për të shlyer faturat në afat ka kapur edhe qeverinë, e cila në fund të vitit që shkoi nuk ka arritur të shmangë krijimin rishtas të detyrimeve të prapambetura. Më 2015, qeveria akumuloi detyrime të prapambetura në vlerën e 1.4 miliardë lekëve (10 milionë euro) nga të cilat 950 milionë lekë u përkasin kompanive të rrugëve. Detyrimi i akumuluar në Ministrinë Transportit më 2015 është 950 milionë lekë, sipas burimeve zyrtare në Ministrinë e Financave. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) akumuloi detyrime të krijuara rishtas për kontrata investimi (ndërtime, rikonstruksione) në vlerën 594 milionë lekë. Ministria e Financave sqaron se këto janë kontrata shumëvjeçare dhe buxheti vjetor është i pamjaftueshëm për likuidimin e plotë të faturave, ndërkohë që kontraktorët vazhdojnë me avancimin e punimeve sipas grafikut të tyre.
Shoqata e Ndërtuesve pohon se, qeveria ka akumuluar borxhe ndaj kompanive të rrugëve, për të njëjtin shkak si edhe para 2013. Arben Dervishi, sekretar i Shoqatës së Ndërtuesve shpjegoi se, shkurtimi i buxhetit në mes të vitit 2015, ka prekur edhe fondet dedikuar ndërtimit të rrugëve. Kompanitë ishin tenderuar me fondet e fillimvitit, po shkurtimi i tyre në mes të vitit ka krijuar detyrime të qeverisë për disa kompani – shpjegoi Dervishi. Në vijim të borxheve, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka akumuluar detyrime në vlerën 180.1 milionë lekëve, që kanë ardhur si pasojë e mos planifikimit të tyre në buxhetin e vitit 2015 nga ARRSH, shpjegon Ministria e Financave në një raport të posaçëm për këtë çështje. Në kontratat e supervizioneve të punimeve janë akumuluar detyrime në vlerën 11.8 milionë lekëve.
Marrëveshja më Fondin Monetar Ndërkombëtar e detyron qeverinë të shlyejë detyrimet e akumuluara ndaj kompanive private në vitin fiskal pasardhës. Por Ministria e Financave konstaton se nga detyrimet e krijuara në periudhën 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2015, ARRSH ka planifikuar në buxhetin e vitit 2016 për shlyerjen e këtyre detyrimeve vetëm 44.7 milionë lekë, me argumentimin e tavaneve buxhetore të këtij viti të pamjaftueshme për të përballuar financimin e kontratave shumëvjeçare të angazhuara më parë. Kjo shumë është mjaftueshme për të shlyer vetëm një të dhjetën e borxhit të krijuar nga Autoriteti Rrugor më 2015. Pas sektorit të rrugëve, kompanitë publike të ujësjellës-kanalizimeve kanë akumuluar borxhe ndaj kompanive private në vlerën 89 milionë lekëve, të cilat kanë të bëjnë me pagesat e rimbursimit të TVSH dhe kosto lokale për projektet me financim të huaj. Sipas informacionit që Ministria e Transportit ka paraqitur në Ministrinë e Financave sqarohet se detyrimet e krijuara në periudhën 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2015 në këtë sektor, janë planifikuar për t’u shlyer me fondet e buxhetore të këtij viti për Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve
Detyrimi i akumuluar i Ministrisë së Arsimit për vitin që shkoi kap vlerën e 55 milionë lekëve, nga të cilat 31.3 milionë lekë janë detyrime për investime të kryera në Universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës dhe 3.7 milionë lekë janë vendime gjyqësore për Zyrat Arsimore në rrethet: Skrapar, Përmet, Tepelenë dhe Kamëz. Siç raporton Ministria e Financave, këto detyrime janë planifikuar të shlyhen brenda këtij viti. Ministria e Drejtësisë ka krijuar detyrime të reja që shkojnë në vlerën 129.2 milionë lekë, nga të cilat Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave 120.7 milionë lekë që ka të bëjë me detyrime për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, nga të cilat rreth 6.5 milionë lekë duhet të ishin raportuar dhe shlyer në zbatim të VKM nr. 405, datë 13.05.2015 (shlyerja e detyrimeve të prapambetura për vendime gjyqësore). Detyrimi i akumuluar në Ministrinë e Shëndetësisë arriti më 2015 në 16.3 milionë lekë, të krijuara në disa Drejtori të Shëndetit Publik në disa rrethe, për vendime gjyqësore për largim nga puna.
Ministria e Punëve të Brendshme ka raportuar në Ministrinë e Financave se, për vitin 2015 ka akumuluar 10.2 milionë lekë detyrime, nga të cilat Emergjencat Civile 5.3 milionë lekë, të cilat duhet të ishin raportuar dhe shlyer në zbatim të VKM nr. 50, datë 05.02.2014 (për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura) por, nga ana e njësive të qeverisjes vendore, këto detyrime janë raportuar me vonesë dhe pa dokumentacion të saktë pranë emergjencave civile. Policia e Shtetit ka krijuar 3 milionë lekë borxhe për ekzekutim të vendimeve gjyqësore dhe 1.9 milionë lekë detyrime për shpenzime korrente për disa drejtori policie vendore dhe qarku. Ministria e Bujqësisë ka krijuar detyrime që kapin vlerën e 65.6 milionë lekëve, nga të cilat mbi 3 milionë lekë janë krijuar nga Drejtoria e Bujqësisë në Elbasan si borxhe ndaj ekzekutimit të vendimeve gjyqësore. Pjesa tjetër, 62 milionë lekë, është krijuar për projektin “Ndërtimi i Portit të Peshkimit në Durrës” dhe ka të bëjë me detyrime për kosto lokale dhe TVSH për këtë projekt. Sakaq Ministria e Bujqësisë ka sqaruar për Ministrinë e Financave se fondet e akorduara në programin e peshkimit janë të pamjaftueshme për t’u likuiduar këto detyrime me buxhetin e vitit 2016.